U.d e drejtorit në Spitalin e Ferizajt Minire Alilaj-Beqiraj ka dhënë detaje për RTV21 lidhur me rastin tragjik të foshnjës që ndërroi jetë pas lindjes në Emergjencën e Ferizajt.
Ajo tha se pacientja me inicialet F.M., nga Prelezi kishte shkuar në spital bashke me familjarët e saj, me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, ndërsa menjëherë kishte kërkuar të hynte në tualet, ku më pas kishte kryer lindjen.
“Pacientja me inicialet F.M. nga Prelezi ka ardhur në Emergjencën e Ferizajt me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, e shoqëruar nga motra, nëna dhe babai. Menjëherë pasi ka ardhur, ajo ka kërkuar të hyjë në tualet, ku më pas ka kryer lindjen.”, tha Alilaj.
Sipas saj, dera e tualetit është hapur më vonë nga jashtë nga stafi, ndërsa foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.
“Pastaj dera është hapur nga jashtë nga stafi dhe familjarët. Kur kanë hyrë brenda, foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.”, shtoi ajo.
Mjekja tutje bëri të ditur se në vendngjarje ka qenë edhe neonatologia kujdestare, e cila kishte konstatuar se foshnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Foshnja ka qenë në hipotermi, e ftohtë, me tonus nën 100 dhe saturim nën 60. Është tentuar reanimimi emergjent, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë”, deklaroi ajo.
Sipas raportimeve të neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe kishte qëndruar për një kohë në tualet në temperaturë të ulët.
“Janë ndërmarrë menjëherë procedurat e reanimimit, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe dyshohet se pacientja i ka lëshuar ujë në banjo, duke e ftohur shumë foshnjën.”, shtoi ajo.
Gjendja shëndetësore e pacientës sipas gjinekologes është stabile.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës:
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt njofton opinionin publik lidhur me rastin e ndodhur më 06.05.2026 në hapësirat e Shërbimit Emergjent.
Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.
Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.
Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore.
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë.















