Ballina Kultura Nasho Jorgaqi: LASGUSHI, SI E NJOHA

Nasho Jorgaqi: LASGUSHI, SI E NJOHA

1

Për të parën herë Lasgushin e kam ndeshur në një nga lokalet e Tiranës, kur isha student. Nuk di se kush ma tregoi nga larg, po mbaj mend që mbeta për një çast përballë tij. Nuk desha t’u besoja syve! Ky ishte Lasgushi, poeti aq delikat e i hollë, “zogu i qiejve”, miti i lirikës shqiptare. Ai rrinte i lëshuar në një karrige, me këmbët përpara dhe bastunin midis gjunjëve, me një kapele të vjetër rrësuar në kokë, nën të cilën shquante vetëm gjysma e një fytyre të rrudhur e të zbehtë. Qëndronte në shoqëri me veten, po të mos llogarisje qenin, një kone, që i rinnte te këmbët. Më pas poetin do ta shikoja përsëri vetëm dhe, rrallë e tek, në shoqëri me të tjerët, gjithmonë të mbledhur në vetvete, me vështrimin e hedhur përpara, një vështrim gati i përhumbur e krejt indiferent. Më kanë mbetur në mend dy hollësi nga përballja e parë: shkëlqimi mbresëlënës i syve dhe tre rripa shtrënguar në mes. Është pak të them se u zhgënjeva, por kjo endezi më tepër kureshtjen time rinore. Megjithatë, fati apo rastësia çfarë nuk sjell në jetën e njeriut, aq më shumë kur ai është në fillim të rrugës së tij.

Dhe ndodhi ajo që nuk më kish shkuar ndërmend. Kur u emërova redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, rastisi të punoja me Lasgushin. Madje jo vetëm me Lasgushin. Te “Naim Frashëri”, i vetmi institucion botues i vendit atëherë, qenë mbledhur disa nga personalitetet e letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Mund të merret me mend se ç’do të thoshte kjo për një të ri si unë, që aspironte të bëhej një ditë dikushi. Me kohë do të kuptoja se në mes tyre po nisja një universitet të dytë. Mjafton të përmend emrat për të kuptuar se me cilët pata fatin të punoja për disa vjet me radhë. Sotir Papakristo e Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli e Sotir Caci, Vedat Kokona e Hamit Kokalari, Halit Selfo e Bujar Doko dhe, mbi të gjithë Lasgushi. Ai ishte padyshim dekani i kësaj plejade jo aq poezinë shqiptare. Mundet që asokohe të mos isha plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë privilegj që më kishin krijuar rrethanat, por, vështruar në largësinë e viteve, kuptoj se, pa përvojën dhe shëmbëlltyrën e asaj plejade, vështirë se mund të isha bërë shkrimtar. Në fillim redaktor e më pas shef i redaksisë së letërsisë së huaj, unë do të isha në kontakt të vazhdueshëm me ta e, çka duket e çuditshme, do të kisha në varësi gjithë ekipin e përkthyesve. Një barrë e rëndë për një të ri si unë, por që më duhej ta kryeja, pavarësisht diferencave të dukshme që kisha dhe komplekseve që më krijoheshin. Sado që ishte fjala për një drejtim administrativ, prapë më duhej të drejtoja mësuesit e mi, të gjithë njerëz me emër, me kulturë të gjerë, poliglotë, njohës të shkëlqyer të gjuhës shqipe. Askund në Shqipëri nuk mund të gjeje një laborator pasurimi, përpunimi e plazmini të gjuhës shqipe sa në redaksinë tonë. Por me ta nuk ishte e lehtë të punoje. Qenë natyra e karaktere të ndryshme, me formim e preferenca jo të përbashkëta, me halle e huqe nga më të çuditshmet. Nuk e teproj kur them se më i vështiri paraqitej Lasgushi.

Me Lasgushin në Pogradec. (1961)

Mbaj mend që lidhjet e mia me të qenë në fillim kryesisht lidhje pune dhe, me gjithë dëshirën time për t’u afruar, ai nuk qasej kollaj. Duke qenë natyrë e mbyllur, nuk krijonte afri pa të njohur mirë. Kishte pak shokë, por asnjë konfidues. Ndoshta vetëm E. Çabejn dhe A. Budën, që i kishin mbetur nga koha e hershme. Me M. Kutelin, i cili kish bërë aq shumë për të si botues dhe si kritik kam bindjen se nuk kish miqësinë e dikurshme. Nga ana tjetër, Lasgushit, pavarësisht se nuk gëzonte nderet zyrtare të një poeti të madh, i mjaftonte ta mbante veten si të tillë. Kuptohet se çmund të isha unë për të, kur nisëm të punojmë bashkë; një djalë i edukuar apo, shumë-shumë, një admirues i poezisë së tij. Do të më duhej kohë t’i fitoja zemrën. Ndryshe nga kolegët e tij, ai kish privilegjin të punonte në shtëpi dhe në zyrë vinte vetëm për të marrë rrogën ose për të marrë pjesë në ndonjë mbledhje të rëndësishme. Prandaj u desh kohë që unë t’i ngjallja interes e besim dhe të më pranonte, si të thuash, për mik. E kur hyje në shoqërinë e tij, duhej ta merrje parasysh se do të përballeshe me ironinë dhe një farë shpërfilljeje, me vetëbesimin dhe pavarësinë e mendimeve, që i shprehte në mënyrë origjinale. Sipas tij, të qenit poet i jepte të drejtën të ishte ndryshe nga të tjerët. Këtë e thoshte hapur, me zë të lartë, pa asnjë droje. Edhe pse nuk ishte i përkëdhelur nga pushteti, kjo nuk e shqetësonte Lasgushin. Poeti e ndijente forcën e pushtetit të tij dhe s’ë kish për gjë që të thoshte se ai ishte Zeus. Shtonte, madje, se këtë nuk mund ta kuptonin njerëzit e zakonshëm. Duhej të ishe i përgatitur për të kuptuar një poet si ai. Dhe ç’ka ish krejt e veçantë te Lasgushi, që mënyra kinse naive e të arsyetuarit dhe e të shprehurit. Në këtë rast bënte rolin e të paditurit, të të padjallëzuarit, nganjëherë dhe të një “leshkoje”, duke krijuar deri dhe situata nga më absurdet. Nga kjo pikëpamje ai ishte i papërsëritshëm e gati i paarritshëm.

Njëherë në mbledhjen vjetore të shtëpisë botuese, në raportin që mbajti drejtori, Drago Silqi, krahas lëvdatave kritikonte mes tjerësh edhe Lasgushin. Mbaj mend që e kisha përballë. Vija re që gjatë gjithë kohës rrinte thuajse i përhumbur nën strehën e kapelës, sikur nuk kish të bënte fare me ato që thuheshin. Por nuk ishte ashtu, sepse, sapo mbaroi Dragoja, ai lëvizi vendit dhe për çudinë e të gjithëve kërkoi të fliste. Rast i rrallë që Lasgushi merrte fjalën në një mbledhje zyrtare. Të gjithë kthyen sytë nga ai dhe, me njërën dorë ngritur, duke mbllaçitur buzët, mori të fliste me një zë të zvarqur në mënyrën e tij të zakontë:

Jemi mbledhur këtu sot, ku shoku Drago është bariu ynë, ai që na drejton. Na drejton të gjithëve, gjithë sa që jemi këtu. Përdryshe do të humbitnim si bagëtia pa zot. Shoku Nasho është direktor i përkthimeve. Ai na cakton normat. Ne na tërheq kërraba nga vetja, po ai zbaton rregullat. E kemi dhe shokun Pjetër, directorin e financave. Ai ka paratë. Boboo, ç’bëhet sikur të mos jetë ai. Mbetemi pa rrogë e s’vemi dot në shtëpi, ku na presin fëmijët. Pastajza vjen zoti Rrok, njeriu i patundur i protokolleve. Ai u jep udhë shkresave, përdryshe do të na zinin sytë letrat… Shteti prandaj është shtet, punon me shkresa. Në fund kemi Rukijen, ajo na fshin zyrat, largon pisllëkun. Pa mendoni se ç’do të bëhej po të mos ish Rukija?

Si heshti një çast, drejtoi trupin dhe me zë të lartë pyeti: – Po Lasgushi, ç’është? Lasgushi s’është as drejtor, as direktor redaksie, as direktor finance, as direktor protokolli, s’është as Rukije. Lasgushi është poet dhe poeti nuk jep llogari. Ai qëndron përmbi të gjithë. Është zë që vjen nga lart dhe drejton shpirtrat e njerezve…

Shpërthyen të qeshurat, u hodh dhe ndonjë romuz, po ndërkaq vura re se Lasgushi u bë akoma më serioz. Ngriti kokën lart dhe shtrëngoi fort bastunin midis gjunjëve. Shpërfillja dhe indiferenca e tij kishin arritur kulmin. Askush nuk i kundërvu, aq më tepër Dragoja që ish vetë poet dhe e çmonte shumë Lasgushin. Vërtet, mendja e një poeti e përmasave të tij nuk kish si t’i përfillte vogëlsitë e një raporti të zakonshëm. Ama këtë mund ta bënte vetëm Lasgushi.

Qëndrimi shpërfillës i poetit, që kurrë nuk iu mor për keq, krijonte ndonjëherë probleme e situata dhe me kolegët e tij, bile dhe me miqtë, të cilët i respektonte, po, sigurisht, asnjëherë sa veten. Mund të kujtoj vetëm një rast. Zakonisht redaksia jonë i diskutonte shumicën e veprave të përkthyera përpara se t’i dërgonte ato në shtyp. Kishin kaluar me radhë të gjithë përkthyesit. Kishte mbetur vetëm Lasgushi dhe, meqë ai s’pranonte, diskutimi ishte shtyrë disa herë radhazi, aq sa kolegët e tij qenë të pakënaqur. Unë vetë, ç’është e drejta, nuk doja ta trazoja, sepse e dija që do të kisha telashe nga më të papriturat, por, tek e fundit, s’kisha ç’të bëja. Vendosëm kështu të diskutonim vëllimin me vjershat e Gëtes të përkthyera prej tij. Në mbledhjen e ngushtë të redaksisë folën si diskutantë kryesorë Dhimitër Pasko (M. Kuteli), Sotir Caci e disa të tjerë. Vërejtjet dhe kritikat, sidomos të dy të parëve, qenë të shumta, konkrete dhe të arsyetuara. Konkluzioni ishte se përkthimi qe i dobët dhe, si i tillë, përkthyesi duhet ta rimerrte e ta ripunonte seriozisht. Për herë të parë e pashë Lasgushin të zënë ngushtë, gati sa turfullonte dhe godiste bastunin në çimento. Ra një heshtje e rëndë dhe pritej nga çasti në çast të plaste sherri. Ndoshta, asnjëherë poeti nuk ishte kritikuar kështu ballazi, aq më tepër nga kolegë kaq seriozë dhe kompetentë.

Shiko këtu, – m’u drejtua Lasgushi fytyrëngrysur, ndërsa dridhej i tërë, nuk pyet poeti për Cicra e Paskura, dëgjove?

Unë vështrova nga diskutantët. Fytyrat e tyre m’u dukën kërcënuese.

Bëjmë pushim, – thirra menjëherë, kur ndjeva se mund të nxheshin gjakrat keq.

Pas pushimit, vërtetë sikur kish rënë tensioni, por ndërkaq kishim biseduar që të mos debatohej më. Të gjithë e dinin se Lasgushi nuk tërhiqej kollaj.

Lasgush, tani e keni fjalën ju, – e ftova unë.

E kam të ngulitur dhe sot në kujtesë pamjen e atij çasti. Çuditërisht duke krejt i qetë, sikur të mos kish ndodhur gjë, por ndërkohë qe bërë serioz dhe, kushdo që e njihte nga afër, e dinte se kjo ishte shfaqja e parë e qëndrimit të tij qesëndisës. Mjafton të vëreje grimasat që bënte me buzë.

Populli fisnik shqiptar, – nisi ligjëratën Lasgushi me një ton solemn, – i mobilizuar i tërë, nën shembullin e vëllait të madh sovjetik, është përfshirë në lëvizjen stakanoviste, Zhandarova-Agafanova për rendimente të larta në prodhim. Lasgushi, anëtar i pandarë i këtij populli, bir besnik i tij, nuk ka si të mos ndjekë shembullin e vëllait të madh. Prandaj, kur mora të lartën detyrë për të shqipëruar në vargje izometrike e izoritmike poezinë e të madhit Gëte, s’mund të rrija pa kërkuar ndihmën e vëllait, ku mbështetet populli fisnik shqiptar. Në trapezën e punës hapa Gëten, po hapa dhe përkthimin e vëllait të madh sovjetik. Shkonin barabar, si dy qe në një parmendë. Po kishte raste, dhe këto s’qenë të paka, që Lasgushi ngecete dhe atëherë pyeste veten: kush ka të drejtë, Gëtja apo vëllai? Domosdo Lasgushi s’është budalla, nuk shkon kundër popullit. Mëndja më thoshte: dëgjo më mirë vëllain e madh, se ai ka ditur se ç’ka bërë. Vërtet i ka sheshuar ca gjëra, po i ka bërë të qarta për këdo. Të qarta atëherë i bëra dhe unë. Tani më thoni se Lasgushi e ka përkthyer dobët dhe më jepni gjëmën se vepra e shqipëruar me vargje izometrike dhe izoritmike nuk meriton të shkojë në shtyp. Kaq kisha për t’ju thënë, të nderuar kolegë!

Dhe zuri të buzëqeshë në mënyrën e tij, me një lloj triumfi, që rrezatonte ironi, shpërfillje dhe vetëbesim. Të gjithë u vumë në pozitë të vështirë, në radhë të parë unë. S’kisha ç’të thosha. Çdo qortim ose kundërshtim do ta ndërlikonte situatën delikate që u krijuar. Prandaj shqiptova fjalët “Mbledhja mbaroi” dhe u ngrita. Ndërkaq dëgjova Halit Selfon që thirri me natyrën e tij prej babaxhani: “Të lumtë, Lasgush, e hodhe lumin”. Kurse Lasgushi ia priti duke u çuar nga vendi: “Ai që është në të drejtë të tij, s’ka pse të trembet. Lasgushi tërë jetën kështu ka punuar.”

Duke dalë nga mbledhja të qeshuarat u shtuan. Vetëm Paskua dhe Caci ishin të pakënaqur, dhe kishin të drejtë. Të nesërmen u mblodhëm përsëri të tre. Unë u mora vërejtjet me shkrim dhe ia dhashë pastaj Lasgushit me porosinë që t’i shikonte seriozisht dhe t’i reflektonte në ripunimin e vëllimit. Në të vërtetë, edhe pse e mori për ta parë, përkthimi nuk pësoi ndonjë përmirësim të ndjeshëm. Kjo erdhi jo aq se poeti ishte i prekur nga vërejtjet e rënda, sesa nga fakti që ai nuk dallohej për punë këmbëngulëse. Isha i bindur se Lasgushi u takonte artistëve të frymëzimit spontan dhe jo atyre të punës së mundimshme që lyp përkthimi artistik, i cili, siç thotë Noli, është njësoj si t’i rrëmbesh çomangën Herkulit.

Megjithatë, pati dhe një përjashtim, çka e nderon Lasgushin. E vetmja vepër voluminoze që shqipëroi poeti dhe që e mundoi shumë, por që mbetet një nga përkthimet poetike më të mira në gjuhën shqipe, është poema “Evgjeni Onjegin” e A.S. Pushkinit. Për këtë ai punoi mbi dhjetë vjet dhe iu përmbajt të gjitha teknikave të vështira të origjinalit, duke i dhënë në shqip, sidomos disa kapituj, me një virtuozitet të rrallë. Kjo poemë romantike i shkonte natyrës së tij. Çuditërisht, Lasgushi, aq delikat, do t’i përkthente mjeshtërisht dhe poemat revolucionare të Majakovskit “V.I. Lenin” dhe “Mirë e bukur”, të cilat qëndronin larg natyrës dhe estetikës së tij krijuese. Për mua kjo e fundit mbeti një enigmë dhe, sa herë që e pyesja, e kalonte me një buzëqeshje duke iu shmangur përgjigjes sqaruese. Një herë më tha: “Majakovski është poet i madh. Atë vetëm Lasgushi mund ta shqipërojë”.

2

Do të duhej kohë, madje vite, që të fitoja besimin e Lasgushit. Për mua kjo erdhi krejt vetvetiu. Tani kur e kujtoj më vjen mirë që nuk bëra asgjë “të qëllimshme” për të qenë një nga miqtë e poetit, apo më saktë, një nga dashamirët e tij të përfillur e kolegu i respektuar pasi, siç e thashë, Lasgushi miqtë i kishte të paktë. Poeti mund të të krijonte në momente të caktuara iluzionin e miqësisë, por nuk ta jepte vërtetë. Kam përshtypjen se ai bënte jetën e tij dhe se ajo fjala e Engelsit që “njeriu është kompleks marrëdhëniesh shoqërore” zhvlerësohej tek Lasgushi. Ai kishte kohë që s’ishte më Llazar Gusho. Jetonte jashtë kohës dhe mjedisit në mënyrën e vet të papërsëritshme. Kjo shpjegon arsyen se përse me të ishte tepër vështirë të shtroheshe në muhabet. Mund ta hapje bisedën dhe ajo të davaritej apo të këputej në mes. Raportet e tij me gjithçka rreth vetes qenë krejt sui generis. Ka të drejtë Kadareja kur thotë se Lasgushi kish kodin e tij në bisedë. Po të mos e njihje atë, mbeteshe jashtë. Komunikimi ose ishte formal e sipërfaqësor, ose dështonte. Duhet të dije se Lasgushi kish një rreth të caktuar problemesh që i interesonin, tema të preferuara, zakonisht të sferave universale, dhe se çdo gjë ai e personalizonte. Ai kishte një mënyrë të arsyetuar krejt origjinale, në dukje naive e plot paradokse. Fliste me një zë pak të zvarqur, me tonin dhe ritmin e vet karakteristik të të folurit. Në dëgjim të parë biseda me të sikur të zhgënjente. Të dukej se nuk dallohej për nivel dhe duhej të tregoheshe i vëmendshëm për të kapur gjithçka që rrezatonte personaliteti i tij prej krijuesi dhe intelektualit të shquar. Kurrë nuk dinte të pozonte, por, ndërkaq, në raste të caktuara, tregohej aktor i pashoq dhe kjo e bënte të mos kish një të dytë. Dhe nuk ndodhte ajo që ngjante, fjala vjen, me Çabein ose Kutelin, të cilët rrezatonin menjëherë kulturë. Me Lasgushin duhej të rrije gjatë e ta dëgjoje me vëmendje, që t’ia kapje mendimet e të depërtoje në botën e tij. Ligjërimi i Lasgushit të kujtonte ligjërimin e malësorëve të vjetër, që flasin sikur vazhdojnë një bisedë të lënë përgjysmë apo shqiptojnë fraza bisedash të kaluara. Në pamje të parë ai dukej i korracuar nga indiferenca dhe nga një qëndrim mospërfillës e paqedashës. Vetëm ai që kish durim, mund ta kapërcente këtë barrierë. Prapa syve tepër të zgjuar dhe buzëqeshjes mefistofelianë fshihej individualiteti i fortë i poetit. Kur gjendeshe me të vetëm për vetëm, ai sikur të harronte, bënte pauza të gjata apo përhumbtej në vetvete, sikur të sugjestiononte një lloj mistike. Ishte kjo mistika lasgushiane, që buronte nga poezia e tij, në qoftë se ti ishe ushqyer me të.

Akoma më i kursyer, po dhe qesëndisës, ishte kur shkruante letra. Më ka qëlluar të marr disa letra, që m’i dërgonte nga Pogradeci ku rrinte muajt e verës. Letra të thata, të shkruara me fraza stereotipe, ku nga njëra anë e faqes më lutej zyrtarisht si shef redaksie që t’i paguanim honorarin e vjershave, që kish përkthyer mbi normën, ndërsa në faqen tjetër të letrës i drejtohej të shoqes “E dashur Nafije, … me paratë që do të marrësh nga e nderuara redaksi (pra, e bënte fakt të kryer – N.J.) do të paguash … kaq për dritat, … kaq për drutë, … kaq për kopshtin e vajzave …” etj. Në fund, bënte mbledhjen e shpenzimeve dhe kjo shumë dilte e njëjtë me shumën e honorarit që do të merrte, në qoftë se redaksia do ta paguante me maksimalen.

Dhe unë ia bëja qejfin, duke ia plotësuar dëshirën. Në të shumtën e rasteve ia paguaja me maksimalen. Është e vërtetë që ai ishte nevojtar, por që edhe dorëlëshuar. Ç’nuk bënte t’i kënaqte vajzat dhe kjo më prekte. Ishte kjo një nga arsyet që, për një kohë, ai u afrua me mua, aq sa ndonjë bisedë e jona u bë konfidenciale.

Mbaj mend që një herë më tha, si me zë të ulët: “Dëgjo, Nasho, ruhu nga shteti, se shteti është si hajvan i madh, që s’di ku shkel e të shtyp. Dhe këtë ta thotë Lasqushi, që di më shumë se ty!” Unë mbeta për një çast. U hutova dhe buzëqesha pa bërë asnjë koment. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që më foli kësisoj, po të mos llogarisja romuzet dhe situatat paradoksale aq të zakonshme në jetën e tij.

Duke e pasur koleg pune dhe mik për vite me radhë, nuk harroja për asnjë çast se ai ishte një nga emrat e mëdhenj të poezisë shqiptare. Nuk e harroja jo vetëm thjesht si një nga adhuruesit e vargut të tij, por dhe si historian letërsie e pedagog, kur kalova në fakultetin e Filologjisë ku jepja leksione dhe mbi të. Kjo ishte arsyeja kryesore që më bënte herë pas here të interesohesha dhe të pyesja për momente të jetës dhe të poezisë së tij. Duhej, natyrisht, t’i gjeje rastin, por rastet s’ishin të shpeshta, aq më tepër që ai kësaj teme i shmangej ose i rrëshqiste duke e kaluar bisedën në tema të tjera.

Në skedat dhe blloqet e mia të punës kam plot shënime të shkëputura, mendime, fjali e fraza të shqiptuara prej tij në kohë të ndryshme. Por rasti më i volitshëm që shfrytëzova për të “vjelë” poetin ishte koha kur e bija, Kostandina, studente me korrespondencë e letërsisë, kërkoi të mbrojë diplomën dhe unë i dhashë për temë “Sprovë mbi jetën e Lasgush Poradecit”, duke u bërë udhëheqësi i saj. “Vetëm ti e askush tjetër mund ta bësh këtë”, i thashë vajzës së poetit, duke i dhënë më vonë dhe një pyetësor të hollësishëm. Kur u takova me Lasgushin, fjala e parë që më tha duke ngritur gishtin, ishte: “Ah, djallëzor, djallëzor që je treguar!” Pranoi, por me kusht që mos t’i përgjigjej të gjitha pyetjeve. “Dëgjo, – më tha më pas, – profesorët mund të kërkojnë shumë gjera, por poetët kurrë nuk i tregojnë të gjitha. Pusi i jetës së tyre është në pusin e poezisë”.

Kostandina e mbrojti diplomën me sukses dhe kjo e gëzoi Lasgushin. Unë, ç’është e vërteta, prisja më shumë të dhëna, por ai qe treguar i kursyer, nuk kish dashur t’i bënte publike disa momente nga jeta e tij. Megjithatë, rasti i diplomës më dha shkas të takohesha me të disa herë dhe të bisedoja, aq sa mund të bisedohej me Lasgushin për këto gjera. U saktësua përfundimisht se kish lindur më 27 dhjetor 1899, sipas kodikut të Kishës së Pogradecit. Për herë të parë pohoi se Gushot vërtetë kishin zbritur nga Rrëmenji, por të parët e tyre ishin nga Kolonja. Babai i tij, teneqexhi, që kish rrahur rrugët e kurbetit, njihej në Pogradec si Sotir Shqiptari jo vetëm se sillte dhe shpërndante libra shqip, por ishte dhe një nga themeluesit e shkollës së parë shqipe të qytetit. Ai kish pasur tetë fëmijë dhe që mësimdashës i madh. Njërin nga fëmijët, Vangjelin, e kish bërë ushtarak të lartë në Rumani, ku kish kryer Akademinë dhe tjetrin, tregonte Lasgushi, e kish ndihmuar të bëhej poet.

Njëherë Lasgushi më erdhi në katedër. U habita, sepse kishte kohë që nuk dilte si më parë. Por meraku i vajzës kur përgatiste diplomën e kishte nxjerrë. Lasgushi kish dy vajza, të cilat i donte fort dhe përkujdesej për to. Ai ishte bërë baba në prag të pleqerisë dhe i kishte rritur me sakrifica. Mbi tavolinën time ishte libri “Apologia e vërtetë e Sokratit” e Kosta Varnalisit përkthyer në gjuhën shqipe. Poeti e vështroi nga larg, e mori në dorë dhe rrudhi buzët.

