Ballina Aktualitet Zgjerimi i shumicës, nesër takohen Zaev dhe Gashi

Zgjerimi i shumicës, nesër takohen Zaev dhe Gashi

Kryeministri Zoran Zaev dhe kreu i Alternativës, Afrim Gashi nesër do të takohen në Klubin e deputetëve. Takimin për TV21 e ka konfirmuar vetë kryeministri Zaev, ndërsa siç mësohet formati i takimit do të jetë 1+1, pra vetëm Zaev dhe Gashi.

“Kemi shumicë parlamentare stabile, presim edhe zgjerim të shumicës. Nuk presim zgjedhje të parakohshme parlamentare, e kundërta deri tek zgjedhjet e rregullta në qershor 2024, Qeveria do të fokusohet në zhvillimin e shpejtë ekonomik”, tha për TV21 kryeministri Zoran Zaev.

Takimin e konfirmojnë edhe nga partia e Gashit, por pa konkretizuar se me çfarë kërkesash do të ulen në tavolinë e bisedimeve me kryeministrin Zaev.

“Po, e vërtetë është se do të ketë takim, por takime të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën, do të ketë edhe në te ardhmen. Ndërsa, për atë së çfarë do të flitet në takimin e nesërm, do të ju njoftojmë pas përfundimit të takimit”, deklaroi për TV21 Orhan Murtezani nga Alternativa.

Ministri, Bujar Osmani nga radhët e BDI-së paralajmëron se në javët e ardhshme do të kemi shumicë parlamentare stabile.

“Shumica e re e qëndrueshme është absolutisht e padiskutueshme dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim. Rruga drejt asaj maxhorance të re është alternativa, ka disa opsione për atë maxhorancë të re dhe në momentin që ato bisedime dhe negociata po zhvillohen për të arritur në atë shumicë… Ne presim që ato bisedime të përfundojnë dhe besoj se javën e ardhshme do të kemi një shumicë stabile që do të fillojë të merret me sfidat dhe mundësitë që ka Qeveria”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Se së shpejti do të ketë shumicë parlamentare stabile, mbrëmë në “Click Plus” e pohoi edhe Stefan Bogoev nga LSDM. Tha se dora e bashkëpunimit i është zgjatur Alternativës, por duke mos lënë anësh edhe deputetë të tjerë.

“Besoj se së shpejti do të dalim me një shumicë më serioze dhe më stabile nga ajo që kishim para zgjedhjeve lokale, faktikisht para momentit të votimit të mosbesimit të Qeverisë”, potencoi Stefan Bogoev nga LSDM.

Takimi Zaev-Gashi vjen në kuadër të përpjekjeve për zgjerim të shumicës parlamentare. Alternativa ka 4 deputetë në Kuvend, të cilët nëse i bashkohen shumicës, shumica arrin në 64 deputetë, nëse këtu llogaritet edhe deputeti Kastriot Rexhepi, i cili javën që lamë pas, nuk votoi për rrëzimin e Qeverisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews