Për disa njerëz, distanca është e nevojshme. Për të tjerë, puna më e vështirë — dhe ndonjëherë më kuptimplotë — është të kuptojnë si të qëndrojnë.
Gjatë seancave të terapisë, njerëzit shpesh më pyesin nëse duhet të ndalojnë komunikimin me një anëtar të familjes ose, në thelb, të kalojnë në “moskontakt” (“no contact”). Është një pyetje e rëndësishme dhe meriton shqyrtim të kujdesshëm. Në situata që përfshijnë abuzim, distanca mund të jetë e nevojshme dhe mbrojtëse. Por kur marrëdhënia është e tensionuar dhe jo e pasigurt, vlen të shqyrtohet një mënyrë për të krijuar ndryshim domethënës pa e mbyllur plotësisht derën.
Nëse po mendoni seriozisht për ndërprerje marrëdhëniesh, bëjini vetes këto pyetje më parë:
1. A i kam komunikuar qartë shqetësimet e mia në një mënyrë që ata mund ta dëgjojnë?
Në praktikën time, kam parë se si anëtarët e familjes largohen nga njëri-tjetri pa folur mjaftueshëm për këtë, e aq më pak pa pasur një bisedë të qartë dhe të përqendruar te sjellja. Ndonjëherë njerëzit vendosin se i afërmi i tyre nuk tregon mjaftueshëm empati, nuk duket i vetëdijshëm për sjelljen emocionalisht dëmtuese ose nuk merr përgjegjësi për veprimet e veta, prandaj arrijnë në përfundimin se marrëdhënia — më shpesh me një prind — është e pashpresë.
Megjithatë, ndonjëherë kjo qasje mund ta bëjë të vështirë për personin tjetër të kuptojë çfarë po ndodh ose pse po ndodh. Fëmijët e rritur që janë larguar nga prindërit mund të thonë se prindi i tyre ose një familjar tjetër është narcist, manipulues emocional (“gaslighter”) ose emocionalisht i papjekur. Edhe pse këto etiketime ndonjëherë burojnë nga modele reale dëmi, një gjuhë kaq negative dhe çnjerëzore ka pak gjasa të sjellë një përgjigje produktive.
Kur bëhet fjalë për prindërit, shumica besojnë se kanë bërë më të mirën për t’i rritur fëmijët e tyre. Përballja me mundësinë ose realitetin se kanë dështuar është jo vetëm e dhimbshme, por edhe poshtëruese. Duke pasur këtë parasysh, është e rëndësishme t’i përgatitni për atë që doni që ata të dëgjojnë ose kuptojnë.
Është po aq e rëndësishme të jeni të qartë për atë që doni të ndodhë në bisedë. A doni që prindi juaj thjesht të dëgjojë dhe të mos mbrohet? Kjo ka vlerë, por duhet të shpjegoni pse doni ta zhvilloni atë bisedë.
Mund të thoni:
“Kam menduar shumë për marrëdhënien tonë dhe doja të flisja me ty për disa mënyra si jam ndier i/e ndikuar nga fëmijëria ime ose nga mënyra si je sjellë kohët e fundit. Nuk po i ngre këto për të të kritikuar apo ndëshkuar. Jam mirënjohës/e për mënyrat si bëre X, Y ose Z. Por po pyes veten nëse do të ishe i/e hapur vetëm të më dëgjoje pa reaguar dhe ndoshta të kemi një bisedë tjetër pas disa ditësh?”
Kur të përfundoni, kërkojuni ta përsërisin atë që thatë, pa gjykim, për t’u siguruar që ju kanë kuptuar.
2. A e kam emërtuar drejtpërdrejt atë që më duket e dëmshme dhe a kam kërkuar ndryshim?
Përqendrohuni te reagimet tuaja, jo te karakteri i tyre.
Për shembull:
“Ndjej se ke qenë shumë i/e ashpër me mua gjatë rritjes dhe kjo më ka bërë të jem i/e ashpër me veten. Ndoshta mendove se po më shtyje të bëja më të mirën, por nuk më dukej ashtu. Ende ndiej se mënyra si më flet është shumë kritike dhe dua që kjo të ndalet. Ndonjëherë më duhen ditë, në mos javë, për t’u rikuperuar pasi kaloj kohë me ty.”
3. A jam i/e hapur për të dëgjuar perspektivën ose shpjegimet e tyre?
Shpjegimet mund të duken si minimizim ose justifikim. Kjo është arsyeja pse u them prindërve se është më mirë t’u përgjigjen ankesave të fëmijëve të tyre të rritur me empati, përgjegjësi dhe gatishmëri për të ndryshuar, në vend se të mbrohen, shpjegojnë apo debatojnë — edhe pse këto reagime janë të natyrshme kur ndihen të lënduar, të keqkuptuar ose të keqinterpretuar.
Duke qenë kështu, është e dobishme t’u jepni edhe atyre të njëjtën mundësi dhe hapësirë për të modeluar llojin e mirëkuptimit të ndërsjellë që shpresoni të ndërtoni. Pasqyrojeni atë që thonë pa gjykim, në mënyrë që të dinë se perspektiva e tyre u dëgjua.
4. A kam lënë kohë për riparim?
Nuk është realiste të supozoni se një prind do të jetë në gjendje të dëgjojë pa u mbrojtur, të reagojë siç duhet dhe të angazhohet për ndryshim pas disa bisedash.
Shumë prindër të fëmijëve të rritur ose nuk kanë qenë në terapi, ose nuk janë ekspozuar ndaj të njëjtit nivel aftësish komunikimi që kanë zhvilluar fëmijët e tyre të rritur.
Për më tepër, ka pak gjasa që ata ta kenë pasur të njëjtën bisedë me prindërit e tyre që ju po kërkoni të keni me ta. Nëse është kështu, mund t’u sugjeroni terapi individuale ose familjare për të thelluar kuptimin e problemit ose për të punuar mbi aftësitë e komunikimit.
Supozoni se mund të duhet kohë, durim dhe praktikë që ata të arrijnë ritmin. Mos supozoni se çdo gabim në komunikimin e tyre me ju është provë e mungesës së dëshirës për të ndryshuar ose e gatishmërisë për t’ju parë duke vuajtur.
Megjithatë, pa armiqësi, jini të qartë për atë që është e pranueshme dhe çfarë nuk është më e pranueshme në të ardhmen.
5. A mund ta zhvilloj bisedën pa cituar terapistin tim?
Edhe pse citimi i terapistit mund t’ju bëjë të ndiheni më të fuqizuar në diskutime me një familjar, është më mirë të mësoni të bëheni vetë autoriteti juaj dhe të dini se mendimet, ndjenjat, kujtimet dhe perceptimet tuaja janë mjaftueshëm të vlefshme për të mbrojtur veten.
Nëse keni nevojë të citoni terapistin, ndoshta është sepse ende nuk arrini t’i thoni vetes:
“Kjo është ajo që besoj, dhe kjo duhet të qëndrojë më vete.”
6. A po shtyhem në këtë drejtim nga bashkëshorti ose partneri im?
Ndonjëherë largimi nga prindërit ndodh më pak për shkak të konfliktit të drejtpërdrejtë dhe më shumë nga ndikimi i bashkëshortit.
Ndërsa partneri mund t’ju inkurajojë të ndërprisni komunikimin sepse mendon se është më mirë për ju, të tjerët mund ta bëjnë sepse ndihen të kërcënuar nga afërsia juaj me prindërit ose nuk duan të ndajnë vëmendjen tuaj. Ose ndihen të lënduar apo të pavlerësuar nga mënyra si janë trajtuar nga prindërit tuaj dhe po ju kërkojnë të zgjidhni anë si akt besnikërie.
Sido që të jetë, nëse po dorëzoheni për të ruajtur sigurinë emocionale të partnerit, po zëvendësoni një shmangie konflikti me një tjetër.
7. A i kam menduar pasojat?
Prindi juaj mund të mos bëhet kurrë personi që do të dëshironit: më empatik, më mbështetës ose i aftë të marrë përgjegjësi për mënyrat si ju ka lënduar apo neglizhuar.
Kjo është diçka që mund t’ju duhet ta vajtoni dhe ta pranoni me kalimin e kohës.
Por mund të ketë arsye të tjera për ta ruajtur marrëdhënien. Ndërprerja e marrëdhënieve është një ngjarje tronditëse në sistemin familjar dhe riorganizon tërë botët emocionale.
Prerja e një lidhjeje ndikon te të gjitha të tjerat. Vëllezërit dhe motrat shpesh ndahen në aleanca me prindin ose me motrat e vëllezërit e tjerë; kushërinjve të vegjël u mohohet kontakti kur motrat dhe vëllezërit ndërpresin marrëdhëniet. Nipërit e mbesat zakonisht largohen nga gjyshërit.
Ju mund të vendosni se kjo ia vlen, edhe nëse sjell më shumë konflikt me familjarët e tjerë. Por është e rëndësishme ta shqyrtoni si pasojë të mundshme.
8. A jam person që shmang konfliktin?
Disa largime ndodhin për shkak të paaftësisë ose vështirësisë së fëmijës së rritur për të zhvilluar biseda të vështira me prindin ose familjarin.
Ndoshta keni lindur me një natyrë më bashkëpunuese, më të bindur ose më të ndjeshme. Edhe pse këto cilësi ju kanë ndihmuar të bëheni person empatik, ato mund t’ju bëjnë tani të vendosni lumturinë dhe sigurinë e të tjerëve mbi tuajën.
Parashikimi i reagimeve të prindërve kur dëgjojnë se si ju kanë lënduar ose zhgënjyer mund të shkaktojë aq shumë ankth, sa të shmangni bisedën — madje edhe vetë ata.
Sado e kuptueshme të jetë kjo, ajo që mbetet në errësirë rritet në errësirë.
Qëndrueshmëria lind kur përballeni me njerëzit ose situatat që ju bëjnë të ndiheni të kërcënuar dhe mësoni se mbijetoni — ashtu si edhe ata.
Natyrisht, nëse ka abuzim, dhunë ose kontroll detyrues, distanca mund të jetë mbrojtëse. Por nëse bëhet fjalë për konflikt, zhgënjim, dallime karakteri ose pritshmëri të paplotësuara, mund të ekzistojnë rrugë të tjera.
9. A e kam “bërë punën” me veten?
Ndërprerja e marrëdhënieve mund të sjellë lehtësim të vërtetë — lehtësim nga zemërimi, mllefi, plagët e pazgjidhura dhe ndjenja e dhimbshme se nuk jeni parë ose kuptuar.
Për shumë njerëz, ky lehtësim vjen pas viteve përpjekjesh, shpresash dhe zhgënjimesh. Ai meriton të merret seriozisht, jo të minimizohet.
Në të njëjtën kohë, lehtësimi dhe mbrojtja nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.
Në disa familje, distanca është qartësisht e nevojshme — për siguri, stabilitet ose shërim. Në të tjera, ajo që mbetet është më komplekse: jo mungesa e dhimbjes, por prania e saj në forma më të vështira për t’u kuptuar.
Jo të gjitha përvojat e dhimbshme në marrëdhënie janë të njëjta. Disa janë vërtet të dëmshme. Të tjera janë rezultat i keqkuptimeve, ndryshimeve në temperament ose modeleve afatgjata që nuk janë adresuar kurrë drejtpërdrejt.
Me kalimin e kohës, mund të bëhet e vështirë të dallosh mes asaj që duket e padurueshme dhe asaj që, ndonëse e dhimbshme, mund të funksionojë ende në kushte të ndryshme.
Marrëdhëniet e afërta — edhe ato mjaftueshëm të mira — në mënyrë të pashmangshme përfshijnë përplasje, keqkuptime dhe periudha tensioni.
Ndonjëherë puna më e vështirë nuk është largimi, por eksplorimi i ngadaltë dhe i kujdesshëm nëse ndonjë formë kontakti — me kufij, gradualisht dhe në kushte të reja — mund të jetë e mundur.
Jo për t’u kthyer te ajo që ishte, por për të vendosur me vetëdije dhe qartësi si të ruani atë që ende ka vlerë — pa humbur veten në këtë proces./WP/TN















