Ballina Shëndeti Psikologji A janë koha dhe vdekja një iluzion i shpikur nga njerëzimi?

A janë koha dhe vdekja një iluzion i shpikur nga njerëzimi?

Bota e shkencës në zhvillim të vazhdueshëm, është ndonjëherë në kundërshtim me të gjitha leksionet që kanë lënë filozofët përgjatë historisë. Fusha e fizikës është studiuar gjerësisht gjatë shekullit XX-të për të gjetur një përkufizim më të mirë se çfarë është koha.

Disa thonë se koha është shpikur nga ne njerëzit, pasi na pëlqen që t’i masim gjërat. Por këtu do të ndalemi tek teoria e biocentrizmit e Robert Lanzas. Ai është një shkencëtar kompetent në fusha të shumta të shkencës, dhe e shpiku këtë teori vetëm disa vite më parë.

Lanza pretendon se biologjia është fusha më e rëndësishme e shkencës mbi gjithë të tjerat. Në përgjithësi, biocentrizmi përcakton nga një perspektivë etike, se e gjithë jeta meriton një konsideratë të barabartë në aspektin moral, apo se ka një pozitë morale të barabartë.

Përkufizimi i detajuar i biocentrizmit u paraqit në librin me të njëjtin titull të vitit 2011, ku Lanza shkruan se koha, ashtu si edhe vdekja, janë iluzione të krijuara nga mendja njerëzore. Një teori e argumentuar shumë mirë, por edhe e mirë-menduar.

Për të thjeshtuar teorinë e tij: Nëse ju jeni të indoktrinuar për shumë vite se do të shihni një dritë në fund të tunelit kur të vdisni, mendja juaj do ta shohë patjetër dritën. Sipas tij, njerëzimi nuk është në gjendje të matë jetët në sasinë e pafundme të universeve.

Ideja themelore e kësaj teorie është se Universi lind nga jeta jonë. Lanza e sheh jetën dhe Universin si të ndërlidhur, dhe fillimi i Universit ose krijimi i tij është një fenomen më shumë biologjik sesa një aksident i fizikës.

Biocentrizmi po përpiqet t’i japë ndërgjegjes njerëzore shpjegimin më të mirë dhe më logjik shkencor, diçka që ne ende nuk e kuptojmë sepse nuk mund ta masim. Siç u përmend më lart, njerëzimit i pëlqen që të matë gjërat. Nëse diçka nuk mund të matet, ajo nuk ekziston. Por çfarë mund të themi nëse vetëdija është e pamatshme?

Bazuar në kulturat historike me kalimin e kohës, çdo kulturë beson se vetëdija jonë jeton në një farë mënyre. Ne nuk mund ta shohim atë kur largohet nga trupi i dikujt. Po sikur ajo të ekzistojë vetëm në mendjen tonë? Ky është biocentrizmi në terma shumë të thjeshtëzuar.

Fizika si një disiplinë shkencore, është ende mjaft e re, e megjithatë ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në matjen e jetës. Po ç’mund të themi për teoritë e krijuara nga filozofët mbi jetën, vdekjen dhe kohën? Cilët kanë folur më herët përveç Aristotelit të famshëm (384–322 Para Erës Sonë), që për mendimin tim është babai i filozofisë.

Aristoteli krijoi fatalizmin, ndoshta një nga teoritë e para që u përpoqën të shpjegonin kohën dhe jetën. Përmes kësaj teorie, ai argumentoi se çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen është tashmë e pashmangshme. Fatalizmi është përpjekja për ta përcaktuar fatin e një personi në jetë.

Duket sikur jeta është një libër i shkruar para se ju të lindnit, dhe tani thjesht po jetoni sipas asaj që është shkruar. Çdo vendim që do t’ju duhet të merrni në këtë jetë është marrë tashmë. Fatalizmi dhe doktrina e Aristotelit në përgjithësi, mund të pajtohen me biocentrizmin, në kuptimin që universi krijohet dhe mbështetet nga jetët tona, pasi gjithçka që ndodh është e destinuar të ndodhë tashmë, ndërsa Universi rritet nga veprimet tona të pashmangshme.

Platoni (427-347 Para Erës Sonë) i kaloi shumë vite të jetës së tij si filozof, duke u përpjekur të kuptonte jetën, duke marrë parasysh kohën dhe vdekjen. Doktrina e tij filozofike e njohur si Platonizëm, shqyrton ekzistencën e jetës abstrakte e cila nuk përcaktohet nga hapësira apo koha.

Për shembull, objektet nuk kanë mendje, prandaj nuk mund të krijojnë një shkak dhe pasojë, që do të ndryshonte të ardhmen. Ato janë të pandryshueshme dhe tërësisht inerte në aspektin shkakësor. Nëse vetë koha i respekton ligjet e fizikës, dhe ajo nuk mund të përfundojë ose të ndryshojë modelin e saj, atëherë ajo mund të konsiderohet abstrakte, pasi nuk ka një mendje të vetën që do të krijonte një shkak dhe pasojë.

Aristoteli kishte argumentuar në doktrinën e tij, se koha nuk mund të ketë një fillim, pasi kjo do të nënkuptonte se koha dikur kishte një fund, në mënyrë që të niste nga fillimi. Nga këndvështrimi i Platonit, koha duhet të jetë e pacaktuar ose e pafundme në mënyrë që të ekzistojë si një abstrakt, por kjo nuk do të përputhej me teorinë e biocentrizmit.

Imagjinojeni strukturën e kohës si një vijë të drejtë. Nëse koha do të kishte një fillim, atëherë diçka tjetër duhet të kishte ardhur para kohës, por nëse është koha ajo që e përcakton jetën, atëherë biocentrizmi është një teori e gabuar, pasi kjo do të thotë se është Universi ai që krijoi jetën dhe jo anasjelltas.

Ashtu si ligjet e fizikës, të cilat nuk mund të ndryshojnë sipas dëshirës së dikujt, edhe koha nuk mund të kontrollohet pasi mund të ecë vetëm përpara. Kjo përshkruhet shumë mirë me frazën “Shigjeta e kohës” e cila u krijua në vitin 1927 nga shkencëtari Artur Edington (1882-1944).

Ajo frazë përpiqet të shpjegojë se koha mund të shkojë vetëm në një drejtim, ashtu si një shigjetë. Një nga pikëpamjet dhe pyetjet e mia personale për këtë, është se pse vetëdija jonë duhet të ndjekë shigjetën e kohës, nëse këto gjëra ndodhin vetëm në mendjen tonë?

Nëse veprimi i shkruarjes së këtij artikulli, është vetëm një iluzion i krijuar nga mendja ime, pse nuk mund të kthehem për ta ndryshuar këtë fjali në të ardhmen? Biocentrizmi nuk arrin të shpjegojë kohën apo një zëvendësues të saj.

Kur biocentrizmi argumenton se vdekja është vetëm një iluzion, i referohet idesë se vetëdija jonë nuk do të vdesë kurrë, se ajo ecën vetëm përpara. Por nëse koha nuk ekziston, cilat ligje do e detyronin atë të ecë vetëm përpara? Nëse Aristoteli është i saktë me teorinë e tij të fatalizmit, atëherë a ka bota një fund të paracaktuar?

Biocentrizmi thotë se Universi e kishte një fillim, por evolucioni i tij u ndikua nga jeta, dhe ne jemi vetëm në fillimin e formësimit të Universit. Hapësira dhe koha shihen nga biocentrizmi si mjete të përdorura nga mendjet tona për të lidhur gjithçka së bashku.

Siç e ka përcaktuar Platoni në shkrimet e tij, koha është si një enë boshe, në të cilën çdo gjë që mund të vendosni nuk do ta ndikojë kurrë atë. Filozofi gjerman Gotfrid Lajbnic (1646-1716) thotë se koha ndikohet nga veprimet tona, dhe për këtë arsye ajo ekziston pasi këto ndryshime janë të matshme në kohë.

Për shembull, dita ecën ngadalë por me siguri zgjatet, dhe për momentin një ditë e plotë është 23 orë e 56 minuta. Në ideologjinë e biocentrizmit, koha e ditës mund të jetë aq e gjatë sa ne duam të jetë, pasi është një iluzion në mendjet tona. Njerëzimi e krijoi kohën vetëm për të matur sesa kohë mbijeton në Tokë.

Lidhja midis vdekjes dhe kohës ndodh sepse pa vdekje nuk ka nevojë të matet koha, prandaj nuk ka nevojë për kohën. Ideja se koha është thjesht një gjë shumë e ndërlikuar dhe nuk mund të shpjegohet nga shkenca në këtë moment, duket si një deklaratë e vjetruar, bazuar në atë se sa ka arritur shkenca në 20 vitet e fundit në fushën e fizikës.

Unë mendoj se koha është diçka që ne nuk mund ta kuptojmë thjesht për shkak të logjikës së mendjes sonë. Duke pasur parasysh filozofinë e njohur antike, nëse koha dhe vdekja do të ishin vërtet një iluzion, atëherë jeta do të ishte e pafundme, dhe ne të gjithë do të ishim të pavdekshëm dhe do të jetonim përjetësisht. /Bota.al/

Artikulli paraprakSa të rrezikshme janë antibiotikët për kujtesën
Artikulli tjetërMësoni çfarë i ndodh trupit tuaj nëse hani të bardhën e vezës