“Fillimisht do të ishte më e përshtatshme të thoshte, ashtu siç tha edhe për Marrëveshjen e Prespës, se Korniza Negociuese për hyrje në BE, pjesë e së cilës është edhe propozimi francez – madje më shumë se Marrëveshja e Prespës e garanton identitetin maqedonas si popull i veçantë dhe gjuhën maqedonase si përcaktuesin e tij kyç. Kjo arrihet pikërisht me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare.
Nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kanë drejtuar kritika ndaj presidentes Gordana Siljanovska-Davkova pas qëndrimeve të saj të shprehura gjatë vizitës në Slloveni, duke vlerësuar se ajo me deklaratat e saj po e dobëson pozitën e shtetit në procesin eurointegrues.
“Profesoresha Gordana Siljanovska-Davkova ra në provim në Slloveni”, thanë nga partia.
Nga LSDM theksojnë se, në vend që të mbështesë qartë obligimin evropian për përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, presidentja vazhdon me retorikë boshe.
“Fillimisht do të ishte më e përshtatshme të thoshte, ashtu siç tha edhe për Marrëveshjen e Prespës, se Korniza Negociuese për hyrje në BE, pjesë e së cilës është edhe propozimi francez – madje më shumë se Marrëveshja e Prespës e garanton identitetin maqedonas si popull i veçantë dhe gjuhën maqedonase si përcaktuesin e tij kyç. Kjo arrihet pikërisht me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e partisë.
Sipas LSDM-së, përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë është pjesë e procesit evropian dhe nuk paraqet kërcënim për identitetin maqedonas.
Në reagim thuhet gjithashtu se Kushtetuta dhe sistemi juridik njohin dhe realizojnë në mënyrë efektive të drejtat vetëm për komunitetet e përmendura në Preambulë, ku si shembuj përmenden përfaqësimi i drejtë dhe përdorimi i gjuhës si të drejta kolektive.
“Së dyti, Siljanovska në Slloveni tregon se Kushtetuta maqedonase parasheh të drejta për pakicat ‘në përgjithësi’, ndryshe nga kushtetutat e vendeve të tjera. Por kjo është retorikë boshe. Kushtetuta dhe sistemi juridik në mënyrë efektive i njohin dhe i realizojnë të drejtat vetëm për ato pakica që përmenden në Preambulën e saj. Për shembull, përfaqësimi i drejtë ose përdorimi i gjuhës (si të drejta kolektive) nuk zbatohen për kinezët, estonezët apo të tjerë, por vetëm për pakicat e përmendura në Preambulë”, thonë nga partia opozitare.
Prej aty vlerësojnë se interpretimi i të drejtave të pakicave dhe i Kushtetutës maqedonase nga ana e Siljanovska-Davkovës është zhgënjyeshëm i dobët dhe shtojnë se me këtë hapet hapësirë për bllokada të reja në rrugën evropiane të shtetit.
“VMRO-OKG dhe Siljanovska vazhdojnë ta përdorin temën e pakicave për propagandë të brendshme, e jo për zgjidhjen e obligimit evropian. Në vend që ta hapin derën drejt BE-së, ata e mbajnë të mbyllur për ta mbrojtur grupin e tyre kriminal nga drejtësia dhe përgjegjësia”, shtojnë nga LSDM.
Sipas partisë, pakicat në Kushtetutë nuk janë kërcënim, por zgjidhje për përparim drejt Evropës dhe forcim të identitetit maqedonas.
“Kushtetuta maqedonase garanton të drejtat e të gjitha pakicave”, i tha Siljanovska-Davkova ambasadorit bullgar në Slloveni
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë vizitës së saj shtetërore në Slloveni, sot mbajti ligjëratë në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Lubjanës me temën: “Transformimet kushtetuese në rrugën drejt BE-së: Reforma apo inxhinieri kushtetuese?”.
Në përgjigje të një pyetjeje nga ambasadori bullgar në Slloveni, Krasimir Bojanov, pas ligjëratës, ajo tha se Maqedonia e Veriut garanton të drejta më të gjera për pakicat sesa një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Edhe pa përmendje eksplicite të bullgarëve në Kushtetutën maqedonase, siç theksoi ajo, të drejtat e tyre garantohen në të njëjtin nivel si të drejtat e komuniteteve të tjera të përmendura në aktin më të lartë juridik.
Ndryshe nga ne, sipas Siljanovska-Davkovës, Bullgaria nuk garanton të drejtat e pakicave me nen të veçantë në Kushtetutë, por vetëm përmes një klauzole kundër diskriminimit mbi çfarëdo baze.
“BE-ja nuk ka politikë të përbashkët për të drejtat e pakicave dhe kjo nuk është pjesë e të ashtuquajturit acquis communautaire. Për shembull, Franca dhe Greqia janë shtete që as nuk e kanë nënshkruar Konventën për të Drejtat e Pakicave, as konventën për gjuhët rajonale dhe lokale. Shumica e vendeve anëtare të BE-së nuk kanë asnjë fjalë për të drejtat e pakicave në kushtetutat e tyre. Në Kushtetutën tuaj nuk ka garanci për të drejtat e pakicave. Këtë e keni vetëm në nenin 6, një klauzolë kundër diskriminimit që thotë se çdo qytetar është i barabartë, pa dallim gjinie, race apo përkatësie etnike dhe kombëtare”, iu përgjigj ajo ambasadorit bullgar në Slloveni.
Si një nga zgjidhjet e mundshme për kontestin me Bullgarinë, ajo përmendi mundësinë që ndryshimet eventuale kushtetuese të jenë të fundit dhe të hyjnë në fuqi pas përfundimit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, ekziston mundësia që një e treta e vendeve anëtare të kërkojnë nga Këshilli Evropian heqjen e të drejtës së votës së një shteti anëtar nëse ai shkel parimet dhe vlerat e Unionit.