Pandeha se mos ishte ajo e lashta, – tha gati indiferent, po pastaj sikur u zbërthye dhe zuri të rrëfente. – Këtë nuk e njeh Lasgushi. Është nga grekërit e rinj… Të vjetrit Lasgushi i njeh me rrënjë, – vazhdoi duke folur në vetën e tretë. – Me këta pati fatin të ngrinte kulturën e tij, bile në vendin e tyre. Lasgushi s’do ta arrinte këtë kurrë, po të mos kish një baba aq dituridashës. Teneqexhi ishte, po shkollën e kishte për zemër. Në fillim e çoi në Manastir dhe, si mbaroi atje semimaturën, u kthye në Pogradec. E kuptonte që mendjen e kishte te shkolla. I dhimbsej. E ç’të bënte murgu? Veç atij kish dhe Vangjelin. Mund të mbante dhe një fëmijë tjetër në shkollë duke rrahur teneqe? Po atij i thoshin Sotir Shqiptari. Shko, i tha një ditë. Po mendo, ishte koha e Luftës së Parë dhe Lasgushit i duhej të shkonte fillthi deri në Athinë. Ishte vetëm 15 vjeç. Dhe u nis. Ishte ditë pazari në Pogradec. Dy fshatarë, miq të babait, pasi e kaluan nga gjoli i Maliqit, e nxorën në Korçë. Prej andej Lasgushi shkoi në Përmet e doli në Vlorë. Atje i hipi pamporit dhe zbriti në Athinë. Këtu Lasgushi qëndroi plot katër vjet, deri sa mbaroi Liceun Francez, që mbahej nga fretërit Martiri. Shkolla ishte e fortë, po dhe Lasgushi ishte i babëzitur për të njohur e për të mësuar çdo gjë. S’la muze, pinakotekë e glipotekë pa parë. S’la librari e bibliotekë pa rrëmuar. E harroi veten fare. Erdhi e u bëra kock’ e lëkurë. Pa i vdiq edhe babai i gjorë. Mbeti keq. Ditët i kalonte ngrënë e pangrënë, deri sa u sëmur nga veremi. Po, nga veremi u sëmur Llazari, se akoma nuk ishte bërë Lasgush. E shtruan në një sanatorium, që kish ngritur zonja Sofia fon Shlimani. E di kush është kjo? E shoqja e atij të famshmit, që zbuloi Trojën. E vunë në një pavijon të dorës së dytë a të tretë. Po ku rrihej atje! Atëherë i shkroi një letër frëngjisht zonjës Shliman që jetonte në Greqi. I kërkonte ta ndihmonte që ta vinin në një pavijon më të mirë. Ajo jo vetëm ia plotësoi dëshirën, po vjen dhe e takon dorazi, ja kështu, siç jemi un’ e ti. U habit kur i tregoi se kishte lexuar librin e të shoqit, që fliste për zbulimin e madh. E kish blerë vërtet te libraria franceze “International”. Megjithëse u mjekua në sanatorium, plaga nuk u mbyll kollaj. E si mund të mbyllej, kur Lasgushi nuk dinte të pushonte as ditë, as natë. Kishte një etje që s’gjente të shuar. Lexonte poetët grekë, po më shumë ata francezë. I hyri shumë në zemër Alfred de Myseja. Jetonte i tërri me poezinë e tij. Asokohe në Athinë kish emër të madh poeti Kosta Pallamas. Kur lexoi Lasgushi poemën e tij “Dodekalogu i evgjitit”, aq shumë i pëlqeu, sa i hipi në kokë të shkonte ta takonte. Punonte sekretar i Akademisë së Shkencave dhe i vajti. E poqi, ja kështu si të kam pjekur ty. Ç’nuk bën poeti kur do. Ai s’u habit se poeti poetin e kupton. E priti gëzueshëm dhe e përgëzoi që shkruante poezi.

Në Athinë Lasgushit i qante zemra për Shqipërinë dhe ç’nuk bënte që të shuante mallë. Edhe pse i vogël, dashurinë e kishte të madhe për dheun e tij. Prandaj çdo gjë shqiptare e tërhiqte si magnet. E përvëlonte malli për shqipen dhe, një fjalë të mëmës të dëgjonte, shkreptinte i tërri. Pa lere kur një ditë gjeti, te një bukinist, “Abavatarin” e Anastas Kulluriotit. S’kish gjë më të çmuar, mbushur me rrëfime, me vjersha, me këngë popullore shqiptare. E këndoi me zë të lartë dhe gëzohej si fëmijë. Te ajo abetare e arbëreshit të Greqisë Lasgushi mësoi ca gjëra që s’i dinte. Ca tingëllima që aq shumë i duhen poetit. Kishte aty një kapitull me emrin “Vetvetirat e kafshëve”. E di ç’do të thotë kjo? Zërat ose onomatopeizmat e kafshëve, ashtu siç i thotë populli. Atje gjeti që ariu ungrin, që korbi kërokon, që bretkosa kuak etj. Atje gjeti dhe fjalën fërmon, kur lëviz veriu nëpër fletë. Thonë se fjalët duhet t’i kërkojë prozatori e jo poeti. Kjo s’është hiç e vërtetë. Ja, ai e gjeti te Kristoforidhi fjalën “gjeratore” dhe e futi pastaj te vjersha “Lundra dhe flamuri”. Po nga Naimi, sa fjalë të shenjta ka marrë Lasgushi, fjalë të gjuhës së zjarrtë. Se, siç e di, me fjalë poeti ngre vjershën, pa fjalë bota do të ishte memece. Lasgushi tërë jetën fjalës ia ka blatuar, edhe pse një kohë u mor me pikturë. Pikturonte dhe shkruante, shkruante dhe pikturonte. Vjershat e para i shkroi nëpër librat e letërsisë, që bënte në lice. E di që vjershën “Dritë fshehtësie” e ka shkruar me kalem në mes të fjalëve frënge të “Historia e letërsisë franceze”? Po përpara këtyre kish thurur një vjershë tek ikte nga Poradeci për në kurbet. E mbyti mallëngjimi dhe i dolën vetvetiu vargjet:

Dremit fshehtësisht Volorek
Pëndrit me yje ajo plot
O mjer kush prej saj u largua
Dhe nuk u këthye më dot!

Lasgushi student shkruante vjersha dhe vizatonte, bënte portrete me karbon në kartone të vogla. Pastaj dhe me ngjyra. Jo se e la pikturën, bile kur vajti në Bukuresht, hyri në Akademinë e Arteve, po kuptoi se më shumë se ngjyra e tërhiqte fjala. E pra, ishte poet, që do të thoshte që të bukurën do ta përcillte të tjerët me fjalë. Dhe fjala është çudia më e madhe e botës, mban gjithë ç’mendon e ndjen njeriu. E thotë Ungjilli: e para ishte fjala. Dhe është fjala që Llazarin e bëri Lasgush, fjala shqipe, që e mëkoi qysh në djep e ëma, murga Kostandina, po e mësoi pastajza më mirë dhe në librat që sillte në shtëpi Sotir Shqiptari. Kështu, fjala e gatuar me dritë perëndie, lindi te Lasgushi ato vjersha që i këndojnë sot e gjithë ditën kombit shqiptar!

3

Në verën e vitit 1962 kalova pushimet në Pogradec dhe atje pata rast të takohem e të qëndroj gati për ditë në shoqëri me Lasgushin. E takoja zakonisht në Turizmin e vjetër nën hijen e plepave, ndonjëherë në shtëpi, po nga bisedat e tij më kanë mbetur në kujtesë ato te kopshti me mollë i familjes së Çollakëve.

Nën degët e rënduara të mollëve rrinim e bisedonim me orë të tëra, po më shumë dëgjonim Lasgushin. Isha me Mark Gurakuqin, Gjergj Vlashin, Misto Markon dhe Qaniun, të zotin e shtëpisë, vëllain e Reshit Çollakut. Me Çollakët Lasgushin e lidhte një miqësi e vjetër familjare. Ai i cilësonte ata fis trimash, po jo më pak i quante të tillë dhe Gushot. Të dy fiset qenë dalluar për atdhedashurinë e tyre që nga Rilindja. Në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare Reshiti dhe kushëri i poetit, Koli Gusho, kishin rënë së bashku heroikisht në betejën e Pojskës. Lasgushi ndjehej më tepër se krenar për këtë. Kjo duket dhe në dy elegjitë e bukura kushtuar vëllezërve dëshmorë, Reshit e Muharrem Çollaku. Këto janë të vetmet krijime me motive bashkëkohore, që bënë të zgjohet muza e poetit në vitet e pasçlirimit. Mbaj mend që i kish për zemër dhe e kam dëgjuar disa herë duke i recituar me atë mënyrën e tij karakteristike, duke tundur njërën dorë e me zë të lartë. Përse nuk shkroi vjersha të tjera Lasgushi me tema të kohës, veç këtyre dy elegjive dhe disa vargëzime të rëndomta? E kam menduar shumë herë këtë gjë dhe them se nuk janë vetëm faktorët politikë e socialë, me të cilët spekulohet aq shumë sot. Ka plot arsye, sidomos të natyrës estetike e të psikologjisë artistike. Po fakti që ai trajtoi në vargjet e tij temën e Luftës Nacionalçlirimtare nuk ishte i rastit. Ai e çmonte këtë kohë për atdhedashurinë dhe sakrificat e popullit, për heroizmin e pashoq të partizanëve, për atë nder që iu bë Shqipërisë duke e radhitur në anën e fitimtarëve.

Tregimet e tij për Luftën i kam dëgjuar për herë të parë në Pogradec. Më pas, në Tiranë, m’i ka përsëritur të njëjtat episode, duke i dhënë ngjyrime e nuanca, që dinte t’ua jepte vetëm ai.

Njëherë mbaj mend të më rrëfente:

Në kohën e Luftës Lasgushi s’mund të luftonte. Ai s’ishte partizan. Partizanët luftonin, Lasgushi ishte poet. Një njeri si unë vetëm mund të ndihmonte. Jo se kisha frikë. Frikën s’e kam as në fis, as në karakter. Po për të ndihmuar, ndihmoja. Jepja para, bie fjala, aq sa mundja, po jo aq sa ma donte zemra. Shkoja në rrugën e “Kusit”, në shtëpinë e Trajan Pekmezit, dëshmor nga Poradeci, dhe jepja kontributin tim për partizanët. Po Lasgushi nuk jepte vetëm para. E ke dëgjuar emrin e Sabaudin Gabranit? Me të isha i lidhur unë. Kur iku për herë të fundit nga Tirana me një veturë të mbushur me bomba dhe e kapën fashistët, u nis nga shtëpia ime. Ç’nuk i bënë para se ta vrisnin, tortura nga më të dhembsurat që të tregonte, po ai nuk nxori asnjë fjalë për Lasgushin. Dhe Lasgushi, edhe pas kësaj s’u zmbraps. Përkundrazi, hyri në punë më të rrezikshme. Shkonte në pazarin e vjetër, te dyqani i Pekmezëve. Atje sillte armë nga Poradeci Tahiri, një mekanik trim, dhe unë i merrja të mbështjella me rrogoz. E pësoi pastaj i shkreti Trajan. E vranë mercenarët e Xhelal Staraveckës. Lasgushin nuk e ngiste njeri. Ata s’e dinin që unë nuk i doja fashistët. Një herë tjetër, pasi strehova ilegalë në shtëpi, shoqërova në makinë, me dokumenta të fallsifikuara, një të Nacionalçlirimtarres deri në Poradec. Lasgushi nuk mund të bënte ndryshe nga ç’bënte populli. Populli s’i trembet rrezikut. Dhe Lasgushi s’i trembet. Nuk iu tremba as Hilmi Lekës, një gazetari fashist, që drejtonte gazetën “Tomorrow”, ku unë botova historinë e kolonisë shqiptare të Bukurestit. Ai më ndërroi frazën “luftonin okupatorin turk” me fjalët “luftonin për Shqipëri”. I vajta në zyrë i zemëruar dhe e kapa pas spaletave (se ai rrinte i veshur me uniformë fashiste). Ai nxori revolen e desh të më kërcënojë, po ndërhynë dhe na ndanë. Kështu ia punova. Ama, Lasgushi s’e uli kokën.”

Njëherë tjetër ishim në klubin e shkrimtarëve, kur Lasgushi më rrëfeu një ngjarje, që i kish ndodhur gjatë ditëve të fundit të Luftës së Tiranës, në nëntor 1944. Një pasdreke vonë kish dalë të shëtiste. Lagjja e tij ishte çliruar nga partizanët dhe poeti mezi e mbante ngazëllimin e lirisë aq shumë të dëshiruar.

