Ballina Aktualitet Ekonomi Një vit në reklama: ekspertët zgjedhin më të mirat e tregut shqiptar...

Një vit në reklama: ekspertët zgjedhin më të mirat e tregut shqiptar (VIDEO)

Ina Xhani*

Në ditën e vitit që shkon dhe të parat e atij që vjen, mediat janë të mbushura me lista: lajmet më të bujshme të vitit, politikanët më aktivë, filmat më të bukur, librat më të mirë, etj. Është një mënyrë për t’i kënaqur të gjitha palët: lexuesve ju ofron një rifreskim të 365 ditëve që shkuan, dhe gazetarëve ju jep një mundësi që 31-shin ta mbyllin pak më herët dhe të paktën një herë në vit të mblidhen në shtëpi në një orar normal (përveç gazetarëve të televizioneve….ata, bashkë me teknikët, janë të dënuar ta presin ndërrimin e viteve para ekrani të kompjuterit apo pultit të transmetimit.) Kështu që, ne lexojmë/shohim listat dhe kujtojmë se sa shpejt ikën viti, pyesim veten “pse në 2018 ndodhi kjo?” dhe bëjmë një shënim më mendje (që do të harrohet shumë shpejt) për të parë/lexuar X film/libër.

Ajo që mungon është një listë që, ashtu si lista e ngjarjeve më të bujshme apo politikanëve më aktivë, na prek të gjithëve. Prek median, sepse (në shumicën e rasteve) janë burimi i tyre kryesor financiar; prek lexuesin, sepse në bazë të efikasitetit të tyre ne ndryshojmë sjelljen tonë; prek bizneset, sepse, përsëri, efikasiteti i tyre ndikon te rritja e fitimeve. Mungon lista e reklamave, apo fushatave promocionale, më të mira. Kështuqë, vendosa të bëhesha pionere (jo e Enverit) dhe të bëj një artikull për reklamat më të mira të zhvilluara në tregun shqipfolës. Kriteri i vlerësimit do të ishte i thjeshtë: persona që punojnë në agjenci komunikimi do të zgjidhnin 2 reklamat/fushatat më të mira (sipas tyre) dhe të jepnin nga një arsyetim për secilën. Kishin dorë (gati) të lirë: fushata mund të ishte nga çdo fushë, por me kushtin që të mos ishte e agjencisë së tyre. E lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u zbatuar!!!

Kishte nga ata që nuk donin t’i hynin fare kësaj pune, ndoshta sepse kush do të bëjë një punë ekstra kur pushimet janë te pragu i derës, por kishte dhe nga ata që thoshin se nuk pëlqente asnjë reklamë, as nga ato për të cilat kishin punuar vetë, për shkak të mungesës së kreativitetit. Por, më në fund, me qetësi dhe me butësi, dhe me ndihmën e tre ‘esnafëve’ që punojnë në agjenci kreative në Shqipëri, arrita të kem një listë me reklamat më të mira. A është një listë e plotë? As që e pretendoj, por është një listë që përfshin reklama vërtetë të vlerësuara, dhe jo qoka 😊

Elvin Nuri–Copywriter, PIK

Gjumë Përrallor me Dormeo

Agjencia kreative: Koperativa

Të them të drejtën, nuk më pëlqejnë princeshat e as më shumë princat. Por agjencia kosovare Koperativa i përdori të dyja këto figura të së shkuarës në mënyrë tejet origjinale në fushatën “Gjumë Përrallor me Dormeo”, për Dormeo Kosova. Mendoj se spoti TV i kësaj fushate është nga më të mirët që janë prodhuar në trojet shqiptare gjatë gjithë vitit që lamë pas. Aty shohim një kalë që fugon si vetë djall buzë detit që ndriçohet egër nga shkreptimat. Madje princi parakalon mbi kalë në rrugët e Prishtinës. Pastaj, princesha, ajo nuk di të zgjohet jo vetëm nga puthja e princit, por nga gjithfarë marifetesh që shpik ky i fundit. Në fund, kur princi heq dorë dhe ata të dy bashkohen mbi Dormeo për “një gjumë përrallor”, aty unë kërcas gishtat dhe mendoj “ja një koncept fare-fare i thjeshtë, por i ekzekutuar shumë mirë!”

Fushata u zgjerua edhe në formë BTL, me një pajton të brand-uar Dormeo (dhe me kuaj të vërtetë!!!), i cili udhëtoi dhe u ndal nëpër disa qytete kosovare. Në përgjithësi si ide është e bukur, por karrocierët nuk mu dukën fare “përrallor”. Në rrjetet sociale fushata është “luajtur” goxha mirë.

Vodafone Network Gigabit

Agjencia kreative Le Spot Group

Pavarësisht se ku ndodhesh, në zyrë apo i ulur në bar me miqtë, është (gati) gjithmonë dikush pranë teje që nxjerr telefonin nga xhepi dhe të tregon një video të fëmijës, të nipit ose të mbesës së tij. Sigurisht, janë video të bukura dhe emocionuese (gati) përherë. Fushata e Le Spot Group, për Vodafone Network Gigabit, mendoj se përfaqëson përsosmërisht shpirtin e kohës ose të ardhmen e afërt. Tani e tutje me mijëra prindër, të ngecur në zyrë me orare të tejzgjatura , do të ndjekin sukseset dhe dështimet e fëmijëve të tyre në kohë reale dhe nga ekrani i telefonit. Ej, s’ka gjë! Fundja, internetin do ta kesh super-super të shpejt! Përtej shakave dhe gjysmë të vërtetave, produkti më i ri Vodafone është i përkryer, ndërsa fushata e Le Spot në lartësinë e tij. Ajo që më pëlqen më shumë nga kjo fushatë është spoti video. Jam shumë kurioz t’i hedh një sy skenarit dhe do të jepja një dorë që të isha aty, në set. Teknikisht duket shumë i vështirë për t’u realizuar, ndërsa ideja mbrapa e prezanton publikun shqiptar me një risi teknologjike fare lehtë, kuptueshëm dhe me dozën e duhur të ndjeshmërisë.

Endrit Godeni—Art Director, Landmark Communications

Është e vështirë të flasësh për vitin 2018 në advertising life në Shqipëri, nuk kemi parë diçka ndryshe, të veçantë apo në nivele të larta, kjo për shkak edhe të krizës në identitet të pothuajse të gjitha kompanive private dhe drejtuesvë të tyre, ose expertëve në markëting (të munguar) është më ë lehtë “të vjedhësh” sesa të pranosh ide të reja nga agjencitë vendase dhe ndërkombëtare. Do ta kisha më të lehtë të flisja për fushatat më skandalozë të vitit që lamë pas.

Pritshmëritë nga kompanitë celulare në Shqipëri janë gjithmonë të mëdha. Duke përjashtuar fushatat ndërkombëtarë, të cilat vijnë të gatshme, nuk është së më ka ngelur mendja tek ndonjë fushatë lokale që vlen ta theksoj.

Megjithatë vlen të përmend një fushatë që më është dukur mjaft e mirë:

“A Ki Kundra?” Gentli Shoes

Agjencia kreative: Tatamata

Është një fushatë që kryesisht synon tregun e Kosovës, por duke qënë se veprimtaria e tyre shtrihet edhe në Shqipëri, po e quaj si fushatë kombëtare. Koncepti në përgjithësi është shumë i mirë, fjala “kundra” në dialekt përdoret për “këpucë” . Loja e fjalës në këtë kocept është mjaft intersante, një qasje me pikëpyetjen “?” … A ki kundra (këpucë), nuk ke? I gjen te Gentli Shoes. Nëse e lexojmë në dialektin toskë, “ kundër” është një përgjigjë për për cilësinë që ky dyqan pretendon. Një reklamë absolutisht e realizuar për tregun dhe kapacitetin shqiptar, që në raste të tilla dëshmon që nuk duhet nënvlërësuar. Fushata pati dhe një mbështetje të mirë edhe online. “A ki kundra?”

You Are a Sunflower

Fushata “You are a sunflower” është absolutisht një fushatë e mirë, gjithëpërfshirëse dhe me një qëllim dhe impakt shumë poziti. Simbolika e përdorur në këtë fushatë dhe shtrirja në 3 shtete e bëjnë shumë të fuqishëm. Puna që ky fondacion bën duke sjellë materiale të prekshme, si bluza, arushë dhe APP (lojë), në funksion të mbledhjes së fondeve nga vet qytetarët dhe transparenca në çdo investim në spitalet e pediatrisë, e bëjnë atë besueshme dhe të veçantë. Kjo fushatë ka një shtrirje të madhe online dhe në mediat socialë ka një numër mjaft të madh kontribuesish. Lulediellin sot e shohim kudo në Tiranë e Prishtinë, dhe tani së fundmi edhe në Shkup dhe kjo fushatë e ka shndërruar preceptimin vizual të kësaj luleje. Sot, çdokujt që sheh lulen e bukur me petalet e verdha, mendja i shkon te “You are a sunflower.”

Gert Zenelaj–Head of Digital and Brand Developer, Vatra

“Edhe Hahet, Edhe Pihet!” Lufra

Reklama është e bukur, dhe argëtuese, por kaq. Online, në kanalin në Youtube të Lufras, mund t’ gjesh të pesta videot që janë krijuar, por vështirë të gjesh informacion tjetër.

Fushata është krijuar në pranverën e 2015. Agjencia për mua mbetet akoma anonim.

Fushata është ë ndërtuar ekskluzivisht në 5 spote televiziv, që për kohën patën një mbulim mediatik shumë të madh. E ndërtuar, me ose pa dashje, në një strategji të qartë dhe në një copy që përmbante pjesën më të madhe të pikave që kërkohen në suksesin ë një fushatë, Lufra arriti një memorizim tw paparë të brandit dhe produktit gjatë periudhës së transmetimit. Edhe pse në vetvete fushat nuk përmbante një Consumer Benefit të qartë, nuk krijonte një Unique Selling Preposition ajo të jepte idenë së ishte e qartë në objektivat e marketingut, komunikimi më një target group të mirëpërcaktuar duke i dhënë asaj background të qartë që në fillim. Gjithsesi suksesi ishtë i madh, besoj shitjet gjatë asaj periudhe janë rritur shumë, por fushata kishte një problem. Nuk ishte e ndërtuar në modelin marketing-komunikimi i integruar. Fushata nuk pati një shtrirje të madhe në mediat e tjera, sidomos në rrjetet socialë. Fushata dukej e bërë posaçërisht për rrjetet socialë dhe gjatë asaj periudhë ka pasur një mungesë të qartë në këtë medie. Më pyetjen që tashmë gjithë Shqipëria i bënte vetes, “kosi hahet apo pihet?” ajo duhet të ishte bërë mbretëreshë e mediave socialë në çdo formë të tij. Një tjetër gabim që mund t’i vë agjencisë dhe drejtuesve të Lufras, është kohëzgjatja e saj. Duhet të ishte planifikuar në një hark kohor më gjatë se ai që realisht u hodh në media. Gjithsesi mbetet ideja më origjinale dhe jo humbëse e kësaj fushatë, të varfër në imazhëri por të pasur me produkt and brand memorability and awareness, duke e kthyer sloganin në gjuhën e përditshme të shqiptarëve dhe duke e asociuar atë më produktin në fjalë.

Shënim i autorit: Ok, dikush po mendon me vete “Vetëm 5 reklama, dhe njëra prej tyre është e 2015???” Ndjesë që nuk është një Top 20, por po të marrësh në konsideratë tregun shqipfolës dhe buxhetet e kompanive, nuk është keq. Nuk mund të pretendojmë të hahemi me tregun europian, amerikanë, australian, etj (ata veç mund t’i kopjojmë). Ndoshta vitin tjetër do jenë 10 reklama, të gjitha të 2019 😊. Kreativiteti nuk na mungon…buxheti është tjetër gjë.

*Autorja eshte eksperte PR-i për American Industrial Hygiene Association në Virginia-ShBA.

@tn.lajmelokale
@tetovanews