Ballina Kronika Ndërron jetë 3-vjeçari nga Ferizaj, nuk u mbijetoi plagëve nga zjarri (FOTO)

Ndërron jetë 3-vjeçari nga Ferizaj, nuk u mbijetoi plagëve nga zjarri (FOTO)

Trevjeçari, të cilit iu dogj trupi mbi 75% në një shtëpi në fshatin Saraishtë të Ferizajt, ka vdekur sot.

Kështu ka bërë të ditur deputeti nga Ferizaj, Dimal Basha, i cili ka shkruar se trevjeçari nuk u ka mbijetuar plagëve nga zjarri, transmeton Zeri.info.

“Sot u njoftuam që Ledioni 3-vjeçar nga qyteti i Ferizajt nuk u mbijetoi plagëve të marra nga zjarri. Lajm që nuk gjen fjalë me përshkru dhimbjen. Ngushëllimet me t’sinqerta për familjen dhe farefisin, dhe uroj qe t’gjejnë forcën që t’përballohen me këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar Basha.

Kujtojmë se një shtëpi në fshatin Saraishtë të Ferizajt është përfshirë nga zjarri të shtunën që lamë pas, ku në të ndodhej fëmija 3-vjeçar, që ka vdekur sot. /Zëri

Ky është voglushi Ledion Zekolli, që humbi jetën tragjikisht pasi shtëpia e tij u përfshi nga flaka
Me këtë rast kreu i Ferizajit Agim Aliu ka shkruar telegram ngushëllimi për familjen

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Sot, qiellit të gëzimit fëmijëror, iu nda vogëlushi Ledion Zekolli. Zemërthyer e plot dhembje jemi të gjithë. Ledioni u nda nga jeta kur veç sa kishte hapur portën e parë të jetës, në moshën 3 vjeçare. Atij aksidentalisht, zjarri që kaploi shtëpinë e tij, i mori edhe jetën, pas përpjekjeve e trajtimit që mori nga mantelbardhët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe përpjekjet sonë për trajtimin e tij jashtë vendit. Por fati vendosi kundër vullnetit tonë.

Shpirti i tij i bardhë si borë e kristal, qoftë i qiellit të paskaj. Ne, kemi qenë e kemi dhënë nga vetja që nga çasti i parë i kësaj tragjedie dhe zotohemi publikisht, se do të marrim përsipër të gjitha shpenzimet për këtë rast tragjik, duke nënkuptuar edhe renovimin e shtëpisë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit!

@tn.lajmelokale
@tetovanews