Ballina Lajme Si ndikon ushqimi në mbrojtjen e organizmit

Si ndikon ushqimi në mbrojtjen e organizmit

Ushqyerja dhe sistemi imunitar

Nga Charlotte Braatz

Mbrojtja jonë imunitare varet në masë të madhe nga ajo që hamë. Eksperimentet tregojnë se kur qelizat imunitare janë veçanërisht aktive dhe si ndikon agjërimi tek ato.

Mungesa e vitaminave e dobëson sistemin tonë mbrojtës, ndërsa mbipesha favorizon inflamacionin kronik. Fibrat ushqimore, nga ana tjetër, mund ta ndryshojnë pozitivisht mikrobiomën e zorrëve. Kur flitet për ndikimin e ushqyerjes mbi sistemin imunitar, zakonisht bëhet fjalë për periudha të gjata: për zakonet e të ngrënit, peshën trupore dhe çrregullimet metabolike që veprojnë gjatë muajve ose viteve. Krahas tyre, një vakt i vetëm duket thuajse si një zhurmë e parëndësishme në sfond.

Por çfarë ndodh në të vërtetë menjëherë pas marrjes së ushqimit? Si reagon sistemi imunitar kur glukoza, aminoacidet dhe yndyrat ushqimore, të paketuara në grimca transportuese, kalojnë nga zorra në qarkullimin e gjakut?

Një punim shkencor i Universitetit të Pensilvanisë, i botuar këtë pranverë në revistën “Nature”, sugjeron se ajo që deri më tani konsiderohej kryesisht si një gjendje kalimtare metabolike, mund të ketë një rëndësi shumë më të madhe – dhe mbi të gjitha shumë më afatgjatë – për mbrojtjen tonë imunitare.

Organizmi është vazhdimisht i ekspozuar ndaj viruseve, baktereve dhe rreziqeve të tjera të mundshme nga mjedisi i jashtëm. Për të reaguar ndaj këtyre kërcënimeve të ndryshme, sistemi imunitar disponon dy linja mbrojtëse të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: imunitetin e lindur dhe imunitetin e fituar.

Imuniteti i lindur reagon brenda një kohe shumë të shkurtër, por dallon kryesisht sinjale të përgjithshme rreziku dhe më pas vepron në mënyrë relativisht jospecifike.

Publicitet

Imuniteti i fituar – pra ajo pjesë e mbrojtjes që organizmi i njeriut e “mëson” gjatë jetës përmes infeksioneve – vepron në mënyrë më të synuar. Ai identifikon karakteristika të caktuara të një patogjeni ose të një qelize kanceroze dhe është në gjendje të ruajë kujtesë për takimet e mëparshme me to.

Në rast të një kontakti të ri me të njëjtin patogjen, kjo kujtesë mundëson një përgjigje mbrojtëse më të drejtpërdrejtë dhe, rrjedhimisht, më efektive.

Pjesë e këtij komponenti “të aftë për të mësuar” të sistemit imunitar janë qelizat T.

Qelizat T janë të plogështuara pas agjërimit të zgjatur

Grupi kërkimor i universitetit në Pittsburgh fillimisht studioi te persona të shëndetshëm se si ndryshon funksionaliteti i qelizave T gjatë orëve pas një vakti.

Pika e nisjes ishte një eksperiment i thjeshtë: pjesëmarrësve iu morën dy mostra gjaku – njëra pas 12 orësh agjërimi dhe tjetra gjashtë orë pasi kishin ngrënë përsëri.

Më pas studiuesit izoluan dhe analizuan qelizat T që ndodheshin në këto mostra.

Në mënyrë interesante, qelizat T nga mostra e dytë përthithnin dukshëm më shumë glukozë, kishin më shumë mitokondri – strukturat qelizore që janë thelbësore për prodhimin e energjisë – dhe, pas stimulimit, prodhonin më shumë prej substancave sinjalizuese interferon-gama dhe TNF.

Këto substanca zakonisht ndërmjetësojnë luftën kundër infeksioneve dhe qelizave tumorale.

Por ajo që ra në sy nuk ishte vetëm aftësia më e madhe funksionale e këtyre qelizave T, por edhe kohëzgjatja e këtij efekti.

Edhe pasi qelizat T ishin shumuar për shtatë ditë në laborator, në kushte identike, ato vazhdonin të ishin funksionalisht superiore dhe shumoheshin më fuqishëm se qelizat përkatëse të marra nga mostra e gjakut në gjendje esëll.

Eksperimente me qeliza T te minjtë

Për ta përcaktuar më saktë ndikimin e ushqimit mbi sistemin imunitar, studiuesit përdorën gjithashtu minjtë si model eksperimental.

Edhe këtu rezultati ishte i qartë: kur një numër i barabartë qelizash T nga minj dhurues që kishin agjëruar dhe nga minj që ishin ushqyer transferohej te i njëjti marrës dhe ky më pas infektohej me një virus, qelizat T të marra nga minjtë e ushqyer shumoheshin më fuqishëm.

Për më tepër, prej tyre formoheshin më shumë qeliza kujtese – qeliza T jetëgjata që mbeten në organizëm pasi infeksioni është kaluar dhe që, në rast të një kontakti të ri me të njëjtin patogjen, mund të reagojnë më shpejt.

Në modelin me minj, ky avantazh numerik ishte i dallueshëm edhe disa muaj më vonë.

Një rol të veçantë luan intervali kohor ndërmjet marrjes së ushqimit dhe kontaktit me patogjenin.

Kur minjtë infektoheshin me virusin vetëm disa ditë pas transferimit të qelizave T, përparësia e qelizave të marra pas ushqimit ishte dukshëm më e vogël.

Pra, një vakt nuk çon automatikisht në një përgjigje imunitare më të fuqishme në afat të gjatë.

Përkundrazi, ai krijon një dritare të shkurtër kohore gjatë së cilës qelizat T janë veçanërisht të përgatitura për t’u përballur me një patogjen.

Nëse nevojiten pikërisht gjatë kësaj faze, prej saj mund të lindë një avantazh afatgjatë. Por nëse nuk ndodh kontakt me një patogjen, efekti i vakti humbet sërish.

Por cili përbërës i ushqimit është përgjegjës për rritjen e performancës së qelizave T?

Kur studiuesit u dhanë kafshëve veçmas karbohidrate, proteina ose yndyrë, sidomos yndyrat e rritën fuqishëm aftësinë funksionale të qelizave T.

Yndyrat ushqimore përbëhen kryesisht nga të ashtuquajturat triacilgliceride.

Megjithatë, pas një vakti ato nuk kalojnë të lira në gjak. Në zorrën e hollë fillimisht zbërthehen në përbërës më të vegjël, përthithen nga qelizat e zorrës dhe aty bashkohen përsëri.

Më pas paketohen në kilomikrone – grimca të mëdha transportuese që shpërndajnë yndyrat nëpër organizëm përmes limfës dhe gjakut.

Pikërisht këto kilomikrone rezultuan vendimtare.

Kur ato hiqeshin nga serumi i gjakut ose modifikoheshin gjenetikisht në mënyrë që përbërësit yndyrorë që përmbanin të mos mund të çliroheshin më, rritja e performancës së qelizave T që vërehej pas një vakti pothuajse zhdukej.

Edhe në mungesë të receptorit LDL, një lloj pike lidhëse për grimcat yndyrore, qelizat T pothuajse nuk përfitonin më nga marrja e ushqimit.

Më të përgatitura kundër kancerit?

Qelizat T nuk janë të rëndësishme vetëm në mbrojtjen kundër infeksioneve, por edhe në njohjen dhe luftimin e qelizave kanceroze.

Kjo veçori shfrytëzohet tashmë edhe në terapi.

Në të ashtuquajturën terapi me qeliza CAR-T, qelizat T i merren pacientit, modifikohen gjenetikisht në laborator duke u pajisur me një receptor artificial – receptorin antigjenik kimerik – dhe më pas i rikthehen pacientit.

Ky receptor u mundëson qelizave të njohin në mënyrë të synuar karakteristika të caktuara në sipërfaqen e qelizave tumorale.

Sot kjo metodë përdoret në onkologji kryesisht për disa lloje të leukemisë dhe limfomës, si edhe për mielomën multiple, një sëmundje malinje e palcës së eshtrave.

Rezultatet e deritanishme të kërkimit ngrenë një pyetje të natyrshme:

A mund të ndikojë edhe gjendja ushqyese e pacientit në momentin e marrjes së gjakut në fuqinë e qelizave CAR-T që prodhohen prej tij?

Për ta testuar këtë, studiuesit prodhuan qeliza CAR-T nga pacientë në gjendje esëll dhe nga pacientë pas një vakti.

Më pas këto qeliza u transferuan te minj të cilëve më parë u ishin injektuar qeliza njerëzore të leukemisë.

Edhe qelizat CAR-T të marra pas një vakti rezultuan dukshëm më të fuqishme dhe i shtypën qelizat e leukemisë në mënyrë më efektive dhe për një periudhë më të gjatë.

Megjithatë, këto rezultate ende nuk mund të zbatohen drejtpërdrejt te pacientët.

“Njohuritë që kemi aktualisht për mikrobiomën dhe metabolizmin tregojnë se të dyja fushat janë të rëndësishme për funksionimin e qelizave imunitare dhe, rrjedhimisht, edhe për qelizat CAR-T”, shpjegon Michael Schmitt.

Schmitt është profesor i imunoterapisë qelizore dhe drejton Good-Manufacturing-Practice Core Facility pranë Klinikës së Hematologjisë, Onkologjisë dhe Reumatologjisë të Spitalit Universitar të Heidelbergut, një strukturë ku prodhohen terapi qelizore.

Në studime shumëqendrore mbi ndërveprimin ndërmjet metabolizmit, mikrobiomës dhe terapive qelizore, në të cilat Schmitt ka marrë pjesë, është treguar se si lloji dhe gjatësia e zinxhirit të disa acideve yndyrore, ashtu edhe disa baktere të veçanta të zorrëve, mund ta ndryshojnë funksionin e qelizave T.

Më shumë për këtë temë

Shërim me qeliza CAR-T:
“Vdekja nuk do të më kishte shqetësuar më”

Mbrojtje nga parazitët:
“Qelizat imunitare i murosin parazitët për së gjalli”

Intervistë me Katalin Karikó:
“Nëse universiteti nuk do të më kishte larguar nga puna në moshën 58-vjeçare, nuk do të kishte vaksinë BioNTech”

Qelizat CAR-T të studimit amerikan vinin vërtet nga gjaku i njerëzve, por efekti i tyre deri tani është testuar vetëm në laborator dhe te minjtë.

Për më tepër, ushqyerja e pjesëmarrësve në eksperiment nuk ishte e standardizuar: pas agjërimit ata mund të zgjidhnin vetë se çfarë të hanin.

Prandaj, ende mbetet e paqartë se cilat vakte ose cilat lloje yndyrash e shkaktojnë më fuqishëm efektin e vërejtur.

“Sigurisht që duhet të organizojmë studime prospektive dhe të testojmë në mënyrë të synuar ndikimin e dietave të ndryshme mbi efektin e qelizave CAR-T”, thotë Schmitt.

“Kjo do të kërkojë ende vite.”

Deri atëherë mbeten në fuqi rekomandimet e përgjithshme për pacientët me kancer: të ushqehen në mënyrë të ekuilibruar dhe me shumë fibra, si edhe të shmangin konsumimin e tepërt të mishit dhe alkoolit./FAZ