Ballina Bota Kthesa e re e Trumpit ndaj Evropës, Rubio: Është shumë i shqetësuar...

Kthesa e re e Trumpit ndaj Evropës, Rubio: Është shumë i shqetësuar dhe i zhgënjyer

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 5.000 ushtarë shtesë në Poloni, vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi vendosjen e planifikuar të 4.000 ushtarëve në këtë vend.

Trump dje shkroi në rrjetin e tij social Truth Social se vendimi bazohet në marrëdhëniet e mira të SHBA-së me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin e kishte mbështetur në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Reagime pozitive nga Varshava dhe NATO-ja

Kryeministri polak Donald Tusk e quajti njoftimin “lajm të mirë” për të dyja vendet.

“Falënderoj të gjithë të përfshirët në këtë çështje – presidentin Nawrocki, ministrat, kongresistët dhe miqtë e Polonisë në SHBA – për efikasitetin dhe unitetin e tyre”, shkroi Tusk në platformën X.

Vendimin e përshëndeti edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para takimit të ministrave të Jashtëm në Suedi. Rutte shtoi se rruga e Evropës drejt një varësie më të vogël nga Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojë”.

Konteksti i vendimit amerikan

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Mbrojtjes anuloi papritur vendosjen e 4.000 ushtarëve në Poloni, por ministri amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth më pas sqaroi se bëhej fjalë për një “shtyrje të përkohshme” dhe se Uashingtoni do të vazhdojë të sigurojë “prani të fuqishme ushtarake” në këtë vend.

Nuk dihet nëse forcat e saponjoftuara janë pjesë e vendosjes së planifikuar më parë apo bëhet fjalë për një operacion të ri.

Shtëpia e Bardhë javët e fundit ka lënë të kuptohet se synon të ulë nivelin e përgjithshëm të trupave të saj në Evropë, në kuadër të politikës “Amerika e para”.

Rubio në Suedi: Trump është i zhgënjyer me aleatët

Pritet që sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në takimin në Helsingborg të premten, t’u bëjë thirrje partnerëve të NATO-s për ndarje më të drejtë të barrës.

Para takimit, në një bisedë me gazetarët, ai foli për marrëdhëniet brenda Aleancës.

“Presidenti është, sinqerisht, i zhgënjyer me disa nga aleatët tanë në NATO dhe me reagimin e tyre ndaj operacioneve tona në Lindjen e Mesme”, tha Rubio.

“Nëse vende si Spanja refuzojnë të na vënë në dispozicion ato baza, atëherë pse jeni në NATO? Kjo është një pyetje shumë e arsyeshme”, tha Rubio.

Ai shtoi se “vende të tjera në NATO kanë qenë shumë të dobishme”, ndonëse nuk i përmendi me emër, por tha se situata duhet shqyrtuar.

“Megjithatë, ka fusha të tjera ku ne vazhdojmë bashkëpunimin”, shtoi ai, duke përmendur si shembull njoftimin për dërgimin e trupave në Poloni.

“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara qartazi vazhdojnë të kenë detyrime globale që duhet t’i përmbushin përmes vendosjes së forcave të tyre, dhe kjo na detyron vazhdimisht të rishqyrtojmë se ku i vendosim ato – nuk bëhet fjalë për ndonjë ndëshkim.”

I pyetur për raportet e pakonfirmuara se SHBA mund të ulë numrin e ushtarëve të gatshëm në rast sulmi ndaj një anëtari të NATO-s, Rubio i tha BBC-së se për “disa nga këto çështje” do të diskutohet në samit, duke përsëritur se Trump është “shumë i shqetësuar dhe i zhgënjyer” me aleatët.

Tërheqja nga Gjermania dhe mospajtimi me Berlinin

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjithashtu e përshëndeti vendimin për dërgimin e ushtarëve shtesë në Poloni.

“Kjo nuk i shërben vetëm sigurisë së Polonisë, por edhe sigurisë së gjithë Aleancës, dhe kështu edhe neve. Pra, kjo është absolutisht në interesin tonë”, deklaroi ai para gazetarëve.

Më herët këtë muaj, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e 5.000 ushtarëve nga Gjermania pas mosmarrëveshjes mes Trumpit dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz rreth luftës me Iranin.

Për momentin është e paqartë nëse trupat shtesë për Poloninë janë pjesë e atyre që po tërhiqen nga Gjermania, apo bëhet fjalë për një njësi të veçantë.

Wadephul të premten shtoi se Gjermania është në “bisedime të vazhdueshme” me SHBA-në për vendosjen e sistemeve raketore me rreze të gjatë veprimi në Gjermani.

“U bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’u përmbahen planeve të tyre të mëparshme”, tha ai.

Kontingjenti ushtarak amerikan në Gjermani është më i madhi në Evropë, me më shumë se 36.000 ushtarë aktivë. Për krahasim, në Itali janë rreth 12.000, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 10.000.

Disa ligjvënës republikanë në SHBA e kanë kritikuar vendimin e Trumpit për tërheqjen e trupave nga Gjermania, duke thënë se me këtë Rusisë i dërgohet mesazh i gabuar.

Mosmarrëveshja mes Trumpit dhe Merzit ndodhi pasi kancelari gjerman sugjeroi se Irani e kishte “poshtëruar” SHBA-në gjatë negociatave për përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Trump gjithashtu i kritikoi aleatët e NATO-s për mungesën e gatishmërisë për të ushtruar presion ndaj Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit./TetovaNews