Shumica e njerëzve e dinë se gjatë vapës së madhe duhet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell dhe të pinë shumë ujë. Por, nëse ende nuk e keni përshtatur ushqimin me temperaturat e larta, ndoshta tani është momenti i duhur.
Gjatë valës së të nxehtit, ushqimi i duhur mund të ndihmojë në ruajtjen e nivelit të energjisë, të kontribuojë për hidratim më të mirë dhe të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si ndihemi, shkruan “The Telegraph” britanik.
Prandaj, nutricionistët rekomandojnë gjashtë lloje ushqimesh që duhet të kenë përparësi në dietë gjatë ditëve të nxehta, si dhe ushqime që është më mirë të shmangen.
1. Zgjidhni ushqime që hidratojnë
Gjatë ditëve të nxehta, trupi djersitet më shumë për t’u freskuar. Nëse nuk e kompensoni lëngun e humbur, shpejt mund të ndjeni simptoma të dehidratimit: përqendrim të dobësuar, lodhje mendore, dhimbje koke, nervozizëm dhe përgjumje.
Përveçse duhet të pini më shumë ujë, është e dobishme të konsumoni edhe ushqime të pasura me ujë, të cilat ndihmojnë në kompensimin e lëngjeve të humbura përmes djersitjes. Në fakt, rreth një e pesta e sasisë së përgjithshme ditore të lëngjeve merret pikërisht përmes ushqimit.
Shumë ushqime bimore përmbajnë sasi të lartë uji. Kastraveci, për shembull, përmban madje 96 për qind ujë, më shumë se çdo ushqim tjetër, ndërsa domatja përmban rreth 95 për qind.
Luleshtrydhet, pjepri, kërpudhat, portokallet dhe frutat e pyllit gjithashtu kontribuojnë për hidratim më të mirë, ndërsa njëkohësisht janë me pak kalori dhe të pasura me vitamina dhe fibra bimore.
2. Merrni burime natyrale të elektroliteve
Me djersitjen nuk humbim vetëm lëngje, por edhe elektrolite, të cilat kanë rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve dhe në funksionimin e rregullt të muskujve.
Elektrolitet janë minerale që, kur treten në ujë, mbajnë ngarkesë elektrike dhe marrin pjesë në rregullimin e shumë funksioneve në organizëm, përfshirë ekuilibrin e lëngjeve dhe transmetimin e impulseve nervore.
Ato janë të rëndësishme për kontraktimet muskulore, rregullimin e tensionit të gjakut, funksionimin e qelizave dhe krijimin e energjisë. Prandaj, kur jemi të dehidruar, përqendrimi bie ndjeshëm.
Edhe pse suplementet në pluhur me elektrolite janë bërë shumë të njohura dhe mund të jenë të dobishme gjatë djersitjes intensive, si për shembull gjatë ushtrimeve, nutricionistët këshillojnë që ato kryesisht të merren përmes ushqimit natyral.
Në këtë mënyrë, përveç mineraleve, merrni edhe fibra bimore, vitamina dhe antioksidantë, ndërsa rreziku nga marrja e tepruar e elektroliteve është më i vogël.
Avokadoja, bananet dhe domatet janë të pasura me kalium dhe magnez, ndërsa fasulet i përmbajnë të dy mineralet, si dhe kalcium.
Salca për sallatë nga lëngu i limonit, vaji i ullirit dhe kripa e detit gjithashtu kontribuon në marrjen e kaliumit, kalciumit dhe magnezit, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për njerëzit që shpesh kanë ngërçe.
3. Konsumoni ushqime që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës
Disa ushqime mund të ofrojnë një shkallë të caktuar mbrojtjeje natyrale nga rrezatimi ultravjollcë. Natyrisht, kjo nuk është zëvendësim për kremin me faktor mbrojtës, por dihet se shalqiri përmban antioksidantin likopen, i cili ndihmon në neutralizimin e radikaleve të lira që krijohen gjatë ekspozimit ndaj rrezeve UV.
Sipas disa hulumtimeve, efekt të ngjashëm kanë edhe polifenolet nga çaji jeshil.
