Ballina Kronika Detaje TRONDITËSE nga ngjarja në Ferizaj: Foshnja u gjet në koshin e...

Detaje TRONDITËSE nga ngjarja në Ferizaj: Foshnja u gjet në koshin e mbeturinave në tualetin e Emergjencës, Prokuroria heton rastin si “vrasje gjatë lindjes”

‘’Sipas  burimeve të Kosova Live, vajza 19 vjeçare kishte shkuar në emergjencën e spitalit të Ferizajt e shoqëruar nga një familjar vetëm për një kontroll mjekësor pasi kishte pasur dhimbje barku. Sapo është ndjerë më keq ajo ka hyrë në tualet, ku e vetme e ka lindur foshnjën, më pas ka dalë në korridor ndërsa një pjesëtar i stafit mjekësor ka shkuar në tualet dhe e ka gjetur foshnjën aty. Fillimisht e reja nuk ka pranuar se foshnja ishte e saj, por më vonë në prani të policisë e ka pranuar këtë’’, i është thënë Kosova Live, transmeton Tetova News. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet për një rast që e kanë cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur në Emergjencën e Ferizajt të hënën në mbrëmje.

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Ferizaj, ku një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën pasi ishte lindur në tualetin e Shërbimit Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt. Rasti, i cili tashmë po hetohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj si vepër penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, ka ngritur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 5 maj 2026. E dyshuara, një grua rreth 20-vjeçare, raportohet se kishte lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës së spitalit. Foshnja është gjetur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe ka ndërruar jetë pak kohë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas deklarimeve zyrtare të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt dhe raportimeve të mediave kosovare, pacientja ishte paraqitur në Emergjencë me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, pa deklaruar se ishte shtatzënë.
U.d. e drejtorit të spitalit, Minire Alilaj-Beqiraj, ka deklaruar për RTV21 se pacientja kishte ardhur e shoqëruar nga nëna, babai dhe motra, ndërsa menjëherë pasi kishte hyrë në spital kishte kërkuar të hynte në tualet.
Sipas saj, pacientja e kishte mbyllur derën e tualetit dhe kishte kryer lindjen aty.
Stafi mjekësor kishte dëgjuar zërin e foshnjës dhe kishte insistuar që dera të hapej. Pas hapjes së derës nga jashtë, stafi dhe familjarët kanë gjetur foshnjën në një shportë/kosh mbeturinash, në gjendje shumë të rëndë, ndërsa kordoni umbilikal ishte prerë dhe ndarë nga vetë pacientja.

Foshnja me hipotermi dhe me shenja ngulfatjeje

Sipas neonatologes kujdestare, foshnja ishte pranuar në gjendje kritike: e ftohtë, në hipotermi të rëndë, me tonus nën 100 dhe saturim nën 60.
Burime të mediave kosovare brenda spitalit kanë bërë të ditur se temperatura trupore e foshnjës ishte nën 32 gradë Celsius, ndërsa foshnja kishte qenë në termin të lindjes dhe me peshë rreth 3 kilogramë.
Gjinekologia Minire Alilaj-Beqiraj ka deklaruar se foshnja kishte edhe shenja të ngulfatjes. Sipas raportimeve të neonatologes, ekziston dyshimi se pacientja i kishte lëshuar ujë në banjo, duke e ftohur rëndë foshnjën.
Ekipi multidisiplinar i spitalit, me përfshirjen edhe të anesteziologut, kishte nisur menjëherë procedurat emergjente të reanimimit, por pavarësisht përpjekjeve intensive, foshnja nuk arriti të mbijetojë.

“Nuk e dija që isha shtatzënë”

Sipas raportimeve të KALLXO.com dhe burimeve të mediave kosovare brenda sistemit të sigurisë dhe spitalit, e dyshuara kishte deklaruar fillimisht se nuk kishte qenë në dijeni që ishte shtatzënë.
Ajo kishte pretenduar se kishte pasur cikël menstrual dhe nuk kishte kuptuar shtatzëninë deri në momentin e lindjes.
Prokuroria nis hetimet
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se ka iniciuar hetime për veprën penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, sipas nenit 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Në procedurë janë përfshirë edhe ekspertiza mjeko-ligjore dhe inspektorët shëndetësorë, ndërsa e dyshuara po trajtohet në repartin e Gjinekologjisë në Ferizaj.
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me Policinë, Prokurorinë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës:

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt njofton opinionin publik lidhur me rastin e ndodhur më 06.05.2026 në hapësirat e Shërbimit Emergjent.
Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.
Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.
Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore.
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë.