Prof. Dr. Nebi DERVISHI
Universiteti Shtetëror i Tetovës
Reka e Epërme e Gostivarit (maq. Gorna Reka) paraqet një krahinë me tipare të veçanta etnolinguistike dhe etnografike të trevave lindore shqiptare (Maqedonisë veri-perëndim). Gjeografia e ka vendosur atë në një rajon të malësisë të Gostivarit, në masivit e Korabit, pranë tre kufirit — Kosovë, Shqipëri e Maqedoni — të përshkruar me shumë rrjedha ujore që derdhen te Radika (emri i lashtë Ardica), prej nga e ka marrë kjo zonë dhe emrin Reka (sll. Reka „lumë”), kurse historia ka vendosur aty bashkësi të shumta etnike shqiptare, arumune (vlehe), sllave, turke, rome, etj., që i japin këtij visi një kolorit të veçantë dhe me shumë interes gjuhësor, për etnolinguistikën dhe sociolinguistikën.201202
Me studimin e problematikave të fushave përkatëse të Rekës së Epërme janë marrë shumë autor, si: A. M. Selishçev, Dushan Nedelkoviq, Jovan Cvijiq, B. Vidovski, Ariton Popovski, Galaba Palikrusha, Toma Smiljeviç, Mirjana Mirçevska, etj. Ndërkaq nga autor shqiptar e kanë trajtuar: Qemal Murati, Sefedin Aruni, Zena Halimi, Edibe Osmani, Enis Jakupi, Ismet Krosi, Abaz Islami, Dr. Nexhat Abazi, Zejnulla Qyra, Lutfi Turkeshi, Xhevdet Ademi dhe ndonjë tjetër.
- Shqiptarët ortodoks ndër shekuj
Ndër shekuj shqiptarët ortodoks ishin të pranishëm, në krahasim me shqiptarët e konfesioneve të tjera, afërsisht një lloj në tërë Shqipërinë e Mesme. Sa ishin të pranishëm në Tiranë, Pogradec, Korçë, Librazhd, Elbasan e Durrës, aq ishin — ndoshta edhe më shumë — në Ohër, Manastir, Krushevë, Tetovë, Prespë, Dibër, Strugë e Gostivar, etj.203
Por, pas Luftrave Ballkanike dhe krijimit të shtetit shqiptar, në trevat lindore shqiptare situata ndryshoi rrënjësisht. Kështu ndërsa brenda shtetit shqiptar struktura fetare nuk pësoi ndryshime, në Mbretërinë S.K.S. (Jugosllave) pas Luftës së Parë Botërore dhe në Banovinën e Vardarit — e më pas të emëruar R. e Maqedonisë (FYROM-IRJM-së) — numri i shqiptarëve ortodoksë u zvoglua në mënyrë të skajshme.204 Meqë i takonin fesë serbo-malazeze-bullgare-sllavo-maqedonase, ndaj tyre, si edhe ndaj shqiptarëve ortodoks në Greqi, filloi asimilimi në forma të ndryshme; pjesa më e madhe u asimilua në tërësi në sllavo-maqedonas.
Ngelën të paprekur vetëm ortodoksët e fshatrave malore e që ndodheshin larg komunikacionit, si ata të krahinës së Rekës së Epërme të Dibrës, të fshatrave Duf e Jellovicë të Gostivarit, të fshatit Lubanisht afër Shën Naumit në Ohëri,205 e ndonjë tjetër — si edhe një pjesë e vogël e ortodoksëve shqiptarë në qytete. Këta, si edhe vëllezërit e tyre myslimanë e katolikë, ruajtën të pastër gjuhën shqipe, traditat, doket e zakonet, veshjet, këngët, etj., duke pasur edhe më tutje të përbashkëta me maqedonasit vetëm fenë ortodokse.206
Njëqind vjetët e fundit, nga Luftërat Ballkanike, propagandat e huaja bullgare, serbe, greke e sllavo-maqedone e ka bërë të vetën. Duke qenë dikur një popullsi në numër relativisht mjaft e madhe dhe e pranishme si në qytete, ashtu edhe në fshatra të Maqedonisë Perëndimore, popullsia shqiptare ortodokse është ruajtur e paprekur në aspektin kombëtar (të gjuhës, të traditave, të dokeve e të zakoneve, të veshjes, etj.) vetëm në fshatrat e Rekës së Epërme dhe në ndonjë fshat të rajoneve të tjera.
