Ballina Aktualitet Dogana më të ulëta për 70 lëndë të para dhe materiale riprodhuese,...

Dogana më të ulëta për 70 lëndë të para dhe materiale riprodhuese, paralajmëroi Dimitrieska-Koçoska

Nga 1 korriku do të ketë dogana më të ulëta për 70 lëndë të para dhe materiale riprodhuese, paralajmëroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, pasi Kuvendi i miratoi ndryshimet e Ligjit për tarifën doganore.

“Ulja e normave doganore do të kontribuojë në uljen e shpenzimeve të kompanive, veçanërisht në industrinë përpunuese, dhe do të mundësojë kushte më të mira për prodhim dhe eksport. Masa synon forcimin e konkurrueshmërisë eksportuese të kompanive vendore, rritjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e hyrjeve më të larta valutore në shtet”, thonë nga Ministria e Financave.

Ndryshimet janë përgatitur në konsultim me odat ekonomike dhe përbëjnë vazhdimësi të reformave të nisura vitin e kaluar, kur më 1 korrik 2025 u realizua ulja e parë e normave doganore deri në 50 për qind të nivelit të normave doganore që vlejnë në Bashkimin Evropian.

“Nga 1 korriku, kompanitë do të kenë shpenzime më të ulëta për furnizimin me lëndë të para dhe materiale riprodhuese, gjë që drejtpërdrejt do të ndikojë në produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe potencialin e tyre eksportues. Qëllimi ynë është që kompanitë maqedonase të kenë kushte të krahasueshme me ato në Bashkimin Evropian, të investojnë më shumë, të hapin vende të reja pune dhe të krijojnë vlerë më të madhe të shtuar në ekonomi”, thekson ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Pritet që kjo masë të kontribuojë drejtpërdrejt në mbështetjen e industrisë automobilistike, industrisë së përpunimit të metaleve dhe metalurgjisë, si dhe të ketë ndikim pozitiv në rritjen e eksportit, hyrjeve valutore, investimeve dhe numrit të të punësuarve.