Ballina IA IA dhe arsimi: Kurthi i detyrave të bëra nga ChatGPT

IA dhe arsimi: Kurthi i detyrave të bëra nga ChatGPT

Vetëm pak vite pas shfaqjes së saj, inteligjenca artificiale (IA) gjeneruese tashmë është e pranishme kudo, jo vetëm në botën profesionale, por edhe në mjedisin shkollor. Kjo situatë shqetëson shumë shumicën e mësuesve dhe studiuesve të arsimit. Frika e tyre? Nëse nxënësit ua lënë IA-së të gjitha detyrat e shtëpisë, ata mund të mos mësojnë më asgjë.

Në të vërtetë, të nxënit zhvillohet në trurin e nxënësit: ai kërkon marrjen e informacionit, memorizimin dhe përpunimin e tij, në mënyrë që njohuritë dhe aftësitë të rrënjosen në mënyrë të qëndrueshme. Me fjalë të tjera, të nxënit kërkon punë shkollore. Një IA mund ta ndihmojë potencialisht një nxënës në punën e tij shkollore, por nëse ajo e kryen punën njohëse në vend të tij, pra jashtë trurit të nxënësit, atëherë ndryshimet cerebrale të nevojshme për të nxënit nuk do të ndodhin.

Nota më të dobëta

Një studim i fundit, ende i pabotuar, i universiteteve të Stokholmit dhe Hong-Kongut, ofron një demonstrim shumë të qartë të kësaj dukurie. Duke u bazuar në të dhënat shkollore të 26 mijë nxënësve kinezë të arsimit të mesëm, të mbledhura gjatë tre viteve, studimi dokumenton në mënyrë shumë të qartë efektet e përdorimit të IA-së për detyrat e shtëpisë.

Notat e marra në detyrat e shtëpisë rriten, ndërkohë që koha mesatare e shpenzuar për to zvogëlohet. Megjithatë, notat e marra në provimet e zhvilluara në klasë, pa përdorimin e IA-së, bien mesatarisht.

Me fjalë të tjera, përdorimi i IA-së për detyrat e shtëpisë zvogëlon njohuritë dhe aftësitë shkollore që nxënësit janë në gjendje t’i demonstrojnë pa ndihmën e IA-së.

Është shumë interesante se nxënësit që e përdorën IA-në, por vazhduan t’u kushtonin detyrave të shtëpisë të njëjtën kohë sa nxënësit që nuk e përdornin atë, ruajtën rezultate të mira në provime.

Përdorimi i IA-së jo vetëm që uli notat mesatare, por gjithashtu rriti dallimet ndërmjet nxënësve: nga njëra anë ata që i deleguan tepër shumë IA-së dhe mësuan më pak, dhe nga ana tjetër ata që e përdorën atë pa e zvogëluar përpjekjen e tyre personale.

Publicitet

Kjo tregon qartë sa e rëndësishme është që nxënësit të orientohen drejt mënyrave të përdorimit të IA-së që nxisin të nxënit.

Mundësi të reja

Studimi nuk tregon se në çfarë mënyre e përdornin IA-në nxënësit me rezultatet më të mira. Por shumë pedagogë dhe studiues tashmë kanë reflektuar mbi këtë çështje dhe potenciali arsimor i IA-së është jashtëzakonisht i madh.

Në fakt, IA mund të luajë rolin e një tutori të personalizuar, me njohuri shumë të gjera dhe të palodhur.

Ajo mund të shpjegojë dhe riformulojë koncepte në nivele të ndryshme abstraksioni dhe të shpjegojë pse një përgjigje ndaj një pyetjeje është e gabuar, pa e gjykuar nxënësin.

Mund të parashtrojë pyetje që synojnë të verifikojnë nëse nxënësi e ka kuptuar materialin dhe më pas t’i korrigjojë përgjigjet e tij.

Mund të gjenerojë një numër praktikisht të pakufizuar kuizesh, duke i mundësuar nxënësit të testojë njohuritë dhe t’i përforcojë ato në kujtesë.

Mund të krijojë pafundësisht ushtrime të bazuara në mësimin e zhvilluar, të përshtatura sipas nivelit të nxënësit, dhe më pas t’i korrigjojë ato, në mënyrë që ta ndihmojë nxënësin të fitojë dhe automatizojë aftësitë e nevojshme.

IA mund të zbatojë gjithashtu procese pedagogjike më komplekse, të ofrojë ushtrime për të shkruarit dhe të realizojë shumë funksione të tjera.

Bëhet fjalë për gjëra që janë të pamundura për një mësues kur punon me një klasë të tërë dhe shumë të vështira edhe për prindin më të përkushtuar që ndjek nga afër detyrat e fëmijës.

Prandaj, gjëja më e rëndësishme për nxënësit është t’i rezistojnë tundimit për t’ia lënë IA-së të gjithë punën dhe të mësojnë t’i formulojnë kërkesat e duhura.

Siç ndodh shpesh, një teknologji e re dhe e fuqishme mund të përdoret si për keq, ashtu edhe për mirë, dhe për këtë arsye sjell njëkohësisht rreziqe të mëdha dhe shpresa të mëdha. Ky është qartësisht rasti i inteligjencës artificiale në arsim.

Në mënyrë pragmatike, IA gjeneruese nuk do të zhduket papritur dhe nuk do të jetë e mundur të pengohen nxënësit që ta përdorin atë.

Prandaj është thelbësore t’u shpjegohet qartë rëndësia e përvetësimit të njohurive dhe aftësive që nuk reduktohen vetëm në përdorimin e IA-së dhe t’u mësohet se si ta përdorin atë në një mënyrë që t’i ndihmojë sa më shumë në arritjen e objektivave të të nxënit.

Një grup pune i Akademisë së Parisit ka përgatitur për këtë qëllim udhëzues praktikë me titull “IA dhe detyrat e shtëpisë”, shumë të dobishëm si për mësuesit, ashtu edhe për nxënësit dhe familjet e tyre.

Natyrisht, në disa fusha, veçanërisht në ato profesionale, është plotësisht racionale të synohet përmirësimi i performancës duke përdorur ndihmën e IA-së, dhe kjo mund të jetë gjithashtu pjesë e procesit të formimit.

Por në fusha të tjera, sidomos në të nxënit themelor, mbetet e domosdoshme që individi të ketë një kuptim të thellë të koncepteve dhe të zhvillojë automatizma dhe aftësi të caktuara.

Edhe në fushat ku ndihma e IA-së është e dobishme, një nivel minimal zotërimi i temës është i nevojshëm për të analizuar siç duhet problemet, për të formuluar kërkesat, për të vlerësuar në mënyrë kritike atë që prodhon IA-ja dhe për të korrigjuar gabimet e saj.

Prandaj është më thelbësore se kurrë të shtrohet pyetja se cili është qëllimi dhe cilat janë rezultatet e pritshme nga çdo proces i të nxënit.

Natyrisht, mënyrat e mësimdhënies dhe të vlerësimit duhet të harmonizohen me këto objektiva dhe pritshmëri.

Sipas mendimit tim, njohuritë shkollore që bëjnë pjesë në bazën e përbashkët të arsimit të detyrueshëm janë të natyrës themelore dhe duhet të zotërohen në mënyrë të pavarur nga të gjithë nxënësit.

Megjithatë, ky vlerësim ka të ngjarë të evoluojë bashkë me shoqërinë dhe do të duhet të përfshihet në debatin kombëtar mbi arsimin./ L’Express.fr