Sot në Saraj hapet edicioni i 16-të i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Saraj Fest 2026”, një nga ngjarjet më të bukura dhe më të rëndësishme kulturore në këtë vend. Me fillim nga ora 14:00, Saraji do të shndërrohet në qendër të këngës, valles, traditës dhe trashëgimisë kulturore, duke bashkuar artistë, ansamble dhe dashamirë të folklorit nga vendi dhe më gjerë. Festivali do të mbahet nga 1 deri më 3 maj 2026, ndërsa më 2 dhe 3 maj programi do të fillojë nga ora 18:30, shkruan Portalb.mk.
Për tri ditë me radhë, Saraji do të shndërrohet në skenë të madhe të valleve, këngëve, kostumeve dhe traditave popullore, duke mirëpritur ansamble dhe artistë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera të rajonit.
Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performanca të shumta artistike, të cilat sjellin ngjyrat, ritmet dhe trashëgiminë kulturore të popujve pjesëmarrës. Festivali synon të ruajë dhe promovojë folklorin tradicional, por edhe të forcojë lidhjet kulturore mes vendeve të rajonit.
“Saraj Fest 2026” tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore, duke e bërë Sarajin për çdo vit një pikëtakim të artit popullor, miqësisë dhe trashëgimisë sonë të përbashkët.
Drejtori i Festivalit “Saraj Fest”, Azbi Shaipi, për Portalb.mk thekson se ky festival tashmë është kthyer në traditë të rëndësishme kulturore dhe çdo vit po vjen më i përgatitur e më i organizuar.
“Saraj Fest organizohet tashmë 16 vite me radhë dhe çdo vit që kalon jemi më të përgatitur dhe më të organizuar. Sivjet, ndryshe nga vitet e tjera, kemi edhe këngëtarë të ftuar, si vëllezërit Sejdiu dhe këngëtaren shqiptare nga Gjermania, Vlora Kastrati Shala”, deklaroi Shaipi.
Ai shtoi se kriteret kryesore të festivalit lidhen me cilësinë dhe përgatitjen e ansambleve pjesëmarrëse.
“Ansamblet duhet të jenë të kompletuara. Komisioni Artistik i festivalit i shqyrton kërkesat e ansambleve dhe vlerëson se cilat prej tyre do të jenë pjesëmarrëse në Saraj Fest”, tha Shaipi.
Sipas Shaipit, festivali ka ndikim të madh në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, këngës dhe valleve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë.
“Saraj Fest është festival ndërkombëtar. Çdo vit vijnë si mysafirë ansamble nga shumë shtete. Në 15 vitet e kaluara në këtë festival kanë marrë pjesë mbi 200 ansamble, gjë që dëshmon rëndësinë dhe vazhdimësinë e tij”, theksoi ai.
Si risi për këtë edicion, Shaipi përmendi pjesëmarrjen e ansambleve nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, si dhe disa ansambleve nga vendi, përfshirë ansamble shqiptare dhe dy ansamble maqedonase.
“Sivjet, për herë të parë në Saraj Fest, vjen edhe këngëtarja shqiptare nga Gjermania, Vlora Kastrati Shala”, përfundoi drejtori i festivalit, Azbi Shaipi.
Programi i edicionit të 16-të të festivalit “Saraj Fest”:
















