Të dhënat personale të më shumë se 560.000 nxënësve dhe mësimdhënësve kroatë, përfshirë emrat dhe mbiemrat e tyre, funksionet, emrat e shkollave ku punojnë ose ku vijojnë mësimin, si dhe adresat e tyre zyrtare elektronike, janë publikuar. Hetimet se kush, si dhe me çfarë qëllimi e ka vjedhur dhe publikuar këtë bazë të madhe të dhënash janë në vazhdim, raportuan mediat kroate.
Rrjeti Akademik dhe Kërkimor Kroat, CARNet, thotë se menjëherë pasi ka mësuar për publikimin e bazës së të dhënave, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka nisur një analizë të gjerë teknike dhe forenzike.
“Ajo që për momentin mund të themi është se rezultatet preliminare tregojnë se të dhënat nuk janë marrë nga sistemet e CARNet-it, por ngjajnë me të dhëna nga sisteme të palëve të treta”, deklaroi Ana Smoljo, ndihmësdrejtoreshë e rrjetit.
Avokatja e Popullit për Fëmijët, Tatjana Katkiq Staniq, u bëri thirrje autoriteteve që të reagojnë shpejt.
“Presim që organet kompetente shumë shpejt të japin udhëzime shumë të qarta dhe t’i sigurojnë hapur të gjitha informacionet e nevojshme në raport me fëmijët, prindërit dhe shkollat”, tha ajo.
CARNet paralajmëron për rreziqe të mundshme.
“Ekziston rrezik i shtuar nga inxhinieria sociale, veçanërisht nga phishing-u, domethënë nga e-maile të rreme, në të cilat dërguesit paraqiten rrejshëm dhe kërkojnë të dhëna të veçanta, si kartela bankare, fjalëkalime e të tjera. U këshillojmë përdoruesve të mos u përgjigjen mesazheve të tilla, të mos hapin lidhje dhe shtojca”, shpjegoi Smoljo.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq vlerëson se dëmi në këtë rast nuk është shumë i madh.
“Me sa kuptoj, sipas asaj që më tha ministri Fuks, nuk ka të dhëna që do të ishin të ndjeshme. Këto janë adresa standarde elektronike të njerëzve që vijojnë shkollën. Pra, nuk ka asgjë veçanërisht të komplikuar. Njerëzit e dinë kush shkon në shkollë. Kjo nuk është sekret”, tha Plenkoviq.















