Ballina Aktualitet Kuvendi e votoi nevojën për miratimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të...

Kuvendi e votoi nevojën për miratimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të shkurtuar

Kuvendi, me 59 vota “për”, tre vota “kundër” dhe pa asnjë abstenim, votoi miratimin me procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, i cili është pjesë e agjendës reformuese.

Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i ngarkoi Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, si trup punues amë, dhe Komisionin Ligjvënës-Juridik që të mbajnë seancë për propozim-ligjin.

Propozimi në Kuvend është dorëzuar nga një grup deputetësh: Antonio Milloshoski, Zeqirija Tairi, Daniel Stojçevski, Blerim Bexheti dhe Ivanka Vasilevska. Me ndryshimet, ndër të tjera, parashihet votim elektronik për diasporën, ndërsa ka ndryshime edhe në pjesën e financimit shtetëror të partive.

Propozuesi, duke arsyetuar pse Kodi Zgjedhor duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, theksoi se për të është diskutuar katër muaj në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ku morën pjesë përfaqësues të partive politike, përveç LSDM-së, e cila fillimisht mori pjesë, por më pas u tërhoq.

“Në kuadër të këtyre diskutimeve u pajtuam për rreth 28 rekomandime të ODIHR-it, të cilat u pranuan me konsensus. Në grupin punues në Ministrinë e Drejtësisë për asnjë temë nuk pati mbivotim dhe gjithmonë u veprua me konsensus. Do të kemi mundësi që këto çështje t’i diskutojmë edhe gjatë seancës plenare, edhe gjatë seancës së komisionit”, deklaroi Milloshoski, duke arsyetuar propozimin.

Në lidhje me modelin zgjedhor, Milloshoski theksoi se numri më i madh i partive politike ishin për një njësi zgjedhore, por dy parti ishin për tetë, përkatësisht për tri njësi zgjedhore. Megjithatë, pasi nuk u arrit konsensus, mbeti zgjidhja aktuale me gjashtë njësi zgjedhore.

Sa i përket votimit të diasporës, Milloshoski sqaroi se është arritur konsensus që, sipas praktikës në Francë dhe Estoni, të mundësohet votim elektronik, i sigurt dhe i mbrojtur.

“Duhet të theksoj se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Entit Shtetëror të Revizionit, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe Komisionit Antikorrupsion ishte me ndihmë të madhe, sepse këto institucione dolën me rekomandimet e tyre, të cilat në pjesën më të madhe u pranuan, se si të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që këtyre institucioneve mund t’ua lehtësojnë zbatimin e zgjedhjeve, në kuptimin që ato të jenë demokratike, fer, transparente dhe efikase”, deklaroi Milloshoski.

Në lidhje me modelin për shfrytëzimin e mjeteve për reklamim zgjedhor, Milloshoski sqaroi se është arritur konsensus i njëzëshëm.

“Nuk pati asnjë parti që mbivotonte një parti tjetër, apo përfaqësues të partive politike që do të shpërfillnin propozimin e kolegëve të tjerë nga partitë politike. Vlerësoj se ky konsensus i arritur nga numri më i madh i partive politike që morën pjesë në Grupin punues në Ministrinë e Drejtësisë duhet të vlerësohet si një arritje solide dhe si avancim i normave të Kodit Zgjedhor”, porositi Milloshoski.

Milloshoski gjithashtu theksoi se ndryshimet e propozuara janë në përputhje me agjendën reformuese dhe se miratimi i Kodit Zgjedhor do ta bëjë atë të qëndrueshëm dhe të arsyeshëm për pesë, dhjetë dhe pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

“Në përputhje me këtë, konsideroj se do të ishte mirë që i njëjti të miratohet me procedurë të shkurtuar dhe të mbështetet me konsensus nga të gjitha partitë politike në Kuvend”, sqaroi Milloshoski.

Nënkryetari i Kuvendit informoi se seanca është thirrur në bazë të nenit 74, paragrafi dy, të Rregullores së Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi dhe institucionet e tjera të mund të funksionojnë pa pengesa.

Kuvendi e nisi seancën e sotme të 110-të pas një pauze njëorëshe, të kërkuar nga grupi parlamentar i LSDM-së.

Koordinatori i grupit parlamentar të së Majtës, Borislav Kërmov, reagoi ndaj mënyrës se si po miratohet Kodi Zgjedhor, duke akuzuar se opinioni është vënë në lajthitje me pretendimet se për tekstin është arritur konsensus i gjerë politik.

“Nuk është e vërtetë se keni pasur çfarëdo konsensusi nga partia E Majta për këtë dokument. Të gjitha këto janë gënjeshtra. Ne jemi sjellë në situatë që të pranojmë kush e di se çfarë, vetëm që të hidhni disa thërrime të vogla dhe pastaj të pretendoni se ka pajtim. Korrigjimi i zgjidhjeve jokushtetuese nuk është shërbim ndaj së Majtës, por detyrim juaji”, deklaroi Kërmov.

Para votimit të rendit të ditës, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, kërkoi që pika të hiqet nga rendi i ditës, duke theksuar se edhe para se të kërkonte pauzë kishte vënë në dukje se kjo zgjidhje ligjore gjithmonë deri më tani është miratuar me konsensus.

“Është e vërtetë se LSDM-ja filloi të punojë në grupin punues që ishte për përgatitjen e Kodit Zgjedhor, por duhet të rikujtojmë se e braktisëm atë në momentin kur ju, si shumicë parlamentare, vendosët ta ndryshoni Ligjin për Qeverinë, i cili gjithashtu është miratuar me konsensus. Në vetë grupin punues, që në fillim theksuam se miratimi i Kodit Zgjedhor duhet të bëhet ekskluzivisht me konsensus ndërmjet subjekteve politike”, sqaroi Spasovski.

Deputeti i së Majtës, Sashko Jançev, gjithashtu kërkoi heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës, duke theksuar se është evidente se nuk ka asnjë konsensus për çështjen e Kodit Zgjedhor.

Edhe deputetja Monika Zajkova kërkoi heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës, duke theksuar se ajo që po bëhet është një komplot klasik kundër qytetarëve, duke simuluar konsensus dhe duke e shtyrë ligjin përpara.

Deputetët, edhe pse votuan për secilin nga propozimet, në të tri votimet nuk e miratuan heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës së seancës së 110-të.

Kuvendi, me 57 vota “për”, e miratoi rendin e propozuar të ditës të seancës së 110-të, ku si pikë e parë dhe e vetme është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar.