Ballina Bota Ora atomike e zhvilluar në Turqi u lëshua në hapësirë

Ora atomike e zhvilluar në Turqi u lëshua në hapësirë

Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacır, njoftoi se Ora Atomike me Rubidium, e cila ka rëndësi vendimtare për sistemin rajonal të pozicionimit dhe matjes së kohës, një ndër objektivat strategjikë të Programit Kombëtar Hapësinor, është lëshuar në hapësirë. Ai bëri të ditur se është marrë me sukses edhe sinjali i parë nga anija kozmike.

Kacır publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me Orën Atomike me Rubidium dhe punën që Turqia po zhvillon në këtë fushë.

Duke shpjeguar se orët atomike e matin kohën me saktësi jashtëzakonisht të lartë, duke marrë si pikë referimi frekuencat e qëndrueshme të lëkundjeve, ose rezonancën, ndërmjet niveleve energjetike të atomeve dhe elektroneve, Kacır tha se atomi i rubidiumit kalon ndërmjet niveleve të ndryshme energjetike 6 miliardë e 834 milionë e 682 mijë e 610 herë në sekondë.

Duke tërhequr vëmendjen te lëshimi në hapësirë i orës së parë atomike vendase të Turqisë, Kacır deklaroi:

“Ora Atomike me Rubidium, e cila ka rëndësi kritike për sistemin rajonal të pozicionimit dhe matjes së kohës, një ndër objektivat strategjikë të Programit tonë Kombëtar Hapësinor, u lëshua me sukses në hapësirë në kuadër të misionit ‘Transporter-17’ të kompanisë SpaceX. Nga anija kozmike u mor me sukses edhe sinjali i parë.”

Ora atomike do të kontribuojë në shumë teknologji kritike

Kacır theksoi se Ora Atomike me Rubidium, e cila përbën një moment historik për projektet e ardhshme, është zhvilluar tërësisht në Turqi nën udhëheqjen e Agjencisë Turke të Hapësirës, TUA.

Instituti Kombëtar i Metrologjisë i TÜBİTAK-ut, UME, ka qenë kontraktori kryesor i projektit, ndërsa zhvillimi është realizuar në bashkëpunim me TÜBİTAK Space dhe İTÜNOVA.

Sipas ministrit, ora atomike do të kontribuojë në zhvillimin e shumë teknologjive kritike, duke filluar nga komunikimet dhe navigimi, deri te kërkimet shkencore dhe sistemet satelitore.

Ai nënvizoi se Ora Atomike me Rubidium do të testohet dhe verifikohet në kushtet e hapësirës në bordin e një sateliti kubik. Ky proces përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve vendase të Turqisë në teknologjitë hapësinore të matjes së kohës dhe të frekuencës.

Kacır deklaroi:

“Falë të dhënave që do të sigurohen, do të fitohet përvojë dhe njohuri e vlefshme për zhvillimin e teknologjive të orëve atomike me saktësi të lartë, të cilat në të ardhmen do të mund të përdoren në sistemet satelitore, infrastrukturën e komunikimeve, aplikacionet e navigimit dhe misionet shkencore hapësinore.

I përgëzoj të gjithë kolegët që kanë kontribuuar në këtë projekt, i cili është një tregues i rëndësishëm i vizionit tonë për zhvillimin e teknologjive vendase dhe kombëtare në ekosistemin hapësinor.

Me përfundimin me sukses të misionit ‘Transporter-17’ të SpaceX-it, Turqia do t’u bashkohet vendeve që zotërojnë teknologji të orëve atomike të testuar dhe të verifikuar në hapësirë.

Në këtë mënyrë, kjo teknologji kritike, e cila deri më tani sigurohej nga jashtë vendit, do të zhvillohet me kapacitete kombëtare. Prodhuesit e satelitëve do të përfitojnë avantazhe në kosto dhe furnizim, ndërsa varësia nga jashtë do të zvogëlohet.

Përvoja e fituar në kuadër të projektit në fushat e inxhinierisë, testimit dhe operimit do të forcojë gjithashtu kapacitetet e Turqisë për zhvillimin e sistemeve satelitore të brezit të ardhshëm dhe të teknologjive hapësinore.”