Gjenerata Z e Indisë ia detyron revolucionit digjital fitoren ndaj qeverisë. Por i njëjti revolucion kërcënon njëkohësisht t’ua mbyllë të rinjve rrugën drejt përparimit shoqëror.
“Xhaxha!”, thërret njëzetvjeçari me kapelë të kuqe. “Xhaxha! Kur do të zbresësh përsëri?” Polici paraushtarak me uniformë, mustaqe të zeza dhe beretë shikon i habitur përmes hekurave të furgonit të policisë. Protestuesi sapo është arrestuar. Por tani, me telefonin e tij inteligjent, ai po e vë në lojë pushtetin shtetëror.
“Kur do të zbresësh përsëri, xhaxha?”, është një pyetje që në Indi mund t’ia bësh një të afërmi të bezdisshëm, i cili acarohet për çdo gjë, por jo policisë. Megjithatë, pasi qindra mijëra të rinj indianë, dy javë më parë, me protestat e tyre detyruan ministrin e Arsimit të japë dorëheqjen dhe nëpërmjet një morie të panumërt “memesh” – siç quhen videot, fotografitë dhe tekstet e shkurtra në rrjetet sociale – u tallën me forcat indiane të sigurisë, me qeverinë dhe sidomos personalisht me kryeministrin Narendra Modi, tashmë është e qartë se Gjenerata Z në vend ka krijuar një formë krejtësisht të re opozitare: protestën digjitale. Bëhet fjalë për një grup prej 400 milionë indianësh të lindur ndërmjet viteve 1997 dhe 2012.
Policia dhe kryeministri vihen në lojë në rrjetet sociale
Shkak për këtë u bë skandali me pyetjet e provimit kombëtar për pranimin në fakultetet e mjekësisë, të cilat ishin zbuluar paraprakisht. Pasi qeveria urdhëroi përsëritjen e testit rraskapitës, i cili është aq vendimtar për të ardhmen e më shumë se dy milionë kandidatëve sa të rinjtë përgatiten për të për vite me radhë, pati të paktën një duzinë vetëvrasjesh.
Pasi “Partia e Buburrecave”, e themeluar nga të rinjtë si satirë, bëri thirrje përmes llogarisë së saj në Instagram për një demonstratë kundër shtetit dhe papunësisë së lartë të të rinjve në vend, masa të mëdha njerëzish u mblodhën në kryeqytet dhe në rrjetet sociale filluan të talleshin me autoritetet në një mënyrë të paparë më parë.
Fakti që të rinjtë u bërtisnin policëve që i godisnin me shkopinj, duke i pyetur nëse kishin ngrënë mirë mëngjesin, u bë viral në Indi, po aq sa edhe pamjet e të arrestuarve të buzëqeshur, të cilët vazhdonin ta vinin në lojë pushtetin shtetëror edhe nga brenda furgonëve të policisë.
Internetin e vërshuan edhe parodi me 75-vjeçarin Modi, ku të rinjtë lyenin fytyrën me shkumë banje për të imituar mjekrën e bardhë të kryeministrit, i cili deri pak më parë konsiderohej pothuajse i paprekshëm. Policët që tundnin shkopinjtë u montuan në pamje me estetikën e lojës për telefona “Subway Surfers” dhe videot shoqëroheshin me muzikën e lojës.
Me telefonin inteligjent si armë, Gjenerata Z shndërrohet në kundërpushtet
Ajo që u pa tashmë gjatë kryengritjeve masive në Bangladesh dhe Nepal, ku protestat e të rinjve të organizuara përmes rrjeteve sociale rrëzuan qeveritë në vendet fqinje të Indisë, po vlen tani edhe për Indinë: moderniteti digjital po i jep brezit të ri një fuqi kundërvënëse që deri më tani ishte krejtësisht e panjohur. Por jo vetëm kaq.
Nga ana tjetër, automatizimi dhe inteligjenca artificiale (IA) po shtojnë presionin mbi një treg pune tashmë të tensionuar, i cili përbën shkakun më të thellë të protestave.
