Ballina Bota Tregu gjerman i automobilave: Bonusi për makinat elektrike po gjallëron kërkesën

Tregu gjerman i automobilave: Bonusi për makinat elektrike po gjallëron kërkesën

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Kërkesa e blerësve privatë për makina elektrike po rritet ndjeshëm. Pesha e tyre në regjistrimet e reja është ngjitur në 34,5 për qind. Por a do të mbetet interesi po aq i lartë edhe pa mbështetjen shtetërore?

Kërkesa për automjete plotësisht elektrike me bateri po i jep hov tregut gjerman të automobilave. Sipas të dhënave të Autoritetit Federal të Transportit Motorik (Kraftfahrt-Bundesamt), në shtator u regjistruan rreth 88.600 makina plotësisht elektrike, krahasuar me 45.500 një vit më parë. Pesha e këtij lloji të sistemit të lëvizjes (BEV) në të gjithë tregun e automobilave u rrit nga 19,3 për qind në shtator 2025 në 34,5 për qind në shtator 2026.

Pesha e makinave hibride me karikim nga rrjeti (plug-in) ra lehtë, nga 11,8 për qind në shtator 2025 në 10,8 për qind në shtator të këtij viti. Megjithatë, në Gjermani, pjesa e automjeteve të pasagjerëve me mundësi karikimi nga rrjeti – të cilat në Kinë përgjithësisht klasifikohen si “automjete me energji të re” – arriti këtë shtator një nivel rekord prej 45,3 për qind.

Se sa shumë gjallërimi i tregut të makinave elektrike lidhet me kërkesën e blerësve privatë, shihet nga ndryshimi i raportit ndërmjet regjistrimeve komerciale dhe atyre private. Regjistrimet komerciale, ku përfshihen automjetet me qira, makinat e kompanive dhe automjetet demonstruese të shitësve, në shtator 2025 përbënin ende 65,8 për qind të tregut. Deri në shtator 2026, kjo pjesë kishte rënë në 59,7 për qind.

Mbështetje edhe për makinat elektrike kineze

Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit subvencioni i qeverisë federale për blerjen e makinave elektrike dhe automjeteve hibride plug-in, që arrin deri në 6.000 euro, u drejtohet vetëm blerësve privatë të makinave.

Fakti që subvencioni paguhet edhe për të gjitha automjetet e importuara po ndihmon tashmë në rritjen e pjesës së tregut të disa prodhuesve kinezë. BYD, furnizuesi më i madh kinez në Gjermani, me pak më shumë se 6.000 makina të reja të regjistruara në shtator dhe me 2,4 për qind të tregut të përgjithshëm, theksoi në një njoftim se pjesa e blerësve privatë te BYD kishte kaluar 65 për qind.

Constantin Gall, nga kompania e konsulencës EY, i sheh prodhuesit kinezë si fitues të zhvillimeve të fundit në treg. Koncernet gjermane, sipas tij, kanë humbur terren dhe tashmë mbajnë vetëm 54 për qind të tregut vendas.

Në tërësi, tregu gjerman i automobilave u rrit në shtator 2026 me 12,8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke arritur në 235.500 regjistrime të reja.

Kërkesa private: hov i përkohshëm apo ringjallje afatgjatë?

Gall e sheh primin shtetëror për makinat elektrike si motorin kryesor të tregut të automobilave. “Ai funksionon dhe madje fuqishëm”, tha ai.

Sipas Gall-it, bumi është blerë shtrenjtë me paratë e taksapaguesve dhe do të zgjasë vetëm për aq kohë sa të vazhdojë subvencionimi. Për koncernet e automobilave mbetet e vështirë të vendosin nëse tani duhet të rrisin kapacitetet për prodhimin e makinave elektrike apo nëse rritja e fortë e kërkesës private për këto modele do të rezultojë vetëm një hov i përkohshëm.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, regjistrimet e reja të makinave plotësisht elektrike në Gjermani arritën në 604.100, ndërsa ato të automjeteve plug-in në 247.500, bëri të ditur Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA).

Prodhimi i automobilave në Gjermani gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 arriti në 3,03 milionë automjete, ose katër për qind më pak se një vit më parë dhe 15 për qind më pak se në vitin 2019.

Sipas të njëjtave të dhëna, numri i makinave të eksportuara nga janari deri në shtator 2026 ishte 2,29 milionë, katër për qind më pak se një vit më parë.

Porositë për makina plotësisht elektrike, ndërkohë, u rritën me 66 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./F.A.Z.