Ballina Kronika Mes dhimbjes dhe lotëve, Dobroshti i dha sot lamtumirën e fundit Qëndrim...

Mes dhimbjes dhe lotëve, Dobroshti i dha sot lamtumirën e fundit Qëndrim Sejdiut, policia jep detaje për aksidentin tragjik

Fshati Dobrosht i Komunës së Tearcës i dha sot lamtumirën e fundit Qëndrim Sejdiut, 31-vjeçarit që humbi jetën dje pas një aksidenti tragjik në një objekt në ndërtim e sipër.

Varrimi i të ndjerit u bë sot, më 30 qershor 2026, pas namazit të ikindisë, ndërsa familjarë, të afërm, miq dhe bashkëfshatarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut, vdekja e të cilit ka tronditur gjithë komunitetin, transmeton Tetova News.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2026. Rreth orës 12:05, pas informacioneve të marra paraprakisht, zyrtarët policorë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në një objekt në ndërtim e sipër pranë rrugës rajonale Tetovë–Jazinçë, afër fshatit Dobrosht.

Gjatë këqyrjes është konstatuar se në objektin në pronësi të R.A. (44) nga Dobroshti, personi Q.S. (31), po ashtu nga Dobroshti, gjatë kryerjes së detyrave të punës ka rënë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Pas aksidentit, ai është dërguar fillimisht në Spitalin Klinik të Tetovës. Për shkak të gjendjes së rëndë, më pas është përcjellë për në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.

Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer ekipet e SPB Tetovë, Inspektorati i Punës dhe Prokurori Publik. Me urdhër të prokurorit, trupi i të ndjerit është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Qëndrim Sejdiut ka shkaktuar dhimbje të madhe në Dobrosht. Xhamia e Epërme në Dobrosht, në emër të hoxhallarëve dhe Këshillit të Xhamisë, ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Sejdiu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan të ndjerin.

Në reagimin e Xhamisë së Epërme, Qëndrimi është kujtuar për sjelljen e mirë, respektin ndaj të tjerëve, modestinë dhe përkushtimin në rrugën e së mirës.

“Ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga kjo botë të të riut dhe vëllait tonë, Qëndrim Sejdiut”, thuhet në njoftim.

Me fjalë prekëse kanë reaguar edhe miq dhe bashkëfshatarë, të cilët kanë shkruar se Dobroshti nuk humbi vetëm një djalë të ri, por edhe një shok, një mik dhe një zemër të mirë.

Për këtë humbje ka reaguar edhe Daut Memishi, i cili në emrin e tij personal dhe në emër të banorëve të Komunës së Tearcës ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Qëndrim Sejdiut ka lënë dhimbje të madhe te familja Sejdiu dhe gjithë fshati Dobrosht, ku sot iu dha lamtumira e fundit mes pikëllimit dhe lutjeve.

Ngushëllime të sinqerta familjes Sejdiu, të afërmve, miqve dhe gjithë fshatit Dobrosht. 

Njoftimi i sotëm i policisë:

Më 29.06.2026 në ora 12:05, pas informacioneve të marra paraprakisht, zyrtarët policorë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në një objekt në ndërtim pranë rrugës rajonale Tetovë–Jazhincë, afër fshatit Dobrosht.

Është konstatuar se në objektin në pronësi të R.A. (44) nga fshati Dobrosht, punëtori Q.S. (31), po ashtu nga Dobroshti, gjatë kryerjes së detyrave të punës ka rënë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ai është transportuar në Spitalin Klinik të Tetovës, e më pas në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku u ka nënshtruar plagëve.

Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer ekipet e SPB Tetovë, Inspektorati i Punës dhe Prokurori Publik, me urdhër të të cilit trupi është dërguar për autopsi.