Turqia duhet të përfshihet në të gjitha strukturat evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdogan, një javë para samitit kyç të NATO-s në Ankara, raportuan mediat botërore.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Evropa po përpiqet të rindërtojë mbrojtjen e saj përballë kërcënimit rus dhe rrezikut të tërheqjes së SHBA-së nga NATO-ja, ndërsa aleanca ushtarake po përgatitet për një samit të rëndësishëm në kryeqytetin turk më 7 dhe 8 korrik.
“Kontributi i pazëvendësueshëm i Turqisë për sigurinë evropiane ndonjëherë anashkalohet. Presim mbështetjen tuaj, deputetë, për përfshirjen e Turqisë në iniciativat e mbrojtjes dhe sigurisë të shpallura nga Bashkimi Evropian”, u tha Erdogan delegatëve parlamentarë nga të gjitha 32 vendet anëtare të NATO-s në Stamboll, duke theksuar se Turqia dëshiron të marrë pjesë në të gjitha iniciativat e mbrojtjes dhe sigurisë në kontinent.
Edhe pse Turqia teknikisht ka të drejtë t’i bashkohet iniciativës SAFE, për këtë kërkohet miratimi i të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së — diçka që Greqia ka kërcënuar se do ta bllokojë.
Lideri turk gjithashtu i bëri thirrje NATO-s të heqë të gjitha pengesat që bllokojnë tregtinë në industrinë e mbrojtjes mes vendeve anëtare të aleancës.
“Nëse duam t’i tejkalojmë sfidat me të cilat përballemi, duhet t’i heqim pengesat për tregtinë në industrinë e mbrojtjes dhe, njëkohësisht, të sigurojmë shpërndarje të balancuar dhe të drejtë të barrës mes aleatëve”, tha presidenti turk.















