Një rast i rëndë kriminal ka tronditur qytetin Bursa në Turqi, ku një grua 69-vjeçare po gjykohet nën akuzën se ka vrarë bashkëshortin e saj, Ali Fuat Uzunoğlu, 77 vjeç, ish-polic i pensionuar, më pas e ka ndarë trupin në pjesë dhe i ka hedhur ato në kontejnerë mbeturinash.
E pandehura, Adalet Uzunoğlu, doli para Gjykatës së 9-të të Krimeve të Rënda në Bursa, ku ndaj saj është ngritur aktakuzë për veprën “vrasje e qëllimshme e kualifikuar ndaj bashkëshortit”. Prokuroria kërkon dënimin e saj me burgim të përjetshëm të rënduar.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 28 janar 2026, në lagjen Selamet të ilçes Osmangazi, në rrugën İzzet, në katin e tretë të një ndërtese trekatëshe. Sipas raportimeve turke, dy katet e para të objektit ishin bosh, ndërsa çifti jetonte në katin e sipërm.
Fillimisht, rasti nuk u paraqit si vrasje, por si zhdukje. Më 30 janar, rreth orës 21:30, Adalet Uzunoğlu shkoi në polici dhe deklaroi se bashkëshorti i saj kishte zbritur dy ditë më parë për të parë kush kishte rënë ziles në hyrje të shtëpisë, por nuk ishte kthyer më. Pas këtij denoncimi, policia nisi kërkimet për Ali Fuat Uzunoğlu.
Kur ekipet policore shkuan në banesë për të marrë më shumë informacione nga bashkëshortja dhe për të kryer kontrolle, aty gjetën telefonin celular, portofolin dhe letërnjoftimin e Ali Fuat Uzunoğlu. Prania e sendeve personale të tij në shtëpi ngriti dyshime se versioni i dhënë nga gruaja nuk përputhej plotësisht me rrethanat e zhdukjes.
Dyshimet u shtuan edhe më shumë pasi Adalet Uzunoğlu dha përgjigje kontradiktore ndaj pyetjeve të policisë. Me urdhër të Prokurorisë së Bursës, hetimet iu kaluan Njësisë së Vrasjeve pranë Drejtorisë së Sigurisë Publike. Në banesë u dërguan edhe ekipet e këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Gjatë këqyrjes, në apartamentin e çiftit u gjetën gjurmë gjaku në hyrje, në një prizë elektrike, në lavaman, si dhe në mjetet prerëse që ndodheshin në shtëpi. Në disa pjesë të banesës u gjetën edhe gjurmë indesh biologjike. Banesa u përshkrua në raportimet turke si e papastër dhe e lënë pas dore.
Mostrat biologjike, së bashku me satërin dhe thikën, u dërguan për ekspertizë në Laboratorin Rajonal Kriminalistik të Policisë në Bursa. Ndërkohë, Adalet Uzunoğlu u vendos nën ndjekje teknike dhe fizike. Raporti kriminalistik konfirmoi se gjaku dhe indet e gjetura i përkisnin Ali Fuat Uzunoğlu, ndërsa gjurmët e gishtërinjve në mjetet prerëse ishin të Adalet Uzunoğlu.
Pas daljes së raportit kriminalistik, më 3 prill u ndaluan Adalet Uzunoğlu, dy djemtë e saj, Ferhat U. 48 vjeç dhe Murat U. 50 vjeç, si dhe vëllai i saj, M.Ö. 65 vjeç. Gjatë marrjes në pyetje në polici, Adalet Uzunoğlu mohoi se e kishte vrarë bashkëshortin, por pranoi se e kishte copëtuar trupin.
Sipas deklaratës së saj në polici, ajo pretendoi se kur ishte zgjuar në mëngjes, e kishte gjetur burrin të shtrirë pa lëvizur pranë shkallëve. Ajo tha se kishte menduar se ai kishte rënë nga shkallët dhe kishte vdekur, por ishte frikësuar se autoritetet do ta akuzonin se e kishte shtyrë ose se kishte shkaktuar vdekjen e tij.
“U frikësova se do të mendonin se e kisha shtyrë dhe se faji do të binte mbi mua”, ishte thelbi i mbrojtjes së saj në polici dhe në gjykatë. Ajo pranoi se më pas e kishte ndarë trupin në pjesë me satër dhe thikë dhe i kishte hedhur qeset në kontejnerë të ndryshëm pranë shtëpisë.
Më 5 prill, Adalet Uzunoğlu u dërgua para gjykatës dhe u la në paraburgim nën akuzën për “vrasje me dashje”. Dy djemtë e saj dhe vëllai u liruan me masë kontrolli gjyqësor.
Në aktakuzën e pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda thuhet se Adalet Uzunoğlu akuzohet për “vrasje të qëllimshme të kualifikuar ndaj bashkëshortit”. Sipas aktakuzës, ajo dyshohet se pas vrasjes ka ndërmarrë veprime sistematike për të fshehur gjurmët dhe për të penguar zbulimin e krimit.
Një nga detajet më të rënda të aktakuzës lidhet me mënyrën e fshehjes së provave. Sipas mediave turke që i referohen dosjes hetimore, Adalet Uzunoğlu kishte shtruar qese për të mos u përhapur gjaku gjatë copëtimit të trupit, kishte fshehur rroba të përgjakura në pjesën e shkarkimit të tualetit dhe kishte zgjedhur kontejnerë jashtë këndit të kamerave të sigurisë.
Në gjykatë, e pandehura përsëriti pretendimin se nuk e kishte vrarë bashkëshortin, por se e kishte gjetur të pajetë. Ajo deklaroi se kishte pritur për orë të tëra, me shpresën se ai do të përmendej, por më pas, sipas saj, nga frika kishte vendosur ta ndajë trupin në pjesë.
“U frikësova se vdekjen do ta hidhnin mbi mua. Në vendin ku kishte vdekur shtrova qese dhe e preva me nacak, e ndava në pjesë”, deklaroi ajo në sallën e gjyqit.
E pandehura tha se procesi kishte zgjatur rreth pesë deri në gjashtë orë. Sipas saj, pjesët i kishte vendosur në disa qese dhe gjatë natës i kishte hedhur në kontejnerë të ndryshëm në rrugën ku ndodhej banesa dhe në zonat përreth.
“Për shkak se ishte ngurtësuar, gjaku ishte mpiksur dhe nuk rridhte. Procesi zgjati rreth 5-6 orë. Pjesët i vendosa në disa qese dhe natën i hodha në mbeturina të ndryshme”, ka deklaruar ajo, sipas raportimeve nga seanca gjyqësore.
Deklarata që shkaktoi më së shumti tronditje ishte përgjigjja e saj kur u pyet nga trupi gjykues nëse ishte vështirësuar gjatë këtij veprimi. Adalet Uzunoğlu tha se më parë kishte prerë kurban në shtëpi dhe për këtë arsye, sipas saj, nuk ishte vështirësuar.
“Meqë në shtëpi e pres unë kurbanin, e preva lehtë, nuk ishte e vështirë”, tha ajo në gjykatë.
Pas ngjarjes, sipas rrëfimit të saj, ajo kishte larë rrobat, kishte pastruar veten, ndërsa qeset dhe mjetet e përdorura i kishte hedhur në mbeturina. Gruaja tha se nga frika nuk u kishte treguar asgjë djemve, prandaj familja më vonë kishte bërë denoncimin për zhdukjen e babait.
Në mbrojtjen e saj, Adalet Uzunoğlu pretendoi se për dekada kishte qenë viktimë e sjelljes së keqe të bashkëshortit. “Mbi mua kishte 40-50 vjet vuajtje”, tha ajo në gjykatë. Në një moment tjetër, kur gjykata e pyeti pse nuk kishte deklaruar se burri kishte rënë vetë, ajo tha se “i kishte hyrë djalli në mendje”.
Në proces dëshmuan edhe dy djemtë e çiftit. Ferhat U. deklaroi se pjesëtarë të xhamisë i kishin telefonuar familjes, duke u thënë se babai nuk kishte shkuar si zakonisht dhe se nuk po mund të kontaktohej. Pas kësaj, familjarët nisën kërkimet.
Ai tha se kishin kërkuar kudo, por nuk kishin gjetur asnjë gjurmë. Më pas në rast ishte përfshirë njësia e vrasjeve, e cila kishte marrë në pyetje gjithë familjen.
“Në fund hyri në veprim njësia e vrasjeve dhe na morën të gjithëve në polici. Më pas na thanë se nëna ime e kishte pranuar këtë. Nga shtëpia nxorëm 13 kamionë mbeturina. Nuk po flasim për një njeri normal, prandaj nuk ankohem”, deklaroi Ferhat U.
Djali tjetër, Murat U., tha se pas rrëfimit të nënës kishte përjetuar tronditje të madhe. Djemtë e çiftit nuk paraqitën ankesë ndaj nënës së tyre.
Një detaj tjetër i rëndësishëm i hetimeve është pamja e fundit e Ali Fuat Uzunoğlu para vdekjes. Sipas raportimeve të DHA, ai është parë në kamerat e sigurisë më 28 janar, në orën 00:18, duke dalë nga xhamia pas një mevludi, me një lëng frutash në dorë.
Po ashtu, është zbuluar se një ditë para arrestimit, më 4 prill rreth orës 15:00, Adalet Uzunoğlu është dërguar në vendngjarje për të bërë vend-tregim. Nën shoqërimin e prokurorit dhe policisë, ajo ka treguar rrugën dhe kontejnerët ku pretendonte se kishte hedhur pjesët e trupit. Këto momente janë regjistruar nga kamera sigurie e një banese aty pranë.
Megjithatë, sipas raportimeve, ekipet e këqyrjes nuk arritën të gjejnë pjesë të trupit në kontejnerët e kontrolluar në rrugën ku ndodhej shtëpia dhe në zonat përreth. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm rolin e provave biologjike të gjetura në banesë, të cilat u kthyen në bazë kyçe të hetimit.
Avokati i të pandehurës kërkoi që klientja e tij t’i nënshtrohet vlerësimit të gjendjes mendore, duke pretenduar se ajo nuk është në gjendje të rregullt psikike. Mbrojtja kërkoi që para vazhdimit të procesit të përcaktohet nëse Adalet Uzunoğlu është penalisht e përgjegjshme për veprimet e saj.
Pas dëshmive dhe kërkesave të palëve, trupi gjykues vendosi që e pandehura të merret nën vëzhgim për përcaktimin e gjendjes së saj mendore. Seanca u shty për një datë tjetër, ndërsa Adalet Uzunoğlu mbetet në paraburgim.
Nga aspekti hetimor, rasti ka disa pika kyçe: denoncimi fillestar për zhdukje, gjetja e sendeve personale të viktimës në banesë, gjurmët e gjakut dhe indeve, ekspertiza kriminalistike që i lidhi ato me Ali Fuat Uzunoğlu, shenjat e gishtërinjve të të pandehurës në mjetet prerëse, si dhe deklaratat e saj kontradiktore. Të gjitha këto elemente e kthyen rastin nga një zhdukje e raportuar në një dosje të rëndë vrasjeje.
Nga aspekti gjyqësor, çështja pritet të përqendrohet në dy drejtime kryesore: së pari, nëse Prokuroria do të arrijë të provojë se Adalet Uzunoğlu e ka vrarë bashkëshortin; së dyti, nëse gjendja e saj mendore ndikon në përgjegjësinë penale. Mbrojtja e saj e pranon copëtimin e trupit, por mohon vrasjen, ndërsa Prokuroria pretendon se vrasja dhe veprimet për fshehjen e gjurmëve janë pjesë e të njëjtit zinxhir kriminal.
Rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik turk, jo vetëm për shkak të natyrës së rëndë të krimit të dyshuar, por edhe për shkak të deklaratave të të pandehurës në gjykatë, pretendimeve për dhunë shumëvjeçare në familje, heshtjes së djemve për të mos u ankuar ndaj nënës dhe mënyrës se si një denoncim për zhdukje u shndërrua në një nga dosjet më të rënda kriminale të Bursës./Tetova News















