Një grua 80-vjeçare ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën, pasi pësoi djegie të rënda të shkallës së tretë teksa qëndronte e shtrirë në diell në një pishinë publike në Arizona.
Betty Lou Summer nga San Tan Valley e kishte zënë gjumi në një karrige metalike, në temperatura më të larta se 45 gradë Celsius. Edhe pse kishte qenë e ekspozuar në diell më pak se një orë, ajo kishte humbur ndjenjat në shezlongun e nxehtë metalik, raporton Fox News.
Peshën e lëndimeve për mediat e konfirmoi vajza e saj, Michelle Gabbert, e cila përshkroi gjendjen në të cilën e gjetën nënën e saj.
“Ajo ishte djegur rëndë dhe kishte flluska në gjoks, krahë, këmbë, bark, duar dhe shputa”, tha vajza e saj, Michelle Gabbert.
Për shkak të seriozitetit të djegieve, mjekët u detyruan menjëherë të kryenin ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale për të shpëtuar një pjesë të indeve.
“Fillimisht menduam se kishte djegie të shkallës së dytë, por doli se kishte edhe djegie të shkallës së tretë, për të cilat ishte e nevojshme heqja kirurgjikale e plagës dhe transplantimi i lëkurës. Ajo u vendos në respirator dhe pësoi shok septik”, tha ajo.
Hetimi tregoi se karrigia e nxehtë metalike në të cilën kishte fjetur e kishte përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e saj, duke ia djegur lëkurën në vendet ku kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me metalin.
“Maja e gishtit të saj të vogël, që kishte prekur karrigen metalike, ishte zhdukur plotësisht. E gjithë maja e gishtit ishte zhdukur. Çdo pjesë e trupit që kishte prekur metalin e karriges ishte djegur plotësisht”, shtoi vajza e saj në një rrëfim prekës.
Nënës së saj iu diagnostikua edhe dëmtim serioz i mëlçisë dhe veshkave, pas çka, në gjendje kritike, u transferua në një qendër të specializuar për djegie në Phoenix.
“Kur e pashë në gjendjen në të cilën ishte, vërtet nuk mendova se do të mbijetonte”, tha vajza e saj.
Informacionet më të fundit mjekësore tregojnë një përmirësim të lehtë, pasi gruaja është hequr nga ventilatori, nuk është më në dializë dhe nuk ka dëmtim të trurit. Megjithatë, pritet të qëndrojë për një periudhë më të gjatë në kujdes intensiv.















