Thomas Latschan
A mundet inteligjenca artificiale, në më pak se një dekadë, ta shkatërrojë të gjithë njerëzimin? Shkencëtarët që merren me inteligjencën artificiale paralajmërojnë për garën e parregulluar të zhvillimit – dhe për dështime me pasoja fatale.
Një skenar i tillë nuk është krejtësisht i ri. Që në vitin 1991, në kinema u shfaq një film hollivudian që, që në sekuencën hyrëse, paraqiste një tablo jashtëzakonisht të zymtë: “Terminator 2”. Filmi fillon në një të ardhme të largët, të shkatërruar nga lufta. Robotë vrasës dhe mjete fluturuese ndjekin njerëzit e fundit në planet, të cilët luftojnë për mbijetesë. Këto makina kontrollohen nga një inteligjencë artificiale ushtarake që ka dalë jashtë kontrollit, e quajtur “Skynet”. “E ardhmja e largët” në të cilën zhvillohet ky vizion distopik është viti 2029.
Thirrje për rregullim
Nëse u besohet paralajmërimeve të disa zhvilluesve të inteligjencës artificiale, një skenar i ngjashëm mund të bëhet realitet, madje edhe brenda afatit kohor të parashikuar në film.
“Ata që zhvillojnë inteligjencën artificiale besojnë seriozisht se ajo mund të na shkatërrojë të gjithëve deri në fund të dekadës”, shkroi këtë javë në platformën X studiuesi i inteligjencës artificiale Jacob Coxon.
Ai nuk saktëson se si pikërisht mund të ndodhte kjo, por thekson se “asnjë veprimtari tjetër njerëzore nuk ka një potencial të tillë rreziku”.
Deri vonë, Coxon ishte i punësuar në “Anthropic”, një kompani amerikane e inteligjencës artificiale, e financuar ndër të tjera edhe nga “Google” dhe “Amazon”. Në shenjë proteste ndaj asaj që, sipas tij, është një garë e papërgjegjshme e atyre që merren me inteligjencën artificiale për zhvillimin e një superinteligjence autonome gjithnjë e më të avancuar, ai dha dorëheqjen.
Coxon paralajmëron se algoritmet mund të analizojnë dhe përmirësojnë në mënyrë të pavarur kodin e tyre burimor, duke shkurtuar potencialisht ciklet e zhvillimit nga disa muaj në vetëm disa minuta dhe duke hyrë në një sferë përtej kontrollit njerëzor.
Coxon nuk është i vetmi që është i shqetësuar. Fizikani dhe laureati i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i cili konsiderohet “kumbari i inteligjencës artificiale”, prej vitesh paralajmëron për pasojat serioze që mund të sjellë kjo teknologji. Në vitin 2023 ai u largua nga “Google” për të paralajmëruar publikisht për rreziqet e teknologjisë në zhvillimin e së cilës kishte marrë pjesë edhe vetë.
Edhe fituesi i Çmimit Turing, Yoshua Bengio, është i shqetësuar për zhvillimet aktuale. Pionieri i inteligjencës artificiale nga Universiteti i Montrealit bën vazhdimisht thirrje për një rregullim të rreptë shtetëror të zhvillimit të saj.
Në korrik të vitit 2026, më shumë se një mijë punonjës të kompanive kryesore të inteligjencës artificiale paralajmëruan, në një letër të hapur, për një humbje të pashmangshme të kontrollit, nëse gara për optimizimin e “superinteligjencës” nuk i nënshtrohet një rregullimi dukshëm më të mirë.
“Të bllokuar në një garë”
Megjithatë, gjatë mandatit të Donald Trumpit ndodhi pikërisht e kundërta – Shtetet e Bashkuara e orientuan politikën e tyre për inteligjencën artificiale drejt sa më pak pengesave rregullatore dhe një zhvillimi teknologjik sa më të shpejtë.
Në postimin e tij në platformën X, Coxon kritikoi gjithashtu në mënyrë të tërthortë pasojat e një politike të tillë.
“Në OpenAI, shumë njerëz nuk e kanë përvetësuar thellësisht vetëdijen për rreziqet ndaj qytetërimit. Në Anthropic, rreziqet kuptohen shumë mirë, por ata janë të bllokuar në përpjekjen për ta udhëhequr garën, duke menduar se askush tjetër nuk do të veprojë me përgjegjësi, prandaj edhe ata vetë duhet ta bëjnë këtë, pavarësisht rrezikut”, thotë Coxon.
Robotët vrasës tashmë janë realitet
Coxon kaloi nga OpenAI në Anthropic në fillim të vitit 2026, kështu që ai i njeh të dyja kulturat korporative.
Në një intervistë për “The Wall Street Journal”, ai deklaroi gjithashtu se, sipas “skenarëve më agresivë”, gjërat mund të dilnin jashtë kontrollit që nga fundi i vitit 2027.
Problemi i përafrimit
Gjatë viteve të fundit, shumë ekspertë kanë shprehur shqetësim për përparimin e vrullshëm të inteligjencës artificiale, ndërsa veçanërisht zhvillimi i të ashtuquajturës “inteligjencë e përgjithshme artificiale” është në qendër të debatit.
Bëhet fjalë për sisteme që jo vetëm zgjidhin detyra të veçuara, por arrijnë ose tejkalojnë aftësitë intelektuale njerëzore në pothuajse të gjitha fushat.
Disa studiues pohojnë se një teknologji e tillë mund të sjellë rreziqe të paparashikueshme. Modele të tilla të avancuara të inteligjencës artificiale mund të ndjekin objektiva në një mënyrë që devijon nga synimet njerëzore.
Studiuesit e sigurisë së inteligjencës artificiale këtë dukuri e quajnë “problemi i përafrimit”.
E thënë thjesht, urdhri “fito turneun e shahut” teorikisht mund të nënkuptojë eliminimin e pjesëmarrësve të tjerë, përmes çfarëdo forme të imagjinueshme të “eliminimit”.
Kësaj i kontribuon edhe fakti se as vetë programuesit nuk e kuptojnë gjithmonë plotësisht se si merren disa vendime.
Prandaj nuk është për t’u habitur që Evan Hubinger, ish-koleg i Coxonit, iu bashkua paralajmërimeve të tij për rrezikun.
Hubinger drejton ekipin e testimit të stresit për përafrimin në Anthropic dhe shkroi në platformën X:
“Jacob ka të drejtë; ne vërtet besojmë seriozisht se inteligjenca artificiale mund t’i vrasë të gjithë njerëzit! Personalisht, probabilitetin që kjo të ndodhë gjatë dekadës së ardhshme e vlerësoj në më shumë se dhjetë për qind.”
Hubinger, ndërkohë, e bëri të qartë se “Anthropic” ende nuk ka gjetur një zgjidhje për problemin e përafrimit dhe shton se inteligjenca artificiale mund të fillojë t’i kundërvihet fikjes së vet, jo nga ligësia, por sepse atëherë nuk do të mund ta arrinte më objektivin për të cilin është programuar.
Daniel Kokotajlo, një ish-studiues i njohur i OpenAI-t, gjithashtu e përshkruan situatën aktuale në industri si “të çmendur”.
Histeri e tepruar?
Megjithatë, ekspertë të tjerë të inteligjencës artificiale konsiderojnë se skenarë të tillë apokaliptikë kanë pak gjasa të ndodhin.
Debati nëse inteligjenca artificiale mund të bëhet e rrezikshme për njerëzimin vazhdon prej vitesh.
Ndër kritikët më të shquar të të ashtuquajturve “profetë të katastrofës” është shkencëtari kryesor i Meta-s, Yann LeCun. Në tetor të vitit 2024 ai i hodhi poshtë ide të tilla si “marrëzi e plotë”.
Ekspertë të tjerë theksojnë gjithashtu se zhvillimi i sistemeve të tilla kërkon sasi të jashtëzakonshme fuqie kompjuterike, energjie, të dhënash dhe infrastrukture.
Inteligjenca artificiale nuk do të mund ta “merrte thjesht pushtetin mbi botën përmes internetit”. Ajo fillimisht do të varej nga serverët, rrjetet elektrike, sistemet e komunikimit dhe burimet fizike që janë nën kontrollin e njerëzve.
A fshihet rreziku i vërtetë diku tjetër?
Në fakt, shumë ekspertë i shohin rreziqet afatshkurtra jo aq shumë në shkatërrimin e drejtpërdrejtë të njerëzimit, por në pasojat e shumta të tërthorta të sistemeve ekzistuese të inteligjencës artificiale, edhe pa “superinteligjencën”.
Kujdes nga mashtrimet me inteligjencën artificiale!
Këtu përfshihen, për shembull, fushata dezinformimi në përmasa të papara dhe manipulimi i proceseve demokratike që lidhet me to, përhapja e mbikëqyrjes masive dhe humbja e vendeve të punës në shumë sektorë.
Pikërisht të premten e kaluar, kompania Anthropic njoftoi se kishte pasur disa përpjekje nga përdorues për ta keqpërdorur softuerin e saj Claude për zhvillimin e armëve biologjike.
Gjatë muajve të fundit, përdoruesit kishin bërë në disa raste pyetje të dyshimta të këtij lloji. Anthropic ishte detyruar t’i bllokonte.
Në gusht të vitit 2026, Meta, Anthropic dhe OpenAI tërhoqën vëmendjen kur njoftuan se sistemet e tyre të inteligjencës artificiale kishin kryer pa dashje sulme kibernetike autonome ndaj kompanive të tjera.
Nga përdorues njerëzorë kishin marrë detyrën për të hyrë në serverë të caktuar, pas së cilës sistemet kishin kombinuar në mënyrë të pavarur hapat e nevojshëm për ta realizuar atë qëllim, pa udhëzime të tjera nga njerëzit./dw















