Rumen Radev është zgjedhur kryeministër i ri i Bullgarisë, pasi Kuvendi Popullor e mbështeti qeverinë e re me 124 vota “për”, 70 “kundër” dhe 36 “abstenime”, duke i dhënë dritë jeshile formimit të kabinetit.
Pas betimit solemn dhe intonimit të himnit bullgar dhe atij evropian, një pjesë e deputetëve të partisë “Rilindja” e braktisën në mënyrë demonstrative sallën plenare.
Radev porositi se qytetarët i kanë dhënë fund krizës politike dhe se qeveria e re do të fokusohet në detyra urgjente, mes të cilave: miratimi i buxhetit, stabilizimi i pagesave, si dhe zgjedhja e një Këshilli të ri Gjyqësor Suprem dhe inspektorati. Ai theksoi se puna do të bazohet në parimet kushtetuese, ndarjen e pushteteve dhe sundimin e së drejtës.
Në përbërjen e qeverisë së re parashihen katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra. Ish-kryeministri teknik, Gallab Donev, do ta marrë funksionin e ministrit të Financave dhe zëvendëskryeministrit.
Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta drejtojë Velislava Petrova-Çamova, e cila paralajmëroi “diplomaci të qetë” dhe fokus në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Nga qarqet opozitare dhe evropiane po ndiqet me kujdes kursi i ri politik i qeverisë, sidomos në pjesën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve në rajon.















