Kur sheh pamjet e një gjimnazi në Nantë, të cilit nxënësit e vet i kanë vënë flakën, është e vështirë të mos kujtosh vargjet e Victor Hugo-së, i cili, në fund të poezisë Kush e ka fajin?, e bën kryengritësin që djeg libra të thotë: «Nuk di të lexoj». Për autorin e Të mjerëve, pikërisht këtu shfaqet faji i vërtetë. Një faj që nuk e shfajëson kriminelin, por ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë e shoqërisë. Sepse, nëse ai e sulmon kështu dijen, kjo ndodh ngaqë të tjerët ia kanë mohuar qasjen në të, duke harruar ta arsimojnë. Vetëm një njeri i arsimuar mund ta kuptojë krimin që kryen kur i vë flakën një biblioteke.
Me gjasë, pikërisht nga kjo paralele frymëzohen ata që gjejnë rrethana lehtësuese për zjarrvënësit e sotëm. Ata thyejnë dhe vandalizojnë për të njëjtat arsye si pjesëtarët e Komunës së Parisit. Nga padija dhe dëshira për barazi. Sepse u mungojnë mjetet për të studiuar dhe perspektivat për të ardhmen, edhe pse Franca shpenzon për arsimin më shumë se mesatarja e fqinjëve të saj europianë. Metoda është e dënueshme, por qëllimi i kuptueshëm. Pra, fajin e kanë të tjerët. Ashtu si më shumë se një shekull më parë.
Veçse mes analfabetit të dikurshëm dhe nxënësit të sotëm ka një dallim. Sot, shkolla është e hapur për të gjithë. Falas dhe që nga mosha trevjeçare. Shkolla fillore, shkolla e mesme e ulët, gjimnazi dhe më pas, për ata që dëshirojnë, universiteti. Gjithçka është e arritshme dhe mbulohet nga shoqëria. Në të vërtetë, dëshira e Hugo-së është përmbushur. Arsimi është bërë një e drejtë universale. Atëherë, si shpjegohet që gjimnazet shkatërrohen apo digjen? Meqë justifikimi i mungesës së arsimimit nuk qëndron më, pyetja shtrohet sërish: kush e ka fajin?
E drejta për dije dhe për dështim
Kë të dënojmë, kur këtyre të rinjve të revoltuar u kemi dhënë gjithçka? Ata kanë të drejtën për dije, ndërsa vendi merr përsipër financimin e mësimdhënies. Kanë të drejtën për dështim, falë provimeve plotësuese dhe mundësive të dyta. Kanë të drejtën për mediokritet, pasi përsëritja e vitit shkollor është bërë çështje zgjedhjeje. Madje kanë edhe të drejtën për sjellje të pahijshme, pasi sistemi kombëtar i arsimit ka detyrimin ta regjistrojë në një shkollë tjetër nxënësin e përjashtuar përfundimisht nga një institucion arsimor. Dhe shtimi i këtyre të drejtave nuk është shoqëruar me asnjë detyrim përkatës: as përpjekje shtesë, madje as disiplinë. Aq sa sot mund të ankohen njëkohësisht për pakësimin e orëve të mësimit dhe të kërkojnë lehtësimin e orarit mësimor.
Në të vërtetë, nxënësi i sotëm nuk ka detyrime; i kanë mbetur vetëm të drejtat. Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia e kësaj situate. Pjesëtari i Komunës së Parisit digjte libra sepse nuk e trajtonin si njeri; nxënësi djeg gjimnazin e tij sepse nuk e kanë trajtuar kurrë si fëmijë.
Ndërkaq, vetë Hugo-ja kujtonte në poezinë e tij se «dija te njeriu vjen përpara lirisë». Të ngrihesh do të thotë ta nisësh nga poshtë. Detyrimet vijnë përpara të drejtave. Ja çfarë duket se kanë shpërfillur krejtësisht zhvillimet e fundit në arsim, ose më saktë, në mësimdhënie.
Kërkesa për standarde të larta ia ka lënë vendin dashamirësisë. Në shkollën fillore, një punim i dobët nuk vlerësohet më me «dobët» apo «kalueshëm», por me shënimin «u pa» ose me një shenjë me ngjyrë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë nostalgji për poshtërimin si metodë pedagogjike, por për një konstatim të qartë: duke u përpjekur vazhdimisht t’ua kursejmë vështirësitë nxënësve, kemi hequr dorë nga çdo synim për përsosmëri. Deri aty sa rezultatet e dobëta kalohen në heshtje. Më pas, nxënësit kalohen drejtpërdrejt në klasën pasuese, pavarësisht nivelit të tyre. Me pasojë përfundimtare zhvlerësimin e diplomave. Kur 90 për qind e një brezi merr diplomën e maturës, ajo nuk ka më asnjë domethënie.
Mësuesi, një nxënës si gjithë të tjerët
Në të njëjtën kohë, afrimiteti ka zëvendësuar autoritetin. Madje edhe në fjalorin pedagogjik. Nocionet e vjetra të mësuesit dhe nxënësit, të thata por të qarta, po shndërrohen gradualisht. Të parët bëhen formues, shoqërues ose drejtues veprimtarish, ndërsa të dytët ngrihen në statusin e atyre që mësojnë. Kështu, pa e thënë shprehimisht, mësuesin e zbresim nga piedestali dhe ia zbehim shkëlqimin. Ja përse mësuesi i dikurshëm i shkollës fillore gëzonte aq shumë respekt, ndërsa sot mungojnë mësuesit në shkollat e mesme të ulëta dhe në gjimnaze. Përtej kësaj, po ndryshon vetë marrëdhënia me dijen. Meqë mësuesi është thjesht një nxënës si gjithë të tjerët, gjithçka ka të njëjtën vlerë. Marrëdhënia vertikale e dijes shndërrohet në barazimin e opinioneve në të njëjtin rrafsh. Kaq për shkencën dhe arsyen, të zëvendësuara nga kulti i emocioneve.
Rrjedhimisht, i riu në moshë madhore, të cilit i është përsëritur pareshtur se është tashmë plotësisht i formuar, se nuk ka asgjë për të mësuar nga askush, aq i rëndësishëm qenka tashmë, nuk mund ta shohë shkollën veçse si një kufizim të panevojshëm. Ose si një shesh lojërash. Një vend argëtimi, të cilit i kërkohet t’u përshtatet dëshirave të tij ose të zhduket plotësisht.
Në thelb, nxënësi i sotëm i djeg librat jo sepse nuk i njeh thesaret që gjenden në to, por shumë më tepër sepse e kanë mësuar të mos ua vërë veshin. Dhe, nëse Hugo-ja do ta pyeste për veprimin e tij, ai nuk do të përgjigjej «nuk di të lexoj», por «di vetëm të shijoj kënaqësitë».
Kush e ka fajin?
Me gjasë, të gjithë ne që, nga dhembshuria e tepërt, kemi reshtur së mësuari.
Pierre Bentata është ekonomist dhe lektor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Aix-Marseille./L’Express.fr