Prandaj, gjatë vapës freskohuni me një copë shalqi ose shtojeni në sallatë, ndërsa gjatë ditës pini çaj jeshil. Nëse nuk dëshironi pije të nxehtë, lëreni të ftohet dhe shërbejeni me akull.
4. Zgjidhni vakte të ftohta
Ndezja e furrës ose shporetit e ngroh edhe më shumë shtëpinë, prandaj rekomandohen sallata të freskëta dhe ushqime të tjera që nuk kërkojnë përpunim termik.
Sot ekzistojnë edhe shumë ushqime të shëndetshme të konservuara, si qiqra të ziera, quinoa e gatshme, thjerrëza dhe lloje të ndryshme peshku.
Prej tyre, në kombinim me kastravecë, domate dhe sallata me gjethe të gjelbra, lehtë dhe shpejt mund të përgatisni një vakt të lehtë veror.
5. Provoni çaj menteje
Nëse keni ndjesinë se goja ju freskohet pasi konsumoni mente, kjo nuk është vetëm përshtypje.
Menta natyrshëm krijon ndjesi freskie sepse përmban mentol, i cili aktivizon receptorët e të ftohtit në gojë.
Hulumtimet tregojnë se mentoli aktivizon të njëjtët receptorë që aktivizohen kur jemi të ekspozuar ndaj temperaturave të ulëta. Edhe pse vetë nuk është i ftohtë, organizmi reagon sikur vërtet të ishte.
6. Pije të ngrohta edhe gjatë vapës
Edhe pse tingëllon e pazakontë, pijet e ngrohta mund të ndihmojnë gjatë valës së të nxehtit.
Pirja e një pijeje të ngrohtë e nxit djersitjen, ndërsa pikërisht djersitja është një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilëve trupi freskohet.
Efekt të ngjashëm mund të ketë edhe ushqimi pikant. Kapsaicina nga specat djegës, si dhe izotiocianatet nga rreni dhe mustarda, e “mashtrojnë” sistemin nervor që të mendojë se trupi është edhe më i nxehtë, duke nxitur djersitjen dhe më pas freskimin.
Nëse dëshironi të gatuani pa e ngrohur më shumë shtëpinë, shfrytëzojeni motin e mirë për skarë.
Marinoni mish ose hell me perime në salcë pikante dhe shërbejini me sallatë shtëpie me patate. Shtoni edhe perime të pasura me ujë që të qëndroni të hidratuar dhe të lehtësoni tretjen.
Çfarë duhet të shmangni?
Nutricionistët paralajmërojnë se gjatë vapës së madhe disa ushqime mund ta ngarkojnë edhe më shumë organizmin.
Para së gjithash, duhet të shmanget ushqimi ultra i përpunuar, sepse përmban shumë kripë dhe pak ujë, gjë që mund të kontribuojë në dehidratim. Në kushte të tilla, organizmi tërheq ujë nga qelizat, duke e rritur edhe më shumë rrezikun nga dehidratimi.
Gjithashtu, nuk rekomandohen as vaktet shumë të bollshme. Kur hamë ushqim të rëndë, trupi shpenzon më shumë energji për tretje, gjatë së cilës krijon nxehtësi shtesë. Shumë më mirë është të hahen vakte më të vogla, por më të shpeshta.
Pijet e ëmbëlsuara dhe ëmbëlsirat gjithashtu nuk janë zgjedhja më e mirë.
“Pijet e gazuara dhe të ëmbëlsuara, si dhe akulloret me shkop, e rrisin shpejt nivelin e sheqerit në gjak, pas së cilës pason një rënie e menjëhershme, për shkak të së cilës më vonë do të ndjeni edhe më shumë etje.”
Për ta zbutur këtë efekt, nutricionistët rekomandojnë që ëmbëlsirat të konsumohen menjëherë pas vaktit kryesor ose të zgjidhen alternativa më të shëndetshme.
Megjithatë, edhe me ushqime të tilla nuk duhet tepruar, ndaj herë pas here mund ta qerasni veten me akullore — freskimi i preferuar veror për shumë njerëz.















