Ballina Aktualitet Mickoski për kërcënimet: “Më quante derr dhe thoshte se do të më...

Mickoski për kërcënimet: “Më quante derr dhe thoshte se do të më therte në shesh” – 39-vjeçari në paraburgim

Një 39-vjeçar nga fshati Çerkezi i Kumanovës është vendosur në paraburgim prej tetë ditësh, pasi dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka nisur procedurë ndaj tij për veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, sipas nenit 144, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Mickoski, duke iu përgjigjur të hënën pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në vendkalimin kufitar Tabanoc, tregoi edhe përmbajtjen e një pjese të kërcënimeve.

“Gjatë ditës së djeshme mësova për këto kërcënime të shkruara në rrjetet sociale nga ky person, se gjoja unë qenkam derr dhe se do të më therte në shesh. Ai ka drejtuar edhe sharje ndaj meje dhe familjes sime”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri shtoi se, për shkak të funksionit që ushtron, pret që me rastin të merren institucionet kompetente.

“Unë, megjithatë, jam institucion. Po të mos isha në këtë pozitë, e di se si zgjidhen këto gjëra. Supozoj se institucionet i kanë ndërmarrë masat në përputhje me kompetencat e tyre dhe se përmes MPB-së personi është siguruar. Shpresoj që më tej sistemi gjyqësor të veprojë dhe ta dërgojë atje ku e ka vendin”, tha Mickoski.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kallëzimi penal me procedurë të përshpejtuar është paraqitur nga Njësia për Krim Kompjuterik pranë SPB Kumanovë, në bashkëveprim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Departamentin e Policisë Kriminale pranë Byrosë për Siguri Publike.

Rasti lidhet me një koment të publikuar më 11 shtator 2026 në një postim në profilin e kryeministrit në një rrjet social. MPB-ja njoftoi se komenti kishte përmbajtje kërcënuese dhe se ndaj të dyshuarit është paraqitur kallëzim penal për “Rrezikim të sigurisë”. Gjykatësi i procedurës paraprake më pas i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh.

Publicitet

Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës njoftoi se procedura ndaj 39-vjeçarit është hapur për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të parashikuar në nenin 144, paragrafi 5 të Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, i dyshuari përmes mesazheve në rrjetet sociale e ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin.

Prokurori publik kërkoi paraburgim duke marrë parasysh rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, rrezikun e arratisjes dhe të dhënat për sjelljen e mëparshme të të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, 39-vjeçari është evidentuar edhe si autor i veprave të tjera nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm, përfshirë dhunën dhe fajden, si dhe për një numër më të madh kundërvajtjesh për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Prokuroria vlerëson se, bazuar në provat e siguruara lidhur me sjelljen e tij të mëparshme, bëhet fjalë për një person konfliktuoz që hyn vazhdimisht në debate, kërcënime dhe përplasje fizike.

Sipas organit të akuzës, ekziston “rrezik real që shpërthime të tilla agresive të kalojnë në vepra penale më të rënda, me pasoja që mund të rrezikojnë jetën”.

Prokuroria fillimisht kishte propozuar masën e paraburgimit, ndërsa MPB-ja më pas konfirmoi se gjykatësi i procedurës paraprake e kishte pranuar kërkesën dhe kishte caktuar paraburgim prej tetë ditësh. /Tetova News