Ballina Aktualitet Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me...

Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me përgjegjësi personale

Kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues në Hagë, Charles L. Smith III, ka kërkuar nga të pranishmit në sallën e gjyqit që të ruajnë qetësinë, duke theksuar rëndësinë e procesit gjyqësor.

“U kërkojmë me mirësjellje personave të qëndrojnë në heshtje. Mbani parasysh që këtu jemi në gjykatë dhe po shqyrtojmë çështje të rëndësishme. Çdo prishje e qetësisë do të çojë në marrjen e masave nga gjykata”, ka thënë Smith, përcjell Telegrafi.

Duke shpjeguar se çfarë është objekt i procesit gjyqësor, Smith ka theksuar se çështja ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve dhe jo me vlerësimin e UÇK-së apo të qëllimit të saj politik.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve që lidhen me këtë çështje. Nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur”, është shprehur ai.

Sipas tij, procesi nuk ka për qëllim as krahasimin apo vlerësimin e përgjegjësive të palëve të ndryshme në konflikt.

“Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundër atyre të palës tjetër. Nuk ka të bëjë me veprimet e forcave paramilitare dhe ushtarake që, padyshim, forcat serbe kryen kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar Smith.

Ai ka theksuar gjithashtu se procesi nuk lidhet me ndonjë pretendim të përgjithshëm për vetëmbrojtje, por vetëm me akuzat konkrete të paraqitura në aktakuzë.

Publicitet

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me çfarëdo pretendimi për vetëmbrojtje. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe nëse mund të mbahen penalisht të akuzuarit përgjegjës për këto”, ka thënë ai.

Smith ka specifikuar se bëhet fjalë për krimet e pretenduara kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilat aktakuza i lidh me pjesëtarë të UÇK-së dhe me të akuzuarit.

“Lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia e të akuzuarve është vetëm personale. Ky parim mishërohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara”, ka përfunduar kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues.