Ballina Kronika TRAGJEDIA QË TRONDITI MAQEDONINË: Stoançe Jovanovski dënohet me 12 vjet burg për...

TRAGJEDIA QË TRONDITI MAQEDONINË: Stoançe Jovanovski dënohet me 12 vjet burg për dhunën ndaj Ivanës dhe nxitje të vetëvrasjes – për herë të parë jepet aktgjykim i tillë në vend

Me një buzëqeshje në fytyrë, Stojançe Jovanovski priti dënimin me 12 vjet burg

Shkupi u përball sot me fundin gjyqësor të një prej rasteve më tronditëse të viteve të fundit, por edhe me hapjen e një debati të madh juridik e shoqëror për dhunën në familje dhe kufijtë e ligjit penal në Maqedoninë e Veriut.

Gjykata Themelore Penale në Shkup e dënoi Stoançe Jovanovskin me 12 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për tri vepra penale të lidhura me tragjedinë e 2 marsit 2026, kur humbën jetën bashkëshortja e tij Ivana Jovanovska dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare Katja, pas rënies nga ballkoni i banesës në Taftalixhe të Shkupit.

 

Jovanovski u shpall fajtor për:

Lëndim trupor në kuadër të dhunës në familje
Rrezikim të sigurisë
Nxitje dhe ndihmë në vetëvrasje

Për secilën vepër, gjykata shqiptoi dënimin maksimal të paraparë me ligj:

5 vjet burg për lëndim trupor
3 vjet burg për rrezikim të sigurisë
5 vjet burg për nxitje dhe ndihmë në vetëvrasje

Megjithëse totali i dënimeve arrinte në 13 vjet, gjykata, duke u bazuar në nenin 44 të Kodit Penal, i shqiptoi dënim unik prej 12 vjetësh burg, pasi ligji parasheh që dënimi unik nuk mund ta arrijë shumën totale të dënimeve individuale.

Gjyqtari Ivica Stefanovski deklaroi se ky rast ka hapur debat të madh publik për seriozitetin e dhunës në familje dhe nevojën për mbrojtje më të fortë të viktimave.

Sipas aktgjykimit, dhuna ndaj Ivanës kishte nisur prej vitesh dhe ishte intensifikuar pasi ajo ia kishte kaluar pjesën e saj të banesës Jovanovskit. Gjykata konstatoi se ai ushtronte vazhdimisht dhunë fizike, psikike dhe ekonomike ndaj saj, duke e poshtëruar, rrahur, kërcënuar dhe kontrolluar.

Në ditën tragjike, më 2 mars, sipas gjykatës, Jovanovski fillimisht e kishte sulmuar fizikisht Ivanën para shkollës “Nova” në Shkup. Dëshmitari Martin Sazdov kishte tentuar t’i ndajë, por dhuna kishte vazhduar edhe brenda automjetit, ku i akuzuari e kishte goditur me grushte dhe e kishte ngufatur derisa ajo humbi vetëdijen.

Gjykata konstatoi se Jovanovski vazhdimisht e kërcënonte Ivanën me fjalë të rënda, duke i thënë se do t’ia merrte vajzën, do ta nxirrte nga banesa dhe madje “do ta vriste” pasi të dilte nga burgu.

Sipas aktgjykimit, për shkak të kësaj dhune të vazhdueshme, Ivana kishte hyrë në gjendje të rëndë psikike, frike dhe ndjenje pafuqie. Vetëm pak minuta pasi mbeti e mbyllur në banesë me vajzën Katja, ajo u hodh nga terasa e katit të gjashtë.

Gjykata vlerësoi se vetëvrasja mund t’i atribuohet neglizhencës dhe sjelljes së të akuzuarit.

Ky rast shënoi precedent historik në sistemin juridik të vendit, pasi për herë të parë në Maqedoninë e Veriut një person u dënua për nxitje të vetëvrasjes përmes dhunës në familje.

Prokurorja Adela Bojçeviq, e cila udhëhoqi akuzën, deklaroi se gjykata shqiptoi maksimumin që lejon ligji, por shtoi se kjo tragjedi ka zbuluar boshllëqe serioze në politikën ndëshkuese.

Sipas saj, është e papranueshme që ligji të parashohë të njëjtin maksimum prej pesë vjetësh burg si për raste të lëndimeve trupore, ashtu edhe për raste ku dhuna përfundon me humbje jetësh njerëzore.

“Ky duhet të jetë moment reflektimi për ekspertët juridikë dhe ligjvënësit”, deklaroi Bojçeviq, duke kërkuar ashpërsim të dënimeve për veprën “nxitje dhe ndihmë në vetëvrasje”, sidomos kur ajo lidhet me dhunën afatgjate në familje.

Avokatja e familjes së Ivanës, Neda Çallovska, deklaroi se familja e konsideron dënimin të përshtatshëm dhe se ai dërgon mesazh të qartë se dhuna në familje nuk do të tolerohet.

Ajo theksoi se ky rast duhet të ndryshojë mënyrën se si institucionet trajtojnë rastet e vetëvrasjeve, duke hetuar nëse pas tyre qëndron dhunë familjare, kontroll psikik apo varësi ekonomike.

“Ky është një precedent shumë i rëndësishëm për shtetin”, deklaroi Çallovska.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor u prezantuan materiale audio dhe video, dokumentacion mjekësor, ekspertiza psikiatrike dhe dëshmi të shumta që, sipas Prokurorisë, dëshmonin model të vazhdueshëm dhune ndaj Ivanës.

Mbrojtja kërkoi lirimin e Jovanovskit, duke pretenduar se nuk ishte dëshmuar lidhja direkte mes veprimeve të tij dhe tragjedisë, por gjykata e hodhi poshtë këtë argumentim.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Jovanovskit iu vazhdua paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Vëmendje të madhe në opinion shkaktoi edhe fakti se i akuzuari e dëgjoi shqiptimin e dënimit me buzëqeshje në fytyrë, ndërsa nga salla e gjyqit u largua me pranga në duar dhe nën shoqërim policor.

Rasti i Ivanës dhe Katjës tashmë ka kaluar kufijtë e një tragjedie familjare. Ai është shndërruar në simbol të debatit për dhunën në familje, mbrojtjen institucionale të grave dhe nevojën për ndryshime më të ashpra ligjore në rastet kur dhuna përfundon me pasojat më të rënda – humbjen e jetës./Tetova News