Megjithëse dëgjoja të shtëna, që binin në pjesën e paçliruar të Tiranës, – tregonte Lasgushi, – unë ecja. As që doja t’ia dija. Këtë ditë e kisha pritur. Veç kur dëgjoj thirrjen “Ndal”. Ngre sytë. Një patrullë partizane qëndronte mu përballë meje. Zëri i tyre ishte i ashpër, zë luftë. Dyshonin, ç’doja unë ashtu me bastun e republikë në kokë, si një borgjez i vërtetë, që sillesha vërdallë. Ua shpjegova, po atyre nuk iu mbush mendja. Më vunë në mes dhe më çuan drejt e në shtabin e madh partizan. Atje komandant ishte Mehmet Shehu. Unë nuk e njihja, po ai më njihte. E njihte poetin, prandaj, sa më pa, u ngrit në këmbë. Më dha dorën me respekt dhe më uli në krye të vendit. Pastaj thirri patrullën partizane dhe, me një zë të hakërrur, u tha: “Ç’keni bërë kështu, more shokë, ç’keni bërë!” Ata hapën sytë. “Po arrestohet poeti kombëtar! Ky është poeti kombëtar Lasgushi Poradeci. Turp të kini”. Pastaj m’u kthye mua: “Të na ndjeni, shoku Lasgush” dhe u shtrua për pak kohë me mua në muhabet. Bobo, ajo fytyrë e ashpërsuar nga lufta, me tërë ato armë në brez, erdhi e pastaj u zbut. E zbuti Lasgushi, që deshte paqe e dashuri kombëtare. Në fund i urdhëroi partizanët: “Kërkojnii ndjesë shokut Lasgush dhe e çoni drejt e në shtëpi me xhipa”. Dhe më zgjat doren si burri burrit. Partizanët e shkretë, të turpëruar, nuk dinin si të shfajësoheshin. Po unë u thashë: “Bravo, djema, se ju bëtë detyrën që u takonte”. Kur u ndamë te porta e shtëpisë, ku kishte dalë Nafija, gruaja e shkretë, gjithë merak e më priste, partizanët më nderuan me grusht. Kështu i ngjau Lasgushit.

4

Në fillim të viteve 70, kur u vendosën kontaktet e para me Kosovën, erdhi në Tiranë një grup poetësh e studiuesish nga Prishtina. Një ditë, duke shëtitur me disa prej tyre, u ndalëm në kafe “Tirana”. Sapo hymë, vura re në një cep të lokalit Lasgushin dhe ua tregova miqve. Ata shtangën menjëherë dhe pastaj më pyetën nëse kish mundësi ta takonin. Pa e zgjatur, iu afrova Lasgushit dhe ia thashë dëshirën e poetëve kosovarë. Ai reagoi me mënyrën e tij, lëvizi buzët pa thënë asnjë fjalë, por sytë ndërkaq i shkëlqyen dhe ktheu kokën nga ata. Ata, pa pritur përgjigje, qenë afruar dhe i kishin zgjatur dorën. Ishin të emocionuar dhe pak të hutuar. Si zunë vend, u bë një pauzë deri sa e mori fjalën Lasgushi.

Domethënë qenkëshit poetë! Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që e lanë jashtë kufijve të 13-s…

Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa te njeri te tjetri. Ishte vërtetë i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.

Sepse, ta dini ju, – vazhdoi poeti duke e ngritur zërin, – një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjuan veshët! Sepse ne vjersha “Poradeci” kam shkruar vargjet: “Duke nisur udhëtimin mespërmes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendauimit…” More, i paditur, t’i thuash, Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?

Të gjithë e miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Si u bë një heshtje, Lasgushi, që në kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë, mori të fliste prapë i gjallëruar e i gëzuar:

Domethënë, – pyeti rishtazi Lasgushi me një ton që s’merrej vesh mirë, – qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poetë paska Kosova! Ah, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashti nxjerr poetë!

Dhe me kokën ngritur lart zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në një çast poeti iu drejtua njërit prej tyre.

Po mirë, ti që je poet, ke tentuar ndonjëherë të vrasësh veten?

Plasi gazi, ndërkaq Lasgushi u bë serioz dhe nuk i hiqte sytë nga poeti Latif Berisha, që papritur u ndje ngushtë. Askush nuk dinte t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.

E po, – vazhdoi thuajse qortueshëm Lasgushi, – po nuk e pate provuar këtë, ta dish se nuk je poet!

U krijua një situatë e çuditshme, sa serioze aq dhe komike. Qeshnim, shikonim njëri-tjetrin me sy, po s’dinim ç’të thoshim.

Lasgushi, – mori fjalën prapë ai, po kësaj here me një seriozitet sugjestionues, – e ka provuar. Ka zbritur me revolver në bodrum, është ulur atje në cep, ka rënë në mendime, siç bie poeti, ka vënë plumbin në gojën e revoles dhe e ka drejtuar nga koka me gishtin në këmbëz. Është çasti kur Lasgushi dhe vdekja qëndrojnë ballë për ballë. Shihen sy në sy. Poeti i thotë vdekjes: “Ja ku jam. Nuk ta kam frikën”. Të gjitha këto, kur i bën Lasgushi, i bën me të vërtetë. E mbulojnë djersët, zemra i rreh me vertik dhe, vetëm si kalon këtë kalvar, ngjitet lart. Ngjitet i sigurt, me kokë përpjetë. Domethënë, është poet. Prandaj ju pyeta, a jeni poetë?

Pyetja mbeti pa përgjigje. Asnjë nuk foli, vetëm buzëqeshën. Buzëqeshën edhe Lasgushi, gjithë triumf e me kokën lart.

Jo, jo, – ndërroi bisedën Lasgushi, – më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kish vetëm trima, që mbushnin me zulme jo vetëm Kosovën, por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi… Kur suleshin ata mbi armiqtë, ndizej qielli dhe toka. Po Azem Galica? Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufe atje ku serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, po luftonte dhe në tokë të tij e për tokë të tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’i merrnin “Arbaninë e vogël”. Hajde, hajde, Azem Galica, kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behari i 1921-shit, kur shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastajzaj me tren mespërmes Kosovës. Atij trenit kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i gjatë ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisbardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhen dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e u thashë gjithë ngurtë se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjitha kjo zgjati si një ëndërr. Erdhen e ikën si era. Kapet era? Po për Lasgushin kjo erë mbeti një ëndërr skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e Universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju, kosovarët, trima përmi trima… Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?

Migtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq dhe u vunë në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri-tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin do qoftë dhe në një bisedë.

Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjat dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të porsanjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova.

Dhe Kosova, vite më vonë, i dha gëzime e nderë, që në Shqipëri ia jepnin me kursim dhe me një protokoll zyrtar. Atje iu botuan për herë të parë veprat e plota, u bënë studime të zgjeruara, vlerësime nga më të lartat, tepër entuziaste. Bile dhe e ftuan. Ai e priti gjithë qejf, bleu dhe një kapele të re republikë dhe ishte gati të nisej, por demonstratat e 81-shit bënë që vizita të anulohej. Megjithatë, Kosova e bëri poetin të përjetonte në pleqëri të thellë lavdinë e klasikut të gjallë përpara se kjo të ndodhte në Shqipëri.

5

Për herë të fundit kam ndenjur e biseduar me Lasgushin, më duket, ndonjë vit para se të ikte përgjithmonë. U ndodha atë verë për pushime në Pogradec, kur mora vesh se poeti kish qenë i sëmurë dhe shkova e takova në “kullë”. Ishte shtëpia e tij, një karakatinë që vinte nga sipër gjatoshë, që binte menjëherë në sy nga shtëpitë përqark e që gjithnjë më kish joshur dhe trishtuar. Me këtë gjendje të trazuar trokita disa herë, po askush nuk m’u përgjigj. Atëherë hapa derën vetë dhe ngjita shkallët gjysmë të errëta, që kërcënin nën këmbët e mia. Papritur më doli një nga vajzat dhe gjithë mirësjellje më futi në një dhomë të vogël. Aty në qoshe rrinte shtrirë, në një krevat metalik, poeti i drobitur, fytyrëzbehtë dhe me sy të thelluar. Dukej që kish lënguar. Më njohu menjëherë dhe u përpoq të ngrihej ndenjur. Foli diçka që s’e kuptova, por ndjeva që u gëzua nga ardhja ime. Më tha pastaj me një zë të lodhur se kish qenë i sëmurë keq, veç e kish hedhur dhe tani ishte më mirë. Ndenjëm në heshtje një copë herë, aq sa mendova të ngrihesha që të mos e shqetësoja, kur Lasgushi zuri të më qajë hallin e të bijës që e kishte mësuese në Poradec dhe donte t’ia transferonin në Tiranë. Unë i premtova se do ta ndihmoja, por ndërkaq isha disi i tronditur nga gjithë sa shihja. Një dhomë tmerrësisht e varfër, e zhveshur, e përhimët dhe ku drita binte e kursyer. Te koka e krevatit vura re një libër voluminoz, si të veshur me lëkurë, dhe e mora në dorë. “Janë poezi sanskrite, – dëgjova zërin e Lasgushit. – Të bukura sa s’ka, të mençura sa s’ka, të përjetshme sa s’ka. Të gjitha të vërtetat e njeriut dhe për njeriun janë thënë që në lashtësi. Ta dish nga unë këtë. Më pas vetëm janë përsëritur. Mendja e njeriut është bërë më e zgjuar, por shpirti ka mbetur po ai, me plot të mira e të këqija. O zot i madh, si ka mbetur po ai! Edhe burri, edhe gruaja, edhe plaku dhe fëmija. Njësoj si mijëra vjet më parë!”

Zëri i Lasgushit më duket sikur vinte nga larg, një zë plot fshehtësi, sugjestionues, që dashur pa dashur rrezatonte mistikën e shpirtit të tij aq të trazuar. Këtë gjë asnjëherë s’e kisha ndjerë sa në ato çaste dhe e quajta veten me fat që po e dëgjoja poetin të fliste kësisoj. Po kjo s’vazhdoi gjatë. Atij sikur iu sos fryma, e zuri një kollë e bezdisshme dhe e ndërpreu monologun. E bija i ngriti jastëkët prapa kurrizit dhe i dha diçka të pijë.

M’u desh përsëri të pres, s’di se sa, deri sa Lasgushi ta merrte veten. Vështrimi i tij derdhej i gjithi përpara, ndërsa bënte ca lëvizje e grimasa thua se kish rënë në jerm. Ndoshta ishte një ritual i poetit. Unë qëndroja i hutuar dhe vetëm prisja, i pushtuar nga keqardhja dhe druajtja se ç’mund të ndodhte. Po nuk ndodhi asgjë. Unë po bëhesha dëshmitar i një situate psikologjike, kur poeti jetonte krejt me vetveten dhe sikur fliste me veten.

Ah, murga Nafije, – pëshëriti Lasgushi, duke lidhur duart mbi gjoks, – iku në gjumë. Ra të flejë dhe s’u ngrit më. Nuk e besoja se kish vdekur. Vetëm kur i pashë që po e kllisnin në dhe, s’e mbajta veten dhe u thirra varrtarëve: “Qëndroni”. Dhe më kapi një e qarë, që vetëm unë e di. Të gjithë u çuditën kur e panë Lasgushin ashtu të qante me duar në kokë. Gjithë ky burrë qante si grua. Qaja, qaja, të gjorën Nafije, shoqen e jetës time, që po ikte e po më linte përgjithmonë. As unë s’e kisha ditur që kisha pasur aq dhembshuri. Po njeriu është pus…

U mundua të ngopej me frymë dhe ktheu kokën nga unë.

Të nesërmen, kur ishim vetëm, Leksi (Aleks Buda – N.J.) më pyeti: “Ç’pate djë ashtu? Unë të dija të fortë”. Kurse unë ia ktheva: “Edhe unë kështu kujtoja. Po ja që tjetër është shpirti, tjetër është huqi. E doja të gjorën! E di që hoqi nga huqet e mia, por shpirti e donte sa s’bëhet”. Kështu i thashë Leksit, i helmuar e i rverosur, – dhe si heshti shtoi gjithë mllef: – Asnjë që vjen në këtë botë, s’i shpëton asaj shtrige…

Pas sëmundjes që sapo kish kaluar dhe në moshën që kishte poeti, me sa duket e përjetonte për së gjalli vdekjen. E përjetonte shpirtërisht e filozofikisht, me një qetësi të admirueshme. Kalonte nga jeta në vdekje dhe nga vdekja në jetë. Po një çast m’u duk vetja si në përrallë. Kisha përpara një njeri-legjendë. Fytyra e vdekjes ishte fytyra e tij, e rrudhur, e drobitur dhe e mpakur, por te ajo qenie e çuditshme kish njëherësh diçka nga përjetësia. Nuk e di a ma jepte këtë mbresë pamja apo poezia e tij që më qe zgjuar vrullshëm përbrenda? Di që ndenja akoma një kohë përballë poetit, ashtu në heshtje, me një venerim të thellë, thua se nuk do ta takoja më. Dhe u ngrita, pa thënë pothuajse asnjë fjalë, duke i shtrënguar dorën dhembshurisht.

Ky ishte takimi im i fundit me poetin. Një lamtumirë e papërsëritshme, që bart emrin e Lasgushit.

Marrë nga libri: Koha e kujtimeve, Nasho Jorgaqi
 OMBRA GVG

Përgatiti: Tetova News