Ekonomisti Maximilian Kasy dëshiron ta çmitizojë inteligjencën artificiale dhe ta bëjë debatin rreth saj më racional. Ai flet për matematikën, IA-në si instrument pushteti – dhe përse nuk beson se tregu mund ta rregullojë këtë çështje.
Profesor Kasy, a keni frikë nga inteligjenca artificiale?
Kam frikë nga ajo që mund të bëhet me inteligjencën artificiale. Shpesh tregohet një histori e caktuar, madje me dëshirë edhe nga vetë përfaqësuesit e industrisë: se ne qenkemi tërhequr në një luftë të njeriut kundër makinës dhe se korporatat e mëdha të IA-së janë mbrojtëset heroike të njerëzimit. Mendoj se ky është një mistifikim i rrezikshëm. Inteligjenca artificiale është një mjet për arritjen e një qëllimi. Asaj mund t’i caktohen qëllime nga më të ndryshmet – dhe kjo bëhet gjithmonë në mënyrë shumë eksplicite.
Përse?
Në sfondin e çdo sistemi të IA-së qëndron një funksion numerik objektiv, të cilin dikush e ka zgjedhur. Prandaj pyetjet vendimtare janë: Kush e kontrollon IA-në, për interesat e kujt dhe mbi bazën e cilave burime?
Çfarë nënkuptoni konkretisht me këtë?
Merrni fushat më të ndryshme të përdorimit. Çfarë page merr një shofer i Uber-it? Kur i lejohet atij apo asaj të punojë? Kur aplikoni për punë në një kompani të madhe, sot shpesh një sistem i IA-së vendos se kush ftohet në intervistë pune. Kur hyjmë në internet, algoritmet e motorëve të kërkimit dhe të rrjeteve sociale vendosin se cilat lajme shohim, cilat fakte rreth realitetit na paraqiten. Këto janë ndërhyrje të përditshme me pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Pastaj ekzistojnë edhe përdorime më ekstreme.
Cilat?
Në Shtetet e Bashkuara, agjencia e emigracionit ICE përdor një sistem të quajtur Immigration OS, të zhvilluar nga Palantir. Ai ka si qëllim të shprehur vendosjen e një milion njerëzve në qendra ndalimi dhe deportimin e tyre – mbi bazën e të gjitha të dhënave që i ka në dispozicion shteti. Kjo nuk është fantashkencë, po ndodh pikërisht tani.
Maximilian Kasy ka studiuar matematikë dhe ekonomi në Vjenë dhe Berkeley dhe që nga viti 2022 është profesor në Universitetin e Oksfordit. Ai merret me kërkime mbi inteligjencën artificiale dhe pabarazinë. Tani botohet libri i tij “Die Mittel der Prädiktion” (“Mjetet e parashikimit”) nga shtëpia botuese Suhrkamp.
Sapo keni shkruar një libër për IA-në me titull “Die Mittel der Prädiktion – Wie KI wirklich funktioniert (und wer davon profitiert)” (“Mjetet e parashikimit – Si funksionon vërtet IA-ja dhe kush përfiton prej saj”). “Prädiktion” do të thotë parashikim, prandaj titulli tingëllon i matur, pothuajse si një kundërvënie ndaj debatit të trazuar për IA-në.
Unë vij nga matematika dhe teoria statistikore e të mësuarit makinerik. Ajo që përpiqem të bëj në libër është të shpjegoj disa parime themelore që do të vazhdojnë të vlejnë edhe pas njëzet vjetësh, edhe nëse hollësitë teknike ndryshojnë nga dita në ditë. Dhe këtu, para së gjithash, bëhet fjalë për çmitizimin e gjithë kësaj. Në rrëfimet ekstreme, IA-ja shndërrohet shumë shpejt në një entitet pothuajse hyjnor. Por, po të hapësh një tekst universitar, gjërat janë shumë më të zakonshme.
Në ç’kuptim?
Gjithmonë bëhet fjalë për optimizim. Kjo vlen si për sistemet klasike të IA-së të viteve tetëdhjetë, ashtu edhe për modelet më moderne gjuhësore të vitit 2026. Në aspektin matematikor ekziston një funksion objektiv, një hapësirë veprimesh të mundshme dhe një bazë informacioni. Pastaj sistemi optimizon.
Por modelet gjuhësore si ChatGPT duken shumë ndryshe nga modelet më të vjetra statistikore. Me to mund të flasësh për Shpërthimin e Madh dhe për ushqimin e shëndetshëm – në të njëjtën bisedë.
Kjo është e vërtetë. Mjetet e parashikimit janë zgjeruar në mënyrë masive, në thelb eksponencialisht, gjatë njëzet viteve të fundit. Një nga arsyet kryesore pse po i shohim këto sisteme tani dhe jo që në vitet nëntëdhjetë, nuk është se metodat janë thelbësisht të ndryshme. Arsyeja është se të dhënat e trajnimit u bënë të disponueshme në një shkallë krejtësisht tjetër, mbi të gjitha përmes zhvillimit të internetit. Këtë e pamë fillimisht në njohjen e imazheve, rreth njëzet vjet më parë, dhe gjatë gjashtë viteve të fundit te modelet gjuhësore të IA-së.
Pra, kush kontrollon fuqinë kompjuterike dhe të dhënat, kontrollon IA-në?
Po. Kontrolli mbi fuqinë kompjuterike dhe të dhënat do të thotë kontroll mbi këto sisteme. Dhe kontrolli nënkupton: Kush i merr përfitimet ekonomike? Kush merr vendimet se çfarë duhet të optimizohet? Kush vendos nëse sfera publike do të organizohet në mënyrë që të maksimizohen klikimet mbi reklama, apo sipas kritereve të tjera? Kjo nuk është diçka e paracaktuar nga vetë teknologjia.
Ndërkohë ka pasur dhe vazhdon të ketë një sërë përplasjesh ligjore mes kompanive të IA-së dhe palëve të tjera lidhur me pyetjen nëse këto kompani kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme të dhëna. Megjithatë, po forcohet përshtypja se sistemi juridik është tepër i ngadalshëm për këtë teknologji. A është kështu?
Nevojiten një numër i madh mekanizmash për të arritur një kontroll më demokratik mbi burimet intelektuale që ka prodhuar i gjithë njerëzimi – në mënyrë që ato të përdoren në interesin e përgjithshëm. Një zhvillim që aktualisht duket gjithashtu shumë premtues është shfaqja e gjithnjë e më shumë të ashtuquajturave modele “open-weight”, pra IA që është më transparente dhe publikisht e aksesueshme dhe që, për më tepër, në shumë raste vjen nga Kina.
Përse ndihmon kjo?
Këto modele, për nga aftësitë e tyre, shpesh janë vetëm disa muaj pas produkteve kryesore komerciale dhe mund të ritrajnohen për qëllime lokale dhe të përdoren në mënyrë të pavarur. Kjo minon përpjekjet e laboratorëve të mëdhenj të IA-së për të krijuar një dominim monopolist.
Ju kërkoni më shumë kontroll demokratik mbi sistemet e IA-së. Kë keni parasysh – kush duhet të vendosë?
Në kuptimin abstrakt, ata që preken nga vendimet e një sistemi. Kjo mund të jetë një distrikt shkollor lokal, një qytet, një komunitet interesi që nuk është domosdoshmërisht i përcaktuar gjeografikisht. Se si duhet organizuar kjo, nuk është një pyetje e thjeshtë. Demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në zgjedhjet kombëtare që mbahen çdo disa vjet. Dhe, natyrisht, nuk mund të funksionojë ashtu që të gjithë të vendosin vazhdimisht për gjithçka dhe të duhet të jenë ekspertë për çdo çështje.
Çfarë propozoni?
Një formë institucionale që e konsideroj premtuese janë këshillat qytetare: njerëzit përzgjidhen rastësisht nga rrethi i personave të prekur, marrin qasje në ekspertizë dhe kohë për t’u këshilluar, dhe më pas marrin vendim. Për shembull, për këtë pyetje: A duhet që sfera jonë publike në një rrjet social të organizohet në mënyrë që të sigurohen sa më shumë të ardhura nga reklamat? Apo kemi kritere të tjera?
Kjo nuk është një pyetje e parëndësishme.
Por është një pyetje që nuk duhet t’ua lëmë thjesht Mark Zuckerbergut dhe Elon Muskut. Dua të shtoj diçka: Disa kompani të IA-së vetë kërkojnë kontroll demokratik. Por ajo që nënkuptojnë me këtë janë grupe fokusi, ku produktet e reja testohen te konsumatorët. Kjo, megjithatë, nuk është e njëjta gjë me pjesëmarrjen e vërtetë në vendimmarrje të njerëzve që preken prej saj.
Përse nuk u besoni mekanizmave klasikë të tregut në këtë rast?
Sepse vendimet e IA-së nuk ndjekin as logjikën e tregut, as logjikën tradicionale shtetërore. Këto sisteme funksionojnë duke grumbulluar informacion, jo përmes një mekanizmi çmimesh, por përmes mbikëqyrjes dhe grumbullimit të të dhënave. Dhe këtu ekziston ajo që ekonomistët e quajnë eksternalitete të të dhënave.
Domethënë?
Kur mblidhen të dhëna për mua, kjo ka pasoja për shumë të tjerë. Dhe anasjelltas. Ideja se unë kam kontroll mbi të dhënat e mia personale, siç përpiqet ta rregullojë për shembull GDPR-ja, ndihmon pak nëse të dhënat e mia kanë pasoja për të gjithë të tjerët. Njëlloj sikurse e drejta për të kontrolluar emetimet e mia personale të CO₂ nuk mjafton për ta ndalur ndryshimin klimatik.
Pak më konkretisht, ju lutem.
Nëse, për shembull, unë bëj të ditur se kam një sëmundje të caktuar, një algoritëm mund të mësojë se edhe njerëz të tjerë që më ngjajnë mua ndoshta e kanë atë sëmundje – dhe më pas, ndoshta, t’i përjashtojë ata nga një sigurim. Ose nëse unë jam i gatshëm të pranoj një punë me pagë të ulët, algoritmi mund të mësojë që edhe njerëzve të tjerë që më ngjajnë mua t’u ofrojë një pagë më të ulët.
Çfarë reformash konkrete propozoni?
Tre hapa.
Së pari: Kur përdoren sisteme automatike vendimmarrjeje, përdoruesit e tyre duhet të jenë të detyruar të bëjnë publike se cilat janë funksionet objektive të këtyre sistemeve, cilat vendime mund të marrin dhe mbi cilat të dhëna trajnimi bazohen. Nëse i njohim këta përbërës bazë, dimë një pjesë të madhe të asaj që bëjnë sistemet. Deri tani, këto informacione ose trajtohen si sekrete tregtare, ose thjesht mbeten të nënkuptuara, edhe pse shpesh është e qartë se për çfarë bëhet fjalë, qoftë për klikimet në reklama në Facebook apo për numrin e personave të ndaluar nga ICE.
Së dyti…
…na nevojitet një gamë e gjerë instrumentesh rregullatore që e shpërndajnë fuqinë e kontrollit – ligji i konkurrencës, e drejta për privatësi, ligji kundër diskriminimit, e drejta e pronësisë intelektuale. Kjo nuk mund të reduktohet në një instrument të vetëm. Dhe së treti, në planin afatgjatë, na nevojiten institucione demokratike që të kontrollojnë realisht sistemet vendimmarrëse me pasoja të rëndësishme, pra pjesëmarrje e vërtetë e personave të prekur dhe jo pjesëmarrje sa për sy e faqe.
Në fund: Çfarë mendoni për vetë termin “inteligjencë artificiale”?
Inteligjenca është një term i rrezikshëm, i cili është përdorur për mistifikim që nga fillimi i kësaj fushe. Alan Turing propozoi në vitet 1950 një test empirik. Sipas tij, një sistem është inteligjent atëherë kur ne nuk mund ta dallojmë nga një njeri. Kjo e përcaktoi që në fillim objektivin – në njëfarë mënyre, realizimin e një mashtrimi.
Mendoj se për debatin e sotëm do të ishte më e dobishme të flisnim më pak për inteligjencë dhe më shumë në mënyrën si flasin tekstet universitare të informatikës. Pas IA-së qëndrojnë sisteme optimizimi me funksione objektive, sisteme shumë të fuqishme, me sasi masive të dhënash trajnimi dhe me fuqi të jashtëzakonshme kompjuterike.
Por, në fund të fundit, ato janë sisteme që përpiqen ta maksimizojnë sa më shumë një funksion objektiv.
Këtë nuk duhet ta harrojmë.
Burimi: F.A.Z.















