Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku një 32-vjeçar u gjet pa shenja jete në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”.
Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa sipas raportimeve mediatike bëhet fjalë për personin Florim Haxhidema.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, më 28.06.2026, rreth orës 22:50, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informatën se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu”.
Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet reaguese të Policisë, hetuesit e stacionit, të mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH). Po ashtu, në vendngjarje kanë dalë hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe Prokurori i Shtetit për Krime të Rënda.
Vdekja e 32-vjeçarit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë, të cilat pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B., 48 vjeç, ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza A.R., 24 vjeçe.
Policia ka njoftuar se A.R. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në njoftimin fillestar të Policisë, rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”. Mirëpo, më vonë gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se e ka kualifikuar rastin si vepër penale “Vrasja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, e dyshuar për vrasjen është A.R., 24 vjeçe, ndërsa ajo është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

“Lidhur me këtë rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Vrasja’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, M.B., babai i së dyshuarës dhe pronari i banesës ku ndodhi ngjarja, po ashtu është ndaluar për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes eventuale të tij në rast.
Sipas raportimeve mediatike, M.B. është Muhamet Begisholli, ndërsa A.R. është Arjeta Roshaj. Bashkëshortja e M.B., përkatësisht nëna e A.R., në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares.
Klan Kosova ka raportuar nga vendi i ngjarjes se fillimisht ishte dyshuar se vrasjen e kishte kryer 48-vjeçari, por sipas Prokurorisë, e dyshuar kryesore del të jetë 24-vjeçarja.
Po sipas raportimit nga vendi i ngjarjes, bazuar në informacionet e para, e dyshuara thuhet se kishte përjetuar dhunë nga viktima. Këto pretendime mbeten pjesë e hetimeve dhe ende nuk ka një konfirmim përfundimtar zyrtar për motivin e ngjarjes.
Në disa raportime të mëhershme u përmend se 24-vjeçarja ishte dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, por Klan Kosova raportoi se ajo nuk ka qenë në atë repart.
Trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, po ndërmerr veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Hetimet pritet të sqarojnë motivin, raportin mes viktimës dhe të dyshuarës, pretendimet për dhunë të mëhershme, mënyrën e përdorimit të armës së zjarrit dhe rolin eventual të personave të tjerë që ndodheshin në banesë.
Personat e përmendur në këtë rast prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.















