Ballina Aktualitet Adnan Azizi: Historia nuk duhet të përdoret si armë politike

Adnan Azizi: Historia nuk duhet të përdoret si armë politike

Deputeti i VLEN-it dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Adnan Azizi, ka reaguar lidhur me debatet e fundit rreth figurave të luftës dhe përpjekjeve për t’i relativizuar apo mohuar kontributet e tyre për shkak të qëndrimeve politike aktuale, transmeton Tetova News.

Në një status publik, Azizi thekson se historia nuk duhet të bëhet peng i politikës së ditës dhe se meritat nuk mund të jepen apo të hiqen në varësi të simpative partiake. Ai shprehet se secili ka të drejtë të kritikojë qëndrimet politike të Dritan Goxhajt apo të babait të tij, gjeneralit Dilaver Goxhaj, por, sipas tij, kjo nuk mund të shërbejë si arsye për të mohuar apo shtrembëruar kontributet e dhëna në luftë.

Azizi paralajmëron se një praktikë e tillë është e rrezikshme, sepse dëmton jo vetëm individët që sulmohen, por edhe kujtesën kolektive dhe respektin për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për çështjen shqiptare.

Statusi i plotë i Adnan Azizit:

Kur do të mësojmë të sillemi me dinjitet dhe të mos e përdorim historinë si armë politike?

Është shqetësuese të shohësh se, për shkak të pozicionimeve politike të sotme, po tentohet të mohohen ose të zhvlerësohen kontributet që njerëzit kanë dhënë dje. Kjo është një praktikë e rrezikshme, sepse historia nuk mund të rishkruhet sipas interesave të momentit.

Nëse dikush nuk pajtohet me qëndrimet politike të Dritan Goxhajt apo të babait të tij, gjeneralit Dilaver Goxhaj, kjo është e drejtë e secilit. Në demokraci debatohen idetë dhe qëndrimet politike. Por është krejt tjetër gjë të mohosh ose të sulmosh kontributet e njerëzve në luftë vetëm sepse sot mbështesin një kauzë apo një protestë që dikujt nuk i pëlqen.

Nëse pranojmë që figurat e luftës të denigrohen sa herë ndryshojnë rreshtimet politike, atëherë nesër askush nuk do të mbetet i paprekur. Me të njëjtën logjikë mund të mohohet kontributi i kujtdo, pavarësisht rolit që ka pasur. Kjo nuk është politikë, por deformim i kujtesës kolektive.

Kontributi në luftë dhe vlerësimi i qëndrimeve politike pas saj janë dy çështje krejt të ndryshme. Dikë mund ta kritikosh ashpër për atë që thotë ose bën sot, por nuk ke të drejtë t’i fshish apo t’i shtrembërosh faktet historike.

Historia nuk duhet të jetë peng i politikës së ditës. Meritat nuk jepen e nuk hiqen sipas simpative partiake. Aty ku ka sakrificë dhe kontribut, duhet të ketë respekt. Ndërsa për bindjet politike të secilit, qytetarët kanë të drejtë të gjykojnë lirisht.

Mohimi i historisë për interesa politike nuk e dëmton vetëm një individ; ai dëmton kujtesën tonë kombëtare dhe respektin për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për çështjen shqiptare.