Është detyrë kombëtare dhe historike, sidomos e inteligjencies shqiptare (Ortodokse) në Maqedoni, të ngrejë zërin sa nuk ende vonë dhe pa u trembur për privilegjet e pozitën, të pohojnë kombësinë e saj shqiptare. Ortodoksëve shqiptarë u duhet thënë e vërteta — se deri tani kanë qenë të mashtruar — sepse kombin e bëjnë gjaku i njëjtë, gjuha, traditat, zakonet, folklori, kostumografia, e jo besimi apo religjoni fetar. Shqiptarët qëmoti e kanë kuptuar se feja e shqiptarit është shqiptaria, siç thotë Pashko Vasa.207
- Penestët dhe origjina ilire e trevës
Penestët në antikitet janë fis ilir, banorë të krahinës së Penestisë, në Luginën e sipërme të Drinit të Zi e rreth saj. Përmenden për herë të parë më 170–169 p.e.s. dhe luajtën një rol të rëndësishëm në luftën e tretë maqedone-romake. Treva e Penestisë përfshihej në mbretërinë ilire. Në vitin 169 p.e.s. Perseu, për t’u lidhur me mbretërinë ilire, hyni në tokat e Penestisë, pushtoi qytetet e tyre dhe dëboi këndej garnizonet romake. Në trojet e Penestisë kishte 14 qytete e kështjella, prej të cilave njihen me emër: Uskana — që ishte edhe kryeqendra e krahinës — Oeneu dhe Draudaku.208
Pas vitit 168 p.e.s. emri i Penestisë e i qyteteve të tyre nuk përmendet më. Burimet antike dhe ato moderne e përmendim fisin ilir të „penestëve” si banorë më të hershëm të trevës dibrane dhe trojet e tyre „Penestinë”. Sipas këtyre burimeve, Penestia shtrihej në Luginën e sipërme dhe të mesme të luginës së Drilonit antik (Drinit të Zi).209
Njohtimet më me interes për penestët dhe Penestinët janë ato që kemi nga historiani romak Tit Livi.210211 Rreth problemit se cilët qenë trojet e penestëve janë shprehur mendime të ndryshme, por shumica e studiuesve modernë pajtohen se trojet e fisit ilir të penestëve shtriheshin në Luginën e Drinit të Zi dhe rreth saj, ose më saktë në trevën dibrane.212 Në veri penestët ishin në fqinjësi me dardanët, në perëndim me pirustët, në lindje me grupin ilir të paionëve dhe në jug me dasaretët.
Lokalizimi i trojeve të penestëve (Penestisë) në luginën e Drinit të Zi, respektivisht në trevën e sotme dibrane, është pranuar nga: W. M. Leak, G. Zippel, J. Kromayer, G. De Sanctis, E. Pais, D. Mustili, F. Miltmer, P. Melom, P. Lisiçar dhe F. Walbank, si dhe nga autorët shqiptarë S. Islami, H. Sadiku, K. Frashëri, A. Bunguri, J. Koca, etj.213 Me pikëpamjen tjetër, e cila vendos atdheun e penestëve në jug të malit Sharr, u bashkuan F. Geyer, N. Vuliç, N. Hammond, F. Papazoglu, T. Tomovski dhe studiuesi shqiptar Zef Mirdita.214
Pra, banorët e parë të Penestisë antike kanë qenë fisi i madh ilir i penestëve, të cilët në këto hapësira kanë ngritur vendbanimet e tyre si Uskana, Draodakumi, Oenemi, etj.
Pas Luftës së tretë maqedone-romake (171–168 p.e.s.) edhe zona e Penestisë bie nën sundimin romak. Sllavët u dyndën në këtë rajon në shek. VI dhe gjatë shek. VII. Pushtimet sllave nuk arritën të asimilojnë popullsinë e tyre autoktone ilire-shqiptare, sepse shqiptarët ishin formuar tanimë si njësi e veçantë etnike, si një popull me territoret e tij kompakte, me një kulturë të veçantë (kultura e Komanit) në mesjetën e hershme,215 dhe të shoqëruar me të gjitha veçoritë e tjera.216
- Reka në epokën mesjetare dhe nën sundimin serb
Popullsia shqiptare edhe e këtyre trevave Lindore e mbajti identitetin e vet kombëtar ndaj pushtuesve të ndryshëm: atyre bullgarë në shek. IX–fillim të shek. XI, bizantinëve shek. XI–XIII dhe atyre serbë në vitet 1282–1355. Pas shkatërrimit të Perandorisë së Dushanit, i tërë rajoni i Dibrës së Poshtme, ku hynte edhe rajoni i Rekës, ra nën sundimin e Principatës së Balshajve.217
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV, në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti.218 Zotërimet e tij duhet të jenë zgjeruar sidomos në drejtim të trevave lindore, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës.219
Në shek. XIII, në Krahinën e Pollogut përmenden si administratorë persona nga familjet feudale të Sinadinëve. Anëtarë të kësaj shtëpie feudale shqiptare të Pollogut kishin lidhje familjare me derën perandorake bizantine. Kalojan Sinadini ishte martuar me vajzën e Konstantin Paleologut, të vëllait të Mihailit VIII Paleolog, perandor i Bizantit.220 Duke shfrytëzuar luftërat e brendshme në Perandorinë Bizantine, Kalojan Sinadini gjatë viteve 1268–1269 dhe 1275 u shkëput nga qeveria qendrore dhe e ktheu Pollogun në Principatë.
Po në këtë kohë, në pjesën veriore të Pollogut (ose në Pollogun e Epërme dhe në Rekë) me qendër Gradaciomin (Gradeci i sotëm) u ngrit dhe u forcua familja feudale shqiptare e Tribaldëve ose Tribalëve. Kësaj dere princërore shqiptare i takonte edhe Vojsava, e ëma e Skënderbeut.221222
Pinjoll i njohur i kësaj krahine ka qenë edhe Zaharia Gropa, një nga fytyrat më simpatike ndër oficerët e Skënderbeut, i cili ka qenë burrë trim, ushtar i vendosur dhe njëkohësisht diplomat, për të cilin ka bindje se ishte nga rajoni i Rekës.
- Reka në luftërat e Skënderbeut
Në Luftën e madhe shqiptaro-turke në shek. XV, nën udhëheqjen e heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu, popullsia e kësaj treve për një çerek shekulli mori pjesë aktive. Nga 24 beteja që bëri Skënderbeu, shumica u zhvilluan në trevat lindore shqiptare: dy në Pollog, një në Rekë (1466), një në Shkup (1462), etj.223
Në mes të vitit 1467, kur Skënderbeu gjendej në Itali, nëpunësit osmanë kryen regjistrimin e popullsisë e të tokave. Ky regjistrim dëshmon mirë për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në luftë — dhjetëra fshatra ishin shkatërruar dhe braktisur nga popullsia, kurse shumica e fshatrave të tjera kishin mbetur me pak banorë. Kjo pamje e shkretuar e vendit ishte shkaktuar nga rrënimet e luftës dhe masakrat e pushtuesve.
Për këtë arsye banorët e kësaj treve u quajtën — përveç Rekali — edhe Shkreti (nga shqipja: e le të shkretë dikë, pa njeri),224 emër që njihet edhe sot e gjithë ditën.
Krahina e Rekës së Epërme ndër shekuj ka qenë rajon lufte. Me rastet kur ushtritë e Skënderbeut kanë ndjekur lëvizjet e taborreve osmane nëpër Krahinën e Rekës, me qindra rekali i janë bashkuar ushtrisë së tij. Një ndër komandantët më besnik ishte Vrana Konti, varri i të cilit gjendet në këtë krahinë, në afërsi të fshatit Lumnicë ose Rimnicë, në vendin e quajtur „Te Vorret e Kontdes”.237
Kronikstët osmanë të asaj kohe, në kronikën Tevarih-i Al-u Osman, shkruajnë: „Ai popull është popull cubash”. Gjithashtu, në kronikën e Gizes thuhet: „Ai popull është popull cubash — nuk janë besnik ndaj sunduesve të tyre, flasin një gjuhë të veçantë dhe haraçin nuk e paguajnë.”238
- Regjistrimet osmane të shek. XV–XVI
Studiuesi i shquar Selami Pulahu, duke shfrytëzuar defterët e spahinjve të Rumelisë (Defterin nr. 734), jep të dhëna për numrin e vendbanimeve në zotërimet e Kastriotëve. Në vitin 1467, Nahija e Rekës numëroi 47 vendbanime me 231 shtëpi, ndërsa në fund të shek. XVI, me regjistrimin e vitit 1583, Nahija e Rekës kishte 43 vendbanime me 1 223 shtëpi.239
Sipas defterit të Xhizjes të vitit 1490, në Sanxhakun e Ohrit bënin pjesë vilajetet e Ohrit, Debricës, Mokrës, Dibrës së Sipërme e të Poshtme, Çermenikës, Golobërdës, Kurjës, Tamdhasë dhe Vilajeti i Rekës.234235 Sipas regjistrimit të vitit 1467, zotërimet e Kastriotëve shtriheshin në Dibër të Epërm, Dibër të Poshtëm, Golobërdë dhe Rekë, e cila numëronte gjithsej 1 570 shtëpi të krishtera, ndërsa vetëm në Nahijen e Rekës 231 shtëpi.236
Regjistrimet osmane të shek. XV–XVI duke qenë të hartuara për qëllime fiskale, japin të dhëna të çmuara etnolinguistike dhe onomastike. Të dhënat toponomastike dhe antroponomike që sjellin defterët tregojnë qartë se shqiptarët gjatë shek. XV–XVI banonin në krahinën e Dibrës, të Strugës, Ohrit, Kërçovës, të Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit, etj.226227
Krahina e Rekës së Epërme, shtrihet në trevat Lindore shqiptare, midis Gostivarit e Dibrës së Madhe dhe përbën një tërësi me Krahinën simotër të Lumës, të cilat mali Korab i ndan. Territori i Rekës së Epërme përfshin rrjedhën e epërme të Lumit Radikë, ku janë të vendosur 16 fshatra: Beliçicë, Bibaj, Bogdi, Grekaj, Kiçinicë, Krahornicë, Nishtrovë, Niçpuri, Nivishtë, Rimnicë, Sencë, Tanushaj, Van, Valkovia, Vërbeni, Zhuzhnja, etj.229230
5.1. Të dhënat e regjistrimit për fshatrat e Rekës
Më poshtë jepen të dhënat e regjistrimit osman për fshatrat kryesore të Rekës së Epërme, sipas defterëve të shek. XV–XVI:
BELIÇICA
Në regjistrimin e vitit 1467 shënohet me emrin Bliçicë, fshat i krishