Ballina Bota Operacion kundër organizatave kriminale të gjeneratës së re në 48 provinca: Urdhër...

Operacion kundër organizatave kriminale të gjeneratës së re në 48 provinca: Urdhër ndalimi për 1.008 persona

Ministria e Brendshme e Turqisë njoftoi se, në operacionet e zhvilluara në 48 provinca kundër organizatave kriminale të gjeneratës së re, është lëshuar urdhër ndalimi për 1.008 persona të dyshuar.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se, me urdhër të ministrit të Brendshëm Mustafa Çiftçi dhe nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë – Departamentit për Luftën kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar (KOM) dhe Prokurorive Publike, është zhvilluar një punë e përbashkët nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MİT), Drejtoria e Inteligjencës pranë Policisë dhe Departamenti për Luftën kundër Krimit Kibernetik.

Operacioni kishte në shënjestër organizatat kriminale të ashtuquajtura të gjeneratës së re dhe strukturat e tyre në rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit.

Në këtë kuadër, gjatë operacioneve të zhvilluara në 48 provinca u lëshuan urdhra ndalimi për 1.008 persona të dyshuar.

Në deklaratën e Ministrisë thuhet:

“Gjatë hetimeve është konstatuar se të dyshuarit, përmes grupeve të krijuara në platformat e komunikimit, publikonin përmbajtje me qëllim sigurimin e personave për kryerjen e vrasjeve me pagesë ose ofroheshin vetë për të vepruar si ekzekutorë; përmes llogarive të tyre në rrjetet sociale publikonin përmbajtje që lavdëronin krimin dhe kriminelët, përmbajtje me kërcënime, fyerje dhe propagandë të organizatave kriminale; përpiqeshin t’i bënin publike aktivitetet e tyre kriminale përmes rrjeteve sociale; i zhvendosnin armiqësitë dhe rivalitetet ndërmjet organizatave kriminale në platformat e rrjeteve sociale; përpiqeshin të krijonin perceptimin se aktivitetet kriminale janë diçka normale dhe, duke përdorur rrjetet sociale, synonin të rekrutonin anëtarë të rinj për organizatat e tyre.”

MINISTRI ÇİFTÇİ: PO UA PRISHIM LLOGARITË ATYRE QË MENDOJNË SE RRJETET SOCIALE JANË “VITRINA E KRIMIT”

Ministri i Brendshëm Mustafa Çiftçi, në një postim në rrjetet sociale lidhur me operacionet, theksoi se autoritetet po ua prishin planet atyre që i konsiderojnë rrjetet sociale si “vitrinë të krimit”.

Publicitet

Çiftçi deklaroi:

“Nuk do t’ua lëmë terrenin atyre që, duke u fshehur pas ekraneve, përpiqen të helmojnë të rinjtë tanë, të nxisin krimin dhe t’i shndërrojnë kërcënimet dhe dhunën në demonstrim force.

Ashtu siç nuk u japim mundësi bandave kriminale të marrin frymë në rrugë, edhe ‘rrjeteve kriminale të gjeneratës së re’ do t’ua ngushtojmë hapësirën kudo që përpiqen të veprojnë në botën virtuale.

Pas cilësdo llogari, platforme apo strukture të errët që të përpiqen të fshihen, dora dhe fryma e shtetit tonë do të jenë mbi ta.

I përgëzoj policët tanë heroikë dhe të gjitha njësitë që kontribuuan në këtë operacion.”

BURHANETTİN DURAN: ORGANIZATAT KRIMINALE TË GJENERATËS SË RE JANË NJË PROBLEM SHUMËDIMENSIONAL I SIGURISË

Edhe drejtori i Komunikimeve i Presidencës, Burhanettin Duran, në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në platformën NSosyal, tha se organizatat kriminale të gjeneratës së re janë struktura që jo vetëm kërcënojnë rendin dhe sigurinë publike, por kanë në shënjestër edhe fëmijët dhe të rinjtë.

Duran theksoi se këto struktura, të cilat i përdorin rrjetet sociale dhe platformat digjitale për propagandimin e krimit dhe për rekrutimin e anëtarëve, përbëjnë një problem shumëdimensional të sigurisë, pasi veprojnë edhe përmes lidhjeve ndërkombëtare dhe rrjeteve financiare.

Ai deklaroi:

“Lufta kundër këtyre strukturave zhvillohet me një qasje gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e të gjitha niveleve të shtetit tonë: nga neutralizimi i elementeve kriminale në terren, deri te nxjerrja para drejtësisë e drejtuesve të organizatave dhe personave që urdhërojnë krimet; nga ndërprerja e burimeve të tyre financiare, deri te parandalimi i propagandës kriminale në platformat digjitale.

Duke forcuar politikat sociale që do t’i mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë nga shfrytëzimi prej rrjeteve kriminale, duke identifikuar herët rreziqet dhe duke mbështetur familjet, nuk do t’u japim asnjë mundësi këtyre strukturave që kërcënojnë të ardhmen tonë.

Nën udhëheqjen e Presidentit tonë, zotit Recep Tayyip Erdoğan, nuk do të tolerojmë asnjë strukturë kriminale që synon paqen e popullit tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe rendin publik. Luftën kundër organizatave kriminale të gjeneratës së re do ta vazhdojmë me vendosmëri, brenda parimeve të shtetit të së drejtës.”/NTV