Ballina Aktualitet Ndërron jetë Flora Brovina, mjekja, poetja dhe veprimtarja e njohur e Kosovës

Ndërron jetë Flora Brovina, mjekja, poetja dhe veprimtarja e njohur e Kosovës

Ka ndërruar jetë sot, më 15 shtator 2026, në moshën 76-vjeçare, Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike, shoqërore, humanitare dhe kulturore të Kosovës.

Lajmin për ndarjen e saj nga jeta e ka konfirmuar familja.

“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, se u nda nga jeta më e dashura jonë, Dr. Flora Brovina”, thuhet në njoftimin e familjes.

Familja e përshkruan Brovinën si mjeke, poete, humaniste, aktiviste për të drejtat e njeriut, ish-e burgosur politike, veterane të Luftës së UÇK-së, deputete dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“Si mjeke u shërbeu njerëzve me përkushtim e dhembshuri; si poete na la fjalën dhe shpirtin e saj; ndërsa me veprën, qëndresën dhe humanizmin e saj la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të shqiptarisë”, theksohet në njoftim.

Flora Brovina lindi më 30 shtator 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë. Ajo studioi mjekësi dhe u specializua në pediatri në Zagreb. Pas kthimit në Kosovë punoi për një periudhë si gazetare në gazetën “Rilindja”, përpara se t’i rikthehej profesionit të mjekes, duke punuar për shumë vite në repartin e pediatrisë të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës.

Brovina ishte gjithashtu poete dhe aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe të njeriut. Ajo botoi vepra poetike dhe veprimtaria e saj letrare u bë e njohur edhe jashtë Kosovës.

Publicitet

Një nga kapitujt më të rëndë të jetës së saj lidhet me luftën në Kosovë. Më 20 prill 1999 ajo u arrestua nga forcat serbe. Më vonë u transferua në burgun e Pozharevcit dhe u dënua me 12 vjet burg. Vendimi u rrëzua nga Gjykata Supreme e Serbisë në vitin 2000, ndërsa Brovina u lirua në tetor të vitit 2001 pas presionit ndërkombëtar.

Pas luftës ajo u përfshi fuqishëm edhe në jetën politike të Kosovës. Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mandate. Në një intervistë të saj për projektin Oral History Kosovo, ajo vetë e përshkruante veten si “ish-politikane” dhe “deputete për gjashtë mandate të Parlamentit të Kosovës”.

Familja ka theksuar se përtej angazhimit publik, Flora Brovina ishte “nëna dhe gjyshja jonë e dashur, motra dhe zemra e familjes sonë”.

“Do ta kujtojmë me mall, dashuri dhe mirënjohje të përjetshme. U prehtë në paqe”, thuhet në njoftim. Detajet për ceremoninë e varrimit dhe pritjen për ngushëllime pritet të publikohen më vonë./TN