Një aksident i rëndë trafiku tronditi Maqedoninë e Veriut mbrëmjen e 21 majit, kur katër persona humbën jetën në qarkoren e Shkupit, në pjesën mes mbikalimit te Vizbegova dhe kyçjes Mirkovcë. Në mesin e viktimave janë baritoni i njohur Riste Velkov, solist i Operës dhe Baletit Nacional, djali i tij 20-vjeçar Adam Velkov, si dhe dy të rinj të tjerë.
Sipas informacioneve zyrtare të MPB-së, aksidenti është raportuar në ora 23:00 në SPB Shkup. Një kamion “MAN” me gjysmërimorkio dhe me targa të Kosovës, i drejtuar nga B.B. 76 vjeç nga Kosova, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka thyer gardhin metalik mbrojtës dhe ka kaluar në drejtimin e kundërt të autostradës.
Në atë moment, kamioni është përplasur drejtpërdrejt me një automjet “BMW” me targa të Shkupit, të drejtuar nga R.V. 51 vjeç nga Shkupi. Mediat më pas raportuan se bëhet fjalë për këngëtarin operistik Riste Velkov.
Përplasja ka qenë fatale. Nga goditja e fuqishme ka shpërthyer zjarr në të dy automjetet. BMW-ja është djegur plotësisht, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe kabinën e kamionit. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë, Ndihmës së Shpejtë dhe Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, të cilat kanë arritur ta shuajnë zjarrin.
Në vendin e aksidentit kanë humbur jetën shoferi i BMW-së, Riste Velkov, djali i tij Adam Velkov, 20 vjeç, P.M. 20 vjeç nga Shkupi, si dhe një person tjetër, po ashtu i ri, identiteti i të cilit fillimisht nuk ishte konfirmuar zyrtarisht. Sipas disa raportimeve, në automjet ndodheshin tre të rinj dhe babai i njërit prej tyre.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e katër personave në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit publik, trupat e viktimave janë dërguar për obduksion, ndërsa shoferi i kamionit është arrestuar dhe është mbajtur në stacion policor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shoferi i kamionit mund të ketë humbur vetëdijen nga lodhja pak para përplasjes, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Hetimi pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të aksidentit dhe përgjegjësinë eventuale penale.
Për shkak të këqyrjes së vendit të ngjarjes, qarkullimi në këtë pjesë të qarkores është ndërprerë dhe devijuar për disa orë. Trafiku është ridrejtuar nga ora 23:10 deri rreth orës 05:00, ndërsa qarkullimi është normalizuar në orët e hershme të mëngjesit.
Tragjedia ka prekur rëndë edhe botën e kulturës. Riste Velkov, i lindur në vitin 1975 në Shkup, ishte një nga baritonët më të njohur në vend dhe solist-prijës i Operës dhe Baletit Nacional. Ai njihej për interpretimet në produksionet belcanto dhe mbante epitetin “bariton italian me ngjyrë të kadifenjtë”.
Gjatë karrierës së tij, Velkov realizoi dhjetëra role operistike dhe më shumë se 15 role kryesore në opera të njohura botërore, si “Nabucco”, “Rigoletto”, “Macbeth”, “La Traviata”, “Aida”, “Carmen” dhe të tjera. Ai kishte interpretuar edhe jashtë vendit, përfshirë Japoninë, Serbinë, Rumaninë, Turqinë dhe Bullgarinë.
Opera dhe Baleti Nacional u shprehën me pikëllim të thellë për vdekjen e tij, duke e cilësuar si humbje të një artisti të jashtëzakonshëm, interpretuesi të lartë dhe njeriu që la gjurmë të thella në skenën operistike dhe në kulturën muzikore të vendit.
Vdekja e Riste Velkovit, e djalit të tij dhe e dy të rinjve të tjerë ka shkaktuar tronditje të madhe në opinion. Rasti mbetet nën hetim, ndërsa pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, MPB paralajmëroi se do të parashtrohet kallëzim përkatës./TetovaNews

