Kur në pranverë kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic prezantoi mjete të reja që automatizojnë shumë detyra rutinë të deritanishme, si testimi i programeve kompjuterike, programimi dhe analiza e të dhënave, aksionet e gjigantëve indianë të teknologjisë së informacionit, si Infosys, Tata Consultancy Services (TCS) dhe HCLTech, ranë ndjeshëm, duke zhdukur miliarda nga vlera e tyre në bursë.
Nëse futja e IA-së në Indi shkon keq, vendi mund të humbasë vetëm në sektorin e teknologjisë së informacionit një të katërtën e vendeve të punës, llogarit NITI Aayog, institucioni më i lartë këshillimor politik i qeverisë, që harton udhëzimet e politikës ekonomike. Kjo do të nënkuptonte dy milionë vende pune më pak se sot.
Deri në vitin 2030, 60 për qind e punës formale në Indi mund të automatizohet.
Njerëzit në vend nuk po e kuptojnë rrezikun që paraqet IA-ja, ka thënë Kunal Shah, sipërmarrësi më i njohur i start-up-eve në Indi dhe, prej pak kohësh, drejtuesi ndërkombëtar i shërbimit të mesazheve WhatsApp, që i përket Meta-s.
Sipas tij, 90 për qind e punëtorëve pas dhjetë vjetësh nuk do ta kenë më punën që kanë sot – gjë që, megjithatë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jenë të papunë. Vetëm se do të jenë më të varfër.
IA-ja ua heq njerëzve mundësitë për rritjen e të ardhurave: “Përveçse nëse njerëzit bëhen jashtëzakonisht të zotë në përdorimin e IA-së për punën e tyre.”
Një kompani e IT-së largon 3.000 njerëz për shkak të IA-së. Një tjetër punëson
Duke pasur parasysh mosbesimin me të cilin rinia e Indisë e sheh botën e së nesërmes të dominuar nga IA-ja, kjo tingëllon pothuajse si një përpjekje për t’i qetësuar.
Edhe sot, tregu i punës për të diplomuarit universitarë është katastrofik. Vetëm shtatë për qind e të diplomuarve universitarë arrijnë të gjejnë një vend pune të përhershëm gjatë vitit të parë pas diplomimit.
Sipas studimit “State of Working India” të Universitetit Azim Premji, prej nga vijnë këto të dhëna, 40 për qind e të diplomuarve universitarë nën moshën 25 vjeç janë të papunë.
Tani kësaj i shtohet edhe frika nga IA-ja. Në një studim, 70 për qind e anëtarëve të Gjeneratës Z thanë se kishin frikë se mund ta humbnin vendin e punës për shkak të IA-së, ndërsa një përqindje edhe më e lartë, 80 për qind e të anketuarve, deklaruan njëkohësisht se ishin kureshtarë për mjetet e IA-së.
Edhe komentuesit indianë janë habitur nga afërsia e të rinjve indianë me teknologjinë gjatë protestave të fundit. Kjo mund të nënkuptojë se ata do të arrijnë të përshtaten me botën e re të IA-së dhe se kontradikta teknologjike në jetën e Gjeneratës Z në të vërtetë nuk është kontradiktë. Apo ndoshta është?
Një vështrim në botën e kompanive nuk sjell qartësi.
Kompania TCS, e cila në pranverë, për shkak të frikës së investitorëve nga IA-ja, kishte humbur përkohësisht 22 miliardë euro në vlerën e saj në bursë, në fund të vitit financiar në mars kishte 24.000 punonjës më pak krahasuar me një vit më parë.
Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s e interpreton këtë si një shenjë se IA-ja po zëvendëson shumë detyra, sidomos në menaxhmentin e mesëm dhe të lartë.
Vetë kompania e mohon këtë dhe, në tremujorin e parë të sapopërfunduar të vitit të ri financiar, ka njoftuar rritje të numrit të punonjësve, ndonëse kryesisht në segmentin më të ulët të kualifikimeve: ofruesi i shërbimeve të IT-së me seli në Mumbai punësoi 14.000 të rinj – më shumë se kurrë më parë në një periudhë kaq të shkurtër.
Drejtori ekzekutiv K. Krithivasan e ka quajtur të ekzagjeruar “AI worry and anxiety”, pra panikun dhe ankthin lidhur me IA-në. Teknologjia do t’i ndryshojë vendet e punës, por nuk do ta shkatërrojë industrinë tradicionale të IT-së. Sipas tij, është jorealiste të mendohet se modelet e mëdha gjuhësore do ta zëvendësojnë softuerin klasik të ndërmarrjeve.
Pyetja ndoshta nuk është nëse IA-ja do t’i lërë masat pa punë
Kjo tingëllon shpresëdhënëse. Po të mos ishte rasti i HCLTech, kompanisë tjetër që gjatë shkurtit, pikërisht për shkak të këtij paniku rreth IA-së, humbi 15 për qind të vlerës në bursë.
Kompania nga “qyteti i së ardhmes” Noida, pranë Delhit, e cila punëson 223.000 njerëz në mbarë botën, gjatë tremujorit të fundit financiar në bilancin përfundimtar e uli numrin e punonjësve me më shumë se 3.000.
Arsyeja: punonjësit e kanë rritur ndjeshëm produktivitetin me ndihmën e IA-së – dhe si pasojë HCLTech ka nevojë për më pak fuqi punëtore njerëzore.
Nuk mungojnë parashikimet e drejtuesve të kompanive indiane të IT-së që thonë se në të ardhmen industria do të ketë nevojë për më pak njerëz, sepse të ardhurat do të mund t’i rrisë edhe me ndihmën e IA-së.
Megjithatë, eksperti i njohur i tregut të punës Manish Sabharwal e konsideron të gabuar përqendrimin vetëm te pyetja nëse IA-ja krijon apo shkatërron vende pune.
Themeluesi i TeamLease, një prej ndërmjetësuesve më të mëdhenj të punësimit në vend, ka qenë më parë anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Indisë dhe këshillon qeverinë për çështjet e punës dhe arsimit.
Ashtu si themeluesi i start-up-eve Kunal Shah, edhe Sabharwal mendon se në të ardhmen fati i vendit do të varet më shumë nga mënyra se si do të shpërndahen përfitimet e produktivitetit të krijuara nga IA-ja.
A do të shpërndahen ato gjerësisht në vend dhe a do t’i përmirësojnë në përgjithësi vendet e punës? Apo vetëm disa gjigantë, si TCS dhe HCLTech, do të investojnë miliarda në IA, do t’i rrisin të ardhurat dhe pjesën e tyre në treg, ndërsa në të njëjtën kohë do t’i ulin pagat?
Ku do ta rrisë IA-ja produktivitetin?
Me shumë gjasë, fituesit kryesorë do të jenë korporatat. Këtë e druhet Sabharwal.
Papunësia në Indi, në raport me popullsinë e përgjithshme, zyrtarisht është 5,5 për qind, pra jo tepër e lartë. Por statistikat mashtrojnë.
Shumë njerëz merren me të ashtuquajturën punë informale, në biznese të vogla dhe joproduktive, si salloni i flokëve në një rrugicë anësore, ku vetëm një njeri i pret flokët – pronari vetë. Sepse nuk ka askënd tjetër.
“Papunësi e punëdhënësve” – kështu i quan sipërmarrësi dyqanet e vogla familjare, serviset e motoçikletave dhe kioskat e ushqimit ku pagat nuk rriten kurrë, ku nuk ka trajnime për IA dhe ku nuk ekzistojnë mundësi për përparim në karrierë.
Kjo nuk do të ndryshojë as nëse berberi përdor një chatbot në telefonin e tij inteligjent, thotë Sabharwal.
Nëse India nuk arrin që, përmes IA-së, të krijojë në shkallë të gjerë vende pune më të mira dhe më produktive, atëherë ekziston rreziku që pagat në kompanitë e mëdha të bien, ndërsa të rinjtë të dështojnë edhe më shpesh përballë pengesës tashmë edhe më të lartë për hyrjen në tregun e punës.
“Ku janë vendet e punës?”, shkruhej në pankartat e protestuesve në Delhi.
Kur Narendra Modi organizoi në kryeqytet, në shkurt, samitin e tij pompoz “India AI Summit”, dhjetëra protestues me pjesën e sipërme të trupit të zhveshur hynë me forcë në sallat e ekspozitës për të protestuar kundër festimit të inteligjencës artificiale, ndërkohë që, sipas tyre, e njëjta teknologji po kushtonte masivisht vende pune.
Që në shkollën fillore duhet të mësohet IA – por shpesh nuk ka as kompjuterë
Në këtë sfond, këshilla e atyre që kanë përfituar nga revolucioni digjital, si drejtuesi i WhatsApp-it Kunal Shah, tingëllon mjaft e lehtë kur multimilioneri u thotë bashkatdhetarëve të tij të rinj se në të ardhmen duhet të mësojnë shumë më tepër në mënyrë të pavarur, në mënyrë që të mos mbeten pas në botën e re të IA-së.
Revista “Outlook” sapo ka analizuar, në një hulumtim të gjerë, planet ambicioze të Indisë për ta futur IA-në që në shkollën fillore.
Përfundimi: ekziston rreziku që IA-ja ta zgjerojë ndarjen brenda vendit, në vend që ta zvogëlojë.
Mes fëmijëve si nxënësi elitar Pranet, i cili vetë zhvillon mjete të IA-së, dhe vajzës Afreen nga një lagje e varfër, e cila ka dëgjuar për IA-në, por nuk mund ta përdorë sepse në shkollën e saj mungojnë kompjuterët, po krijohet një hendek i ri, paralajmëron ekonomisti i zhvillimit Santosh Mehrotra.
Nuk mungojnë shembujt e shkollave shtetërore ku më shumë se 1.000 nxënës duhet t’i ndajnë vetëm dymbëdhjetë kompjuterë të vjetruar.
Kur qeveria bëri inventarizimin vitin e kaluar, një e treta e shkollave nuk kishin fare qasje në internet. Dhe aty ku interneti ekziston, jo rrallë financohet nga xhepi i vetë mësuesve.
Por në sondazhe, gjysma e mësuesve nuk arrijnë t’i përgjigjen saktë as pyetjes nëse IA-ja mund të marrë vendime të vetëdijshme si një njeri.
Për fëmijët indianë, këto nuk janë kushte të mira.
Nëse një brez i tërë hyn në jetën e të rriturve pa kompetenca në IA, atëherë ekziston rreziku që avantazhi demografik i Indisë të shndërrohet në barrë, druhet ekonomisti Mehrotra.
Pabarazia në Indi mund të rritet përsëri, megjithëse, të paktën e matur sipas konsumit, ajo ka rënë gjatë viteve të fundit, sipas Bankës Botërore.
Megjithatë, të ardhurat tashmë po largohen gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra. Dhjetë për qind më të pasurit e popullsisë fitojnë sot 13 herë më shumë se dhjetë për qind më të varfrit.
Kur bëhet fjalë për pasurinë, një për qind e popullsisë më të pasur zotëron 40 për qind të pasurisë së vendit – më shumë, për shembull, sesa në Brazil.
Por ekziston edhe kundërpushteti digjital, me të cilin të rinjtë së shpejti mund të dalin në rrugë edhe për t’i dhënë fund infrastrukturës analoge të arsimit, në mënyrë që të mos mbeten prapa në epokën e IA-së.
Protestuesit nuk duan ta shfuqizojnë kapitalizmin, komentoi “Indian Express”. Ata kërkojnë arsim dhe punë dhe e kanë kuptuar se asgjë nuk do të përmirësohet nëse heshtin si prindërit e tyre.
Prej gati gjashtëdhjetë vjetësh, qeveria e Indisë premton se do t’i rrisë shpenzimet për arsimin në gjashtë për qind të produktit të brendshëm bruto. Por niveli vazhdon të mbetet i ngulitur në katër për qind, vetëm pak më shumë se shpenzimet për infrastrukturën.
Duhet ta dëgjojmë më shumë rininë, ka thënë së fundmi Modi, pasi të rinjtë arritën për një kohë të shkurtër ta gjunjëzonin qeverinë e tij.
Deri më tani, kryeministri është lavdëruar kryesisht në kanalin e të moshuarve, X, për ura dhe linja të reja hekurudhore.
Prej disa ditësh, tani ai po i drejtohet drejtpërdrejt Gjeneratës Z edhe në Instagram:
“Hi, friends”.
Dhe ndoshta së shpejti do t’i drejtohet edhe një chatboti në kompjuterë krejt të rinj, në klasat e shkollave të zonave rurale./FAZ















