Ballina IA “IA e përgjithshme është apoteoza e hubrisit”: Analiza e Hubert Etienne, ish-filozof...

“IA e përgjithshme është apoteoza e hubrisit”: Analiza e Hubert Etienne, ish-filozof në Meta

Nga Thomas Mahler

Ashtu si Peter Thiel, edhe Hubert Etienne është njohës i veprës së René Girard dhe vepron në sektorin e teknologjisë. Por Etienne, autor i një teze në filozofi kompjuterike, nuk nxjerr prej mendimit të Girard të njëjtat përfundime si miliarderi libertarian kontrovers. Në të tridhjetat, ai ishte përgjegjës për etikën e inteligjencës artificiale gjeneruese në Meta, përpara se të kthehej në Francë dhe të themelonte laboratorin kërkimor Quintessence AI, të përqendruar te formimi dhe ndikimet shoqërore të kësaj teknologjie.

Në një intervistë për L’Express, Hubert Etienne shpjegon se si Evropa mund të dallohet në fushën e rregullimit të inteligjencës artificiale dhe përse është në interesin e kompanive të zhvillojnë dhe përdorin sisteme të përgjegjshme të IA-së. Ai flet gjithashtu për frikën në rritje nga një “IApokalips”, në një kohë kur paralajmërimet për rreziqet e inteligjencës artificiale janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit.

L’Express: Dëgjojmë shpesh se në Evropë ka tepër pengesa dhe rregullime në fushën e inteligjencës artificiale. Çfarë mendoni?

Hubert Etienne: Evropa ka zgjedhur të vërë bast mbi një rregullim ambicioz dhe nuk ka pse të turpërohet për këtë. Një rregullim i tillë është i nevojshëm për t’i mbrojtur qytetarët nga disa prej rreziqeve më serioze; kjo është pjesë e detyrës parësore të shtetit. Rregullimi është gjithashtu thelbësor për organizimin e tregut, sepse standardizon praktikat. Prandaj, pengesa e vërtetë nuk është vetë rregullimi, por burokracia që e shoqëron atë si një hije. Problem është gjithashtu diskursi ankthndjellës që vjen nga përtej Atlantikut, i përhapur nga guru që përshpejtuan adoptimin e IA-së, duke na penguar të pyesnim se si dhe përse duhet ta përdorim atë.

Sot, ky diskurs po kthehet kundër tyre, sepse kompanitë vazhdojnë të kërkojnë kthimin e investimeve, ndërsa “besimi” i publikut te këta tekno-profetë po lëkundet. Rritja ekonomike e paralajmëruar dhe shkatërrimi masiv i vendeve të punës nuk u materializuan, por mesazhi megjithatë u përthith nga shoqëri gjithnjë e më të shqetësuara. Kjo po ndodh në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Indi dhe Kinë, dy vende që deri vonë ishin ndër më entuziastet ndaj IA-së. Në mbarë botën, entuziazmi po venitet dhe kjo çështje po i përçan gjithnjë e më shumë shoqëritë. IA-ja është një revolucion, por bota nuk ndryshon me një kërcitje gishtash.

Në fakt, ky është një lajm shumë i mirë, sepse një tranzicion më i ngadalshëm na jep më shumë kohë për të studiuar ndikimin e IA-së në ekonomi dhe shoqëri, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë. Pikërisht me këtë duhet të merremi, në vend që të ndjekim shembullin e disa miliarderëve amerikanë që e cilësojnë “Antikrisht” këdo që guxon të ngrejë pyetje rreth IA-së. Ata kanë shkuar aq larg, sa në këtë kategori kanë përfshirë edhe Papa Leonin XIV. Ironia do të ishte për të qeshur, sikur çështja të mos ishte kaq serioze.

Video bonus

Po i referoheni Peter Thielit, i cili, ashtu si ju, është mbështetur prej kohësh te vepra e René Girard, por me një interpretim shumë të ndryshëm. Si kalohet nga filozofia te IA-ja?

Në rastin tim, në mënyrë mjaft të rastësishme. I formuar si filozof dhe financier, synoja një filozofi aktive, e cila të mos mjaftohej vetëm me kuptimin e botës, por të përpiqej edhe ta ndryshonte atë. Kjo më çoi drejt zhvillimit të filozofisë kompjuterike, një qasje ndërdisiplinore që ndërthur teoritë e mëdha të shkencave humane me analizën e të dhënave digjitale, me qëllim orientimin e algoritmeve drejt objektivave me dobi shoqërore. Pikërisht në atë periudhë, Antoine Bordes më ofroi mundësinë të zhvilloja kërkimet e mia në kuadër të një doktorature të përbashkët mes Facebook AI Research dhe ENS. Aty përdora teoritë e René Girard për të thelluar kuptimin tonë të ndërveprimeve digjitale dhe për të përmirësuar mjetet për luftimin e dezinformimit dhe të gjuhës së urrejtjes në internet.

Më pas u transferova në Nju Jork për të drejtuar fushën e etikës së IA-së gjeneruese në Meta. Detyra ishte të parashikoheshin dhe të kontrolloheshin rreziqet që lidhen me produktet e grupit, si dhe të analizoheshin efektet e tyre afatgjata mbi shoqërinë. Në vitin 2023 u ktheva në Francë dhe themelova Quintessence, një laborator i përkushtuar ndaj kërkimit pararojë mbi IA-në e përgjegjshme dhe ndërveprimin njeri-makinë, si dhe ndaj formimit të një brezi të ri ekspertësh që do të merren me këto çështje. Franca në atë kohë ishte shumë prapa dhe unë doja të kontribuoja në përpjekjen kombëtare në fushën e kërkimit dhe të formimit profesional. Edhe sot ekziston prirja për ta parë etikën e IA-së si një fushë të rezervuar për idealistë naivë dhe të virtytshëm. Në të vërtetë, ajo është një hapësirë ndikimi jashtëzakonisht strategjike, ku është në lojë e ardhmja e njerëzimit.

Keni të drejtë kur thoni se Thiel për një kohë të gjatë është mbështetur te Girard. Megjithatë, qëndrimet që ai mbron sot bien ndesh me disa nga mësimet më themelore të këtij antropologu, i cili ishte një mendimtar i krishterë i jo-dhunës dhe i pajtimit mes popujve. Thiel mori nga Girard atë që i interesonte dhe më pas u bë niçean.

50% e punonjësve përdorin çdo javë mjete të IA-së që nuk janë autorizuar nga kompania e tyre.

Me Quintessence AI, së fundmi keni lançuar Ritual, programin e parë certifikues në Evropë për përdorimin e sigurt të IA-së në kompani. Çfarë përfshin ai?

Ritual është një program trajnimi online që u mundëson punonjësve të çdo profili të zotërojnë njohuritë bazë për një përdorim etik, të sigurt dhe të përgjegjshëm të IA-së në mjedisin e punës. Brenda një ore, pjesëmarrësit mësojnë të identifikojnë çështjet që kërkojnë vëmendje gjatë zhvillimit dhe përdorimit të sistemeve të IA-së, të zhvillojnë mekanizmat e nevojshëm të gjykimit kritik për t’i trajtuar ato dhe të ushtrohen me praktikat më të mira të IA-së së përgjegjshme përmes rasteve konkrete.

Meqenëse kjo fushë evoluon vazhdimisht, nuk bëhet fjalë për një trajnim që kryhet vetëm një herë, por për krijimin e një kanali informacioni që i mban pjesëmarrësit të përditësuar me zhvillimet më të fundit shkencore dhe me evolucionin e praktikave më të mira. Për këtë arsye, Ritual mbështetet në monitorim të vazhdueshëm të literaturës dhe zhvillimeve shkencore, si dhe në një konsorcium aktorësh të mëdhenj publikë dhe privatë, mes të cilëve Safran, Sanofi, Stellantis dhe France Travail. Këto organizata bashkëpunojnë me ne për ta mbajtur programin sa më pranë nevojave reale të punonjësve dhe për të promovuar një certifikim të përbashkët.

Në thelb, Ritual është programi i parë i trajnimit për përdorimin e përgjegjshëm të IA-së që ofrohet nga emra të njohur të kësaj fushe, përditësohet vazhdimisht mbi bazën e kërkimit shkencor ndërkombëtar dhe certifikohet nga kompani lidere të sektorëve përkatës. Me synimin për të trajnuar një milion evropianë, ne nuk kërkojmë vetëm të përmirësojmë praktikat profesionale, por edhe të forcojmë mendimin kritik të popullsisë, në një kohë kur dezinformimi është bërë endemik.

Por përse kompanive u nevojitet IA e përgjegjshme?

Para së gjithash, për t’u mbrojtur nga rreziqet operacionale, të reputacionit dhe rregullatore që lindin sapo një kompani fillon të përdorë sisteme dhe mjete të IA-së. Këtu përfshihen çështje si paragjykimet algoritmike, transparenca dhe shpjegueshmëria e sistemeve, por edhe fenomeni i ashtuquajtur “shadow AI”, pra përdorimi nga punonjësit i mjeteve të IA-së pa miratimin, mbikëqyrjen ose kontrollin e organizatës. Ky është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për kompanitë. Vlerësohet se 50% e punonjësve përdorin çdo javë mjete të paautorizuara nga kompania e tyre, duke krijuar një rrezik shumë të madh për rrjedhjen ose ekspozimin e të dhënave. Megjithatë, strategjitë e përdorura për ta frenuar këtë fenomen mbeten pak efektive nëse nuk shoqërohen me edukimin e duhur që i bën punonjësit më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm.

Më pas vjen çështja e performancës. Nevojitet një koordinim efikas për t’i shndërruar përfitimet individuale në produktivitet në përmirësim të performancës së përgjithshme të kompanisë. Punonjësit duhet të kuptojnë se si funksionojnë këto sisteme, në mënyrë që t’i përdorin në mënyrë optimale, të kenë një terminologji të përbashkët kur flasin për to, të shmangin keqkuptimet dhe të përqafojnë vizionin e kompanisë për përdorimin e IA-së. Edhe këtë synon të mundësojë Ritual.

Së fundi, kompanitë kanë nevojë jetike të kuptojnë transformimet strukturore që tashmë janë në zhvillim, në mënyrë që të përshtaten sa më shpejt: mbështetja e tepruar te sisteme që mund të gjenerojnë halucinacione, pra përgjigje të pasakta ose të sajuara të paraqitura si të besueshme; fenomenet e varësisë dhe të borxhit kognitiv; lidhja emocionale me agjentët bashkëbisedues; si dhe mbingarkesa kognitive e personave që mbikëqyrin ose koordinojnë agjentë të IA-së. Për të marrë masat e duhura, organizatat kërkojnë një burim informacioni që i dokumenton seriozisht këto zhvillime dhe evidenton praktikat e provuara për t’iu përshtatur atyre. Pikërisht ky është misioni i Quintessence: t’u mundësojë organizatave të dalin përtej zhurmës informative dhe t’i mbështesin vendimet e tyre në kërkimin shkencor.

Nuk kam frikë nga teknologjia, por vetëm nga kotësia e njerëzve neurotikë.

L’Express, ashtu si The Economist, i ka kushtuar një kopertinë revoltës në rritje kundër IA-së, të nxitur veçanërisht nga të rinjtë. Çfarë mendoni për këtë?

Përmendet shpesh rasti i Eric Schmidt, ish-CEO i Google, i cili u prit me fishkëllima nga studentët e Universitetit të Arizonës. Por ndonjëherë mjafton që tre persona të nisin të fishkëllejnë që turma t’i ndjekë përmes një efekti mimetik. Atëherë pyetja është: A kemi të bëjmë me një epifenomen apo me një prirje të thellë? Ende nuk kemi distancën e nevojshme kohore për t’iu përgjigjur me siguri kësaj pyetjeje.

Megjithatë, nuk më duket aspak e paarsyeshme që një brez, i shtyrë që në moshë të vogël drejt performancës akademike për të hyrë në universitetet më prestigjioze dhe që më pas del prej tyre me gjysmë milioni dollarë borxh, të ndihet i tradhtuar. Në fund të fundit, Sam Altman dhe Dario Amodei po punojnë aktivisht për automatizimin ose eliminimin e një pjese të madhe të profesioneve për të cilat sot aplikojnë pikërisht këta studentë.

Këtë frikë e shoh edhe te studentët e mi në Sciences Po dhe HEC. Është frika se mos nuk arrijnë të gjejnë vendin e tyre në një botë të pasigurt, ku shpresa për ngjitje shoqërore po venitet. Por ajo që më bën më shumë përshtypje është dëshira e tyre për t’u angazhuar për një botë më të mirë, një kërkesë që ende nuk po gjen ofertën përkatëse, pavarësisht dhjetë vjetësh studimesh që arrijnë në përfundime të ngjashme.

Raportet po grumbullohen, por ende nuk po shfaqet një vizion i qartë që t’u ofrojë njerëzve perspektivën e një të ardhmeje më të mirë. Kudo kërkohet që IA-ja të vendoset në përdorim sa më shpejt, herë të nxitur nga premtimi për rritjen e produktivitetit dhe herë të frikësuar nga ideja se mund të humbasim konkurrueshmërinë. Por kështu nuk bashkohet një shoqëri, sidomos kur njerëzit kërkojnë kuptim në një botë gjithnjë e më të zhgënjyer. Duhet t’u japim arsye për të ëndërruar.

IA-ja është një forcë e jashtëzakonshme e transformimit shoqëror. Dhe sa më shumë e shtyjmë reflektimin që ajo kërkon, duke u mjaftuar vetëm me përpjekjet për të kufizuar rreziqet e saj, aq më shumë thellojmë përçarjen mes brezave.

Diskurset alarmiste që e paraqesin IA-në si një kërcënim për vetë mbijetesën e njerëzimit po shtohen. Sa seriozisht duhet t’i marrim?

Po i referoheni çështjes së “rreziqeve ekzistenciale”, e cila është e lidhur ngushtë me konceptin e inteligjencës artificiale të përgjithshme (AGI) ose, në një kuptim edhe më të avancuar, të superinteligjencës. Është një debat shumë i vjetër, që ishte i pranishëm tashmë në mendimin e Herbert Simon, Marvin Minsky dhe John von Neumann. Zakonisht përmenden I. J. Good dhe Vernor Vinge si dy prej autorëve kryesorë që parashtruan skenarë të një kapërcimi radikal të aftësive njerëzore nga inteligjenca e makinave, ide që më pas u zhvillua më tej nga Nick Bostrom.

Unë e konsideroj çështjen mjaft serioze për t’u shqetësuar, por mendoj se rreziku lidhet relativisht pak me kompleksitetin teknik të vetë modeleve. Sipas meje, ai buron para së gjithash nga një efekt sistemik: nga një garë e shfrenuar drejt AGI-së, e cila “duket” sikur nuk mund të ngadalësohet.

Megjithatë, njerëzimi ka arritur edhe më parë ta frenojë një mekanizëm të tillë dhe t’i mbijetojë përshkallëzimit bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë. Rreziku buron gjithashtu nga një problem që filozofët e njohin mirë: kriza e modernitetit. Ndërsa disa njerëz kërkojnë te format e reja të spiritualitetit një mënyrë për t’ia rikthyer botës magjepsjen, të tjerë i përgjigjen thirrjes së hiçit duke kërkuar shfaqjen e një qenieje superiore.

Ambicia për të krijuar një inteligjencë artificiale të përgjithshme (AGI), ashtu siç përshkruhet në literaturën shkencore, është një projekt nihilist: një apoteozë e hubrisit dhe e mazokizmit. Është një përpjekje për vetëhyjnizim, një projekt për t’i krijuar vetes një zotëri dhe më pas për t’u kënaqur me faktin se vetë ne kemi qenë në origjinën e fundit tonë.

Freud mendonte se shoqëritë njerëzore nisnin me një atëvrasje fillestare; ai nuk e kishte imagjinuar se ato mund të përfundonin duke krijuar vetë një IA atëvrasëse. Historia mbetet ende për t’u shkruar dhe, kush e di, ndoshta njerëzimit i duhet një luftë kundër një armiku të përbashkët, makinave, për të arritur më në fund paqen mes njerëzve?

Sa për mua, nuk kam frikë nga teknologjia. Kam frikë vetëm nga kotësia e njerëzve neurotikë, e cila i shtyn vazhdimisht të sakrifikojnë të tjerët./L’Express