Ballina IA IA: Një mjet për të vërtetën, një mundësi për demokracinë

IA: Një mjet për të vërtetën, një mundësi për demokracinë

Nga Denys de Béchillon

Për qejf, vendosa t’i bëj pyetje një programit të mirë të inteligjencës artificiale, duke përdorur mënyrat e tij më kërkuese të analizës, për vlefshmërinë objektive të dy tezave ekonomiko-politike që janë sot mjaft të njohura.

E para është ajo e Matthieu Pigasse, sipas të cilit është gabim të alarmohemi për faktin se borxhi francez arrin në rreth 115% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sepse kjo do të thotë të krahasosh në mënyrë të thjeshtuar një stok me një fluks. Sipas tij, do të ishte më e drejtë që ky detyrim të krahasohej me aktivet, pra me tërësinë e pasurisë kombëtare: rreth 3.500 miliardë euro borxh kundrejt 20.000 miliardë eurove pasuri kombëtare, çka do ta reduktonte problemin në rreth 17,5%.

Teza e dytë është ajo e Jean-Luc Mélenchon, i cili propozon që, pa ndonjë problem të veçantë, të “hidhen në zjarr” titujt që përfaqësojnë rreth 600 miliardë euro të këtij borxhi, të mbajtura nga Banka e Francës.

Rezultati: të dyja këto teza shemben pas një analize të hollësishme.

Në rastin e Pigasse, në thelb, sepse ai fut në llogaritje një shtrembërim shumë më të madh se ai që denoncon: borxhi është borxh i shtetit, ndërsa “pasuria” për të cilën ai flet është pasuria e të gjithë kombit.

Në rastin e Mélenchon, sepse “truku” i tij është pikërisht një truk, kryesisht kontabël, i cili nuk do të zhdukte asnjë detyrim monetar real dhe as nuk do të krijonte ndonjë hapësirë të re reale për veprim.

Publicitet

Për mungesë hapësire, po ju kursej 27 faqe me hollësi interesante.

Por ajo që është me rëndësi këtu nuk është fakti se këta zotërinj thonë gjëra të pavërteta apo të dyshimta. Më thelbësor është fakti se tashmë kemi në dispozicion mjetet më të mira për ta kuptuar këtë.

Teknologjia digjitale na frikëson për shkak të aftësisë së saj të jashtëzakonshme për të prodhuar të rreme, por duhet gjithashtu të mahnitemi nga aftësia e saj për të rikthyer të vërtetën.

Fakti është se – duke marrë disa masa paraprake – IA na ofron një mjet të jashtëzakonshëm për t’u bërë më pak besues ndaj gjithçkaje, më pak të manipulueshëm dhe, për ta thënë troç, më pak budallenj.

Duhet t’i rezistojmë tundimit për të menduar se ajo do të ishte një qeveritare, një parlamentare apo madje edhe një votuese shumë më racionale dhe efikase sesa “gjysmë-vëllezërit” e saj njerëzorë…

Por duhet të vërejmë se ajo na bën më të aftë për të ndërtuar vullnetin tonë të lirë, për të ndriçuar gjykimin tonë dhe për të ushtruar mendimin kritik, përfshirë edhe ndaj dobësive të vetë IA-së, veçanërisht ndajanshmërive të krijuesve të saj, kushtëzimeve të saj “etike” apo edhe politike.

Edhe më shumë: duhet ta pranojmë si një bazë të mundshme për një përgjegjësi të re individuale.

Pyetja e shekullit

Në fund të fundit, nëse mashtrohemi nga diskurse boshe apo të mjegullta, pavarësisht nga tema ose origjina e tyre, kjo ndodh edhe sepse ne vetë e lejojmë.

Nëse nuk dimë t’i rezistojmë indoktrinimit, tiranisë së gënjeshtrës, operacioneve të komunikimit apo problemeve të rreme, kjo ndodh sepse nuk bëjmë asgjë kundër tyre, megjithëse tashmë kemi mundësi ta bëjmë.

Gjenialiteti i IA-së qëndron te menjëhershmëria dhe te gjuha natyrore.

Me të, çdokush mund të përpiqet të kuptojë menjëherë, me fjalët e veta, nëse ajo që i është thënë qëndron apo jo.

Kostoja sociale, kulturore dhe financiare e qasjes në analiza të hollësishme dhe në njohuri të verifikuara është zvogëluar në mënyrë dramatike para syve tanë.

Për më tepër, makina shpjegon me durim kur i pranojmë se nuk kuptojmë atë që po na thotë, dhe nuk kemi më domosdoshmërisht nevojë të shkojmë të blejmë një libër, revistë apo botim të specializuar.

Këto mundësi të reja për skepticizëm dhe kureshtje krijojnë edhe një shpresë demokratike.

Projekti i Iluminizmit nuk ka qenë kurrë ta trajtojë qytetarin si një copë mishi. Synimi i tij është ta shohë qytetarin si një subjekt që ka detyrimin të ndërtojë vetveten, si një vepër të durueshme të mendjes së tij.

Paradoksalisht, në këto kohë marrëzie të ethshme, IA e bën këtë më pak të pamundur se kurrë më parë.

Ndërkohë – për pak sa nuk shkrova “duke shpresuar” – pyetja është se përse ekziston rreziku që kjo të mos funksionojë.

Pse nuk do të armatosemi kështu, ose të paktën jo mjaftueshëm, për t’u bërë më rezistentë ndaj sundimit të marrëzive dhe të pavërtetave?

Edhe këtu, përgjigjja do të gjendet kryesisht te ne vetë.

Do të jetë determinizmi ynë i pandreqshëm ideologjik, pasionet tona të errëta – vetëkënaqësia, urrejtja, zemërimi, xhelozia –, infantilizmi ynë, varësia nga joshja, frika, rehatia e të mos menduarit, përtacia…

Dhe, mbi të gjitha, aftësia jonë dëshpëruese për të mos parë atë që kemi para syve, siç thoshte Péguy; për ta mohuar realitetin dhe për të adhuruar aspektet më të këqija të irracionalitetit tonë.

A do të dimë t’ia besojmë me mençuri IA-së detyrën për të na ndihmuar të bëhemi njerëz më të mirë, më pak naivë dhe më pak të paaftë për t’u përballur me të ardhmen?

Kjo është një pyetje e vërtetë për këtë shekull.

Denys de Béchillon, konstitucionalist dhe profesor emeritus universitar/L’Express.fr