Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar në veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se janë kapur në një situatë intime gjatë orarit të punës, në një veturë zyrtare.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 maj, gjatë ndërrimit të pasdites, kur policëve u ishin ndarë detyrat dhe ishin nisur për në terren.
Burime të televizionit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për zyrtaren policore N.P., e cila shërben në polici që nga viti 2024, dhe zyrtarin policor R.T. Ata dyshohet se janë zënë duke kryer marrëdhënie intime në veturën zyrtare, pak kohë pasi kishin dalë në terren.
Për rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se ndaj policëve të stacionit të veriut janë marrë masa ndëshkuese për veprën e kryer.
Sipas raportimit, dy zyrtarëve policorë u është shqiptuar suspendim treditor dhe masë disiplinore, ndërsa njërit prej tyre i është ndryshuar edhe vendi i angazhimit. Sipas burimeve, kjo është bërë për arsye operative.
Rasti ka nxitur reagime për shkak të shkeljes së etikës profesionale dhe përdorimit të veturës zyrtare gjatë orarit të punës. Respektimi i etikës në detyrë konsiderohet një nga parimet bazë të punës në Policinë e Kosovës dhe pjesë e rëndësishme e përgatitjes së zyrtarëve policorë në Akademinë Policore.















