Ballina Bota Aleksandar Vuçiq jep dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë

Aleksandar Vuçiq jep dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, duke i dhënë fund mandatit të tij presidencial para përfundimit të rregullt.

Vuçiq e bëri të ditur vendimin mbrëmjen e së dielës, 27 shtator 2026, gjatë një adresimi publik nga Presidenca e Serbisë në Beograd.

“Jam mirënjohës ndaj qytetarëve që dy herë më dhanë besimin e tyre. Sot është dita kur jap dorëheqjen”, deklaroi Vuçiq.

Gjatë fjalimit, ai tha se gjatë dy mandateve të tij kishte shërbyer “me besnikëri, ndershmëri dhe përkushtim” dhe se ishte krenar për rezultatet e arritura gjatë periudhës së tij në krye të shtetit.

Vuçiq tha se udhëheqja nënkupton marrjen e vendimeve të vështira dhe përgjegjësinë për secilin prej tyre. Ai foli edhe për zhvillimin ekonomik të Serbisë gjatë viteve të fundit, ndërsa arsimin e përmendi si një nga fushat ku, sipas tij, vendi nuk kishte arritur rezultatet e dëshiruara.

Para adresimit zyrtar, një numër i madh qytetarësh ishin mbledhur pranë Presidencës në Beograd. Vuçiq doli para tyre dhe i falënderoi për mbështetjen gjatë viteve të tij në detyrë.

Aleksandar Vuçiq ishte zgjedhur për herë të parë president i Serbisë në vitin 2017 dhe ishte rizgjedhur për një mandat të dytë në vitin 2022.

Video bonus

Pas dorëheqjes së tij, kompetencat e presidentit të Serbisë do t’i ushtrojë përkohësisht kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq.

Sipas Kushtetutës së Serbisë, kur mandati i presidentit përfundon para kohe, kryetari i Kuvendit ushtron përkohësisht kompetencat presidenciale, ndërsa zgjedhjet për presidentin e ri duhet të zhvillohen brenda tre muajve.

Vuçiq ka deklaruar se pas largimit nga posti presidencial synon të vazhdojë angazhimin politik dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në pushtetin ekzekutiv si kryeministër.

Dorëheqja e tij hap një fazë të re politike në Serbi, e cila në muajt e ardhshëm do të duhet të zgjedhë presidentin e ri të vendit./Tetova News