Një tjetër rast i trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë është goditur në Portin e Durrësit. Në kuadër të operacionit të koduar “Anchor 3”, Policia ka sekuestruar 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg rreth 2 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit. Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të imtësishëm të një kontejneri me origjinë nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të fshehura në kapakët e jashtëm të kontejnerit. Sasia totale e sekuestruar ishte 41.350 gramë, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Ky është rasti i tretë i tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit brenda një muaji. Strukturat e Policisë vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin final të kokainës, si dhe për të identifikuar personat e përfshirë në trafik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./vizionplus.tv








![Polakët kanë frikë nga inteligjenca artificiale. Sondazhi tregon përmasat [SONDAZH]](https://tetovanews.info/wp-content/uploads/2026/10/bfhk9kpTURBXy84NGQ2OTZiMGU2N2Q5OTQxZTI1YWMxZjI2ZmQxZmQ2MS5qcGeSlQMAAM0HgM0EOJMFzQVkzQKy3gACoTAGoTEB-300x160.avif)






