Ballina Aktualitet “Puls”, tragjedia që tronditi vendin: Prokuroria prezanton prova të reja, monoksidi i...

“Puls”, tragjedia që tronditi vendin: Prokuroria prezanton prova të reja, monoksidi i karbonit shkaku kryesor i vdekjes së viktimave

Në gjykimin për zjarrin katastrofal në diskotekën “Puls” në Koçan, ku më 16 mars 2025 humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan, Prokuroria prezantoi prova materiale, fotografi nga vendi i ngjarjes dhe gjetje të reja për kushtet brenda objektit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku kryesor i vdekjes së shumicës së viktimave ka qenë helmimi me monoksid karboni, ndërsa cianidi, tymi, ajri i nxehtë, paniku dhe shtypja nga turma kanë vepruar si faktorë shtesë.

Në Gjykatën Penale ka vazhduar procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast janë të akuzuar 35 persona, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë. Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska.

Në seancat e fundit, Prokuroria Publike prezantoi prova materiale nga këqyrja e vendit të ngjarjes, fotografi nga objekti i djegur, si dhe gjetje nga ekspertizat teknike dhe mjeko-ligjore. Para Gjykatës u shfaq një album me mbi 90, përkatësisht 92 fotografi, të bëra gjatë këqyrjes së objektit më 16 mars 2025 dhe në ditët pas tragjedisë.

Fotografitë, sipas asaj që u prezantua në sallën e gjyqit, tregojnë një hapësirë të shkatërruar plotësisht nga zjarri: hi, atlete të shpërndara, rroba të djegura, brendësinë e objektit, vendosjen e skenës, dimensionet e dyerve, dritare të vogla me grila metalike, kulmin e djegur përmes të cilit shihej qielli, si dhe korridore të ngushta dhe dalje të kufizuara për evakuim.

Një nga elementet më të rënda të paraqitura nga Prokuroria është dera e pasme, e cila, në vend që të shërbente si dalje emergjente, ishte e mbyllur me dry. Sipas gjurmëve të konstatuara, ajo më vonë ishte hapur me forcë nga zjarrfikësit nga jashtë. Prokuroria po ashtu theksoi se në objekt kishte hidrantë bosh, dritare të mbyllura me gips-karton, hapësira me grila metalike dhe korridore të ngushta, të cilat e kanë vështirësuar evakuimin.

Objekti ku funksiononte “Puls” më parë kishte qenë repart prodhimi, por ishte shndërruar në diskotekë. Sipas gjetjeve të prezantuara, kushtet për lëvizje dhe dalje nga objekti kanë qenë të kufizuara dhe të pasigurta.

Prokuroria bëri të ditur se gjatë këqyrjes në objektin e djegur janë gjetur disa sende të lidhura me përdorimin e piroteknikës. Mes tyre janë përmendur një marrës i djegur për aktivizimin e pajisjeve piroteknike, një çantë e zezë shpine “Nike Jordan”, në të cilën kishte një valixhe plastike me dy marrës për aktivizimin e mjeteve piroteknike, një bateri nëntë voltëshe e markës “Philips” dhe një qese me mjete piroteknike të papërdorura.

Sipas aktakuzës, zjarri ka shpërthyer si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike nga grupi DNK gjatë koncertit në diskotekë. Në gjykatë u prezantua edhe një fontanë piroteknike e padëmtuar. Në specifikimin e saj ishte shënuar rrezja e spërkatjes, e cila, sipas Prokurorisë, ka qenë më e madhe se distanca ndërmjet skenës dhe tavanit.

Përfaqësuesi i Prokurorisë theksoi se mbi skenë kishte konstruksione metalike dhe konzola të vendosura në një lartësi ku distanca nga skena deri në tavan ishte vetëm 2,7 metra. Kjo, sipas Prokurorisë, tregon se hapësira ndërmjet pjesës skenike dhe elementeve të sipërme ka qenë shumë e vogël.

Në objekt janë gjetur edhe tre aparate zjarrfikëse bosh.

Një pjesë e rëndësishme e provave lidhet me materialet e përdorura në brendësi të objektit. Prokuroria theksoi se në “Puls” kishte materiale të djegshme dhe izoluese, si stiropor, pervol, gips-karton, elemente druri dhe sfungjer poliuretanik për izolim akustik. Sipas gjetjeve të prezantuara, këto materiale kanë kontribuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe në krijimin e gazrave toksikë.

Në gjykatë u tha se sfungjeri ishte blerë menjëherë para fillimit të punës së klubit në vitin 2012. Ekspertiza ka konstatuar se bëhet fjalë për material të djegshëm, i cili gjatë djegies krijon pika të nxehta.

Sipas ekspertizës së mikrogjurmëve, pika të tilla janë gjetur te një pjesë e viktimave, përfshirë edhe në xhaketën e këngëtarit të grupit DNK, Andrej Gjorgjievski. Në xhaketën e tij janë evidentuar edhe pika gjaku, të lidhura me veprimin e materialit të nxehtë.

Në disa raportime u theksua se në xhaketën e Andrej Gjorgjievskit janë gjetur pika materiali polimerik, përkatësisht poliuretani. Ky material përdoret si ngjitës, izolator dhe për qëllime të tjera, ndërsa gjatë djegies zhvillon temperaturë shumë të lartë dhe mund të lirojë materie toksike, përfshirë cianid.

Të mbijetuarit kanë dëshmuar se gjatë zjarrit mbi ta binin pika të nxehta nga tavani, ndërsa disa kanë përshkruar se fillimisht kishin parë diçka duke pikur dhe tavanin duke u shkrirë.

Sipas provave të Prokurorisë, kur ka shpërthyer zjarri në “Puls”, brenda objektit kishte rreth 600 persona. Nga zjarri, sipas gjetjeve të prezantuara, është zhvilluar temperaturë deri në rreth 800 gradë Celsius.

Paralelisht me provat materiale, në gjykatë janë prezantuar edhe gjetjet mjeko-ligjore për shkaqet e vdekjes së viktimave. Drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Aleksandar Stankov, deklaroi se shkaku kryesor i vdekjes te shumica e viktimave ka qenë helmimi me monoksid karboni.

Sipas gjetjeve të autopsisë dhe analizave toksikologjike, te 59 nga gjithsej 63 viktima është konstatuar asfiksi e dhunshme, e shkaktuar nga kombinimi i helmimit me monoksid karboni, asfiksisë ambientale dhe kompresive, si dhe dëmtimeve termike të organeve të frymëmarrjes. Te katër viktimat e tjera, shkaku i vdekjes ka qenë dëmtimi i mushkërive dhe djegiet e rënda.

Stankov shpjegoi se monoksidi i karbonit është gazi toksik më i shpeshtë në zjarret në hapësira të mbyllura. Ai e mbush shpejt ambientin dhe pengon transportin e oksigjenit në organizëm. Sipas tij, në rastin e “Puls”, monoksidi i karbonit ka qenë faktori dominues, ndërsa ajri i nxehtë, tymi, cianidi i hidrogjenit, mungesa e oksigjenit dhe presioni fizik nga turma kanë vepruar si faktorë shtesë.

“Shkaku dominues është monoksidi i karbonit, ndërsa ajri i nxehtë, tymi dhe thithja e cianidit kanë ndihmuar dhe kanë vepruar në mënyrë sinergjike”, tha Stankov, sipas raportimeve nga seanca.

Ai theksoi se cianidi i hidrogjenit ka pasur rol ndihmës, por jo parësor. Sipas tij, nëse cianidi do të kishte qenë shkaktari kryesor, numri i viktimave do të kishte qenë edhe më i madh.

Analizat toksikologjike treguan se te 33 viktima janë gjetur cianide në gjak. Në disa raportime është theksuar se cianidi i hidrogjenit është konstatuar në gjakun e 26 personave, ndërsa te pjesa tjetër janë konstatuar forma ose gjurmë të cianideve në nivele të ndryshme. Stankov sqaroi se përqendrimi i cianidit nuk duhet parë i izoluar në një rast kaq kompleks, pasi vdekja ka ardhur nga kombinimi i shumë faktorëve.

Sipas të dhënave të prezantuara në gjykatë, te 49 viktima është konstatuar prani alkooli në gjak, te 8 janë gjetur droga, ndërsa te 4 janë evidentuar sedativë ose antidepresivë. Megjithatë, sipas ekspertit, këto faktorë kanë pasur rol dytësor në raport me helmimin nga monoksidi i karbonit dhe kushtet ekstreme të zjarrit.

Stankov tha se rezultatet për praninë e monoksidit të karbonit janë përfshirë në raportet e autopsisë. Përqendrimi i karboksihemoglobinës në gjak ka ndryshuar nga rasti në rast: te 7 persona deri në 10 për qind, te 17 persona deri në 20 për qind, te 17 persona deri në 30 për qind, te 14 persona deri në 40 për qind dhe te 4 persona mbi 40 për qind.

Eksperti sqaroi se monoksidi i karbonit lidhet me hemoglobinën në gjak me afinitet shumë më të lartë se oksigjeni, duke penguar furnizimin e organeve me oksigjen. Ai lidhet edhe me mioglobinën në muskuj, duke shkaktuar dobësi muskulore dhe vështirësi në lëvizje. Simptomat bazë janë dhimbje koke, marramendje, të vjella dhe, në raste të rënda, vdekje.

Ai shtoi se zjarret në ambiente të mbyllura nuk mund të analizohen vetëm përmes një faktori. Në “Puls”, sipas tij, kanë vepruar njëkohësisht gazrat toksikë, ajri i nxehtë, tymi, mungesa e oksigjenit dhe shtypja nga turma në panik.

Në dëshminë e tij, Stankov foli edhe për asfiksinë kompresive, e cila zakonisht paraqitet në stampedo, kur presioni mbi gjoks, bark ose qafë e pamundëson frymëmarrjen. Ai sqaroi edhe asfiksinë ambientale, që nënkupton mbytje për shkak të uljes së përqindjes normale të oksigjenit në ajër.

Djegiet e rrugëve të frymëmarrjes, sipas ekspertit, kanë qenë një faktor i rëndësishëm. Ajri në hapësirën e përfshirë nga flakët ishte ngrohur në temperatura shumë të larta, duke shkaktuar dëmtime në mukozën e hundës, fytit dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Në gjykatë u lexuan edhe dëshmi të të mbijetuarve. Një nga dëshmitarët, Dario Trifunov, i cili ndodhet jashtë vendit dhe deklarata e të cilit u lexua në seancë, ka thënë se në “Puls” kishte shkuar edhe kur ishte i mitur dhe se aty kishte shumë të mitur. Ai ka deklaruar se para rinovimit objekti kishte edhe dy dyer shtesë, ndërsa më vonë kishte mbetur vetëm një hyrje-dalje kryesore.

Sipas tij, bileta për koncertin e DNK-së kushtonte 500 denarë, ndërsa nuk kishte marrë kupon fiskal. Ai ka deklaruar se biletat nuk griseshin nga sigurimi, por merreshin, vuloseshin vizitorët dhe më pas biletat ktheheshin te biletaria, ku, sipas dëshmisë së tij, shpesh rishiteshin.

Dëshmitari ka thënë se policia kishte hyrë në objekt para se të aktivizoheshin fontanat piroteknike dhe se këtë e kishte xhiruar me telefon, ndërsa xhirimin ia kishte dorëzuar Prokurorisë. Ai gjithashtu ka deklaruar se kishte filmuar fillimin e zjarrit dhe momentin kur tavani filloi të shkrihej.

Pas daljes nga objekti, ai ka treguar se kishte parë të rinj të djegur duke dalë jashtë, disa me flokë të shkrirë. Kur një shok i tij kishte dalë me djegie, sipas dëshmisë, një polic u kishte thënë: “Merreni me automjetin tuaj, kjo nuk është përgjegjësia ime”. Dëshmitari nuk ka mundur ta identifikojë policin që, sipas tij, kishte refuzuar të ndihmonte.

Në gjykatë u lexua edhe deklarata e Aleksandra Pepelarovskës. Ajo ka dëshmuar se i kishte rënë të fikët në korridor, ku njerëzit kishin rënë njëri mbi tjetrin. Sipas saj, pranë saj kishte katër fëmijë të rrëzuar njëri mbi tjetrin, ndërsa në ajër ndihej era e plastikës së djegur. Ajo ka treguar se jashtë kishte një furgon të ndihmës së shpejtë të mbushur plot, ndërsa policët, sipas saj, qëndronin pa ndihmuar. Më vonë ajo ishte dërguar në spital, pastaj në Shkup, në KARIL, më pas në Stamboll dhe sërish në Shkup në Klinikën e Pulmologjisë.

Seancat janë zhvilluar në atmosferë të tensionuar. Avokatja e të akuzuarit të parë Dejan Jovanov – Deko, Ivana Kocevska, kërkoi përjashtimin e publikut nga seanca, duke iu referuar kërcënimeve që, sipas saj, ishin bërë ndaj klientit të saj në seancën paraprake. Ajo kërkoi që këto kërcënime të shënohen në procesverbal.

Në seancën e mëparshme, gjatë shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes për heqjen e paraburgimit ndaj Jovanovit, një pjesë e të dëmtuarve kishin reaguar ashpër duke thirrur: “Lirojeni, që ne ta gjykojmë”. Kocevska tha se Prokuroria duhej të reagonte zyrtarisht për kërcënimet ndaj jetës së të akuzuarit dhe akuzoi për selektivitet në masat për sigurimin e pranisë dhe në ndjekje.

Gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska tha se deri më tani asnjë kërcënim nuk është shënuar në procesverbal, pavarësisht se nga cila palë ka ardhur, dhe nuk e përjashtoi publikun nga seanca. Ajo theksoi se, nëse paraqitet nevoja, mund të ketë përjashtime individuale.

Mbrojtja ka kontestuar edhe ekspertizën e Institutit për Mjekësi Ligjore dhe ka kërkuar përjashtimin e një pjese të provave, si dhe marrjen në pyetje të kryqëzuar të ekspertëve shtesë dhe angazhimin e këshilltarëve teknikë. Gjykata i refuzoi këto kërkesa si të pabazuara, ndërsa Prokuroria i vlerësoi reagimet e mbrojtjes si përpjekje taktike për zvarritjen e procedurës.

Procesi gjyqësor për “Puls” vazhdon me paraqitjen e provave materiale dhe dëshmive të tjera. Në vijim pritet të prezantohen edhe video-materiale nga vendi i tragjedisë, për të cilat është paralajmëruar se përmbajnë pamje shqetësuese.

Tragjedia në diskotekën “Puls” ndodhi më 16 mars 2025, gjatë koncertit të grupit DNK. Nga zjarri humbën jetën 63 persona, ndërsa 222 u lënduan. Sipas të dhënave të prezantuara deri tani në gjykatë, në objekt kishte qindra të rinj, dalje të kufizuara, materiale të djegshme, pajisje piroteknike dhe kushte që, sipas Prokurorisë, e bënë evakuimin të vështirë dhe pasojat fatale./TetovaNews