Për shkak të punës udhëton shpesh, por frika ekstreme nga fluturimi e kishte penguar producentin e filmit Benedikt Böllhoff. Këtu ai rrëfen se si arriti të çlirohej prej saj.
“Çdo fluturim më dukej si një mal që duhej ta ngjisja. Përpiqesha ta shmangia sa herë që ishte e mundur. Më mirë prisja herët në mëngjes në stacionin e trenit ose pranoja rrugë më të gjata, sesa të hipja në avion.
Për mua, frika nga fluturimi kishte gjithmonë dy anë. Nga njëra anë ishte pyetja teknike: si mund të qëndrojë në ajër një avion kaq i madh? Pastaj vinte niveli i dytë, pothuajse edhe më i fortë: frika nga vetë frika. Shqetësimi se mos humb kontrollin, se mos më kap paniku dhe mbetem i pafuqishëm përballë tij. Ajo ndjesi se për disa orë jam i bllokuar në një situatë nga e cila nuk mund të largohem thjesht kur të dua.
Kur vinte frika, e ndieja qartë edhe fizikisht. Pulsi më rritej, dëgjoja zemrën që më rrihte, duart më djersiteshin. Gjatë turbulencave ishte veçanërisht e rëndë. Regjistroja çdo lëvizje, analizoja çdo zhurmë, sikur në këtë mënyrë mund të rifitoja kontrollin. Kur fluturimi nuk shmangej dot, përpiqesha të paktën ta mbaja kontrollin në gjëra të vogla: më mirë një fluturim direkt më i shtrenjtë, sesa një më i lirë me ndërrim. Udhëtimi i vërtetë, sidoqoftë, fillonte ditë më parë në kokën time.
Pika e kthesës erdhi kur fëmijët e mi donin të fluturonin diku më larg. Nuk doja që ata të mësonin prej meje t’i shmangnin gjërat vetëm sepse u duken të pakëndshme. Në të njëjtën kohë, në punë po niste një projekt i ri, për të cilin në të ardhmen do të më duhej të udhëtoja më shpesh jashtë vendit. Prandaj mora pjesë në një seminar për frikën nga fluturimi. Nuk bëhej aq shumë fjalë për statistika apo detaje teknike, të cilat gjithkush mund t’i lexojë vetë. Bëhej fjalë për diçka shumë më themelore: të pranosh pasigurinë.
Ky mendim në fillim më habiti. Unë prisja të merrja strategji për ta larguar frikën. Në vend të kësaj, mesazhi ishte: kur frika troket, lëre të hyjë. Frika vjen me valë – dhe pastaj kalon. Ky qëndrim ndryshoi diçka brenda meje.
Në avion nuk rashë fare në atë spirale mendimesh negative. Frika nuk ishte zhdukur, por nuk më përpiu më. Pulsi nuk më shkoi në qiell, nuk isha më në prag të panikut. Më parë nuk do të kisha guxuar kurrë të shikoja nga dritarja, aq më pak në mot të paqëndrueshëm. Por gjatë fluturimit të seminarit bëra pikërisht këtë. Ishte një fluturim i qetë mbi një shtresë të mbyllur resh. Pashë nga dritarja dhe madje, deri diku, e shijova. Më parë nuk do ta kisha menduar kurrë të mundur.
Fluturimi im i radhës është së shpejti. Dhe për herë të parë pas shumë kohësh po e pres me një ndjenjë pozitive. Tani e di se mund të përballem me atë që ndodh brenda meje. Sigurisht që kam të drejtë të ndiej frikë. Pyetja vendimtare është vetëm kjo: a do ta lejoj frikën të ma përcaktojë jetën, apo do të përballem me të?”/Spiegel/TetovaNews















