Ka ndërruar jetë një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të gazetarisë sportive në Maqedoninë e Veriut, Sami Ademi.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë opinionin publik, komunitetin sportiv, kolegët gazetarë, klubet sportive dhe shumë personalitete të jetës publike, të cilët gjatë gjithë ditës kanë shprehur dhimbjen dhe respektin për veprën e tij.
Sami Ademi konsiderohej ndër pionierët e gazetarisë sportive në gjuhën shqipe dhe një nga zërat më karakteristikë të kronikës sportive në vend. Për më shumë se katër dekada ai përcolli me profesionalizëm, pasion dhe përkushtim ngjarjet më të rëndësishme sportive, duke u bërë pjesë e pandashme e kujtesës së shumë gjeneratave të sportdashësve.
Karrierën e tij e ndërtoi kryesisht në Televizionin e Maqedonisë – TVM2, ku njihej si komentator, reporter dhe kronist sportiv me stil të veçantë. Zëri i tij karakteristik dhe mënyra unike e komentimit e bënë të dashur për publikun shqiptar kudo ku flitet shqip.
Pas lajmit për vdekjen e tij, rrjetet sociale u mbushën me mesazhe prekëse nga kolegë, sportistë, trajnerë, klube sportive dhe personalitete publike.
Gazetari Artan Ziberi e kujtoi Sami Ademin si “mësuesin e tyre në sport” dhe një njeri me shpirt të butë, i cili i hapi rrugën në gazetari që në ditët e para të punës.
Komentatori Iljasa Abazi rikujtoi bashkëpunimin shumëvjeçar në Redaksinë e Sportit pranë RTM-së dhe emocionet e transmetimeve sportive që kishin ndarë së bashku ndër vite.
Televizioni i Maqedonisë – TVM2, në reagimin e tij, theksoi se kontributi i Sami Ademit në gazetarinë sportive do të mbetet i paharruar, ndërsa pasioni dhe përkushtimi i tij do të kujtohen gjithmonë.
Kampioni olimpik Shaban Tërstena e quajti Sami Ademin “ikonë të gazetarisë sportive dhe komentator legjendar”, duke theksuar se ai për 45 vite jetoi me sportin dhe sportistët.
Edhe personalitete të tjera të sportit dhe jetës publike, si Aziz Salihu, Bilall Kasami, Besnik Ejupi, Safet Ademi, Shpëtim Nuredini, Faton Salihu dhe shumë të tjerë, shprehën ngushëllimet e tyre, duke vlerësuar rolin e tij të madh në afirmimin e sportistëve shqiptarë ndër vite.

Ngushëllime kanë shprehur edhe klube sportive, federata dhe shoqata të ndryshme, mes tyre KF Shkëndija, KF Shkëndija Haraçinë 77 dhe Klubi i Karatesë “Rinia” Mateç-Likovë.
Sipas njoftimeve të familjarëve, përcjellja e xhenazes do të bëhet nesër pas namazit të drekës në xhaminë e Çairit, ndërsa varrimi në varrezat e Butelit.
Me ndarjen nga jeta të Sami Ademit, sporti shqiptar dhe gazetaria sportive humbën një emër të madh, një profesionist të përkushtuar dhe një zë që për dekada shoqëroi emocionet sportive të publikut shqiptar.
U prehtë në paqe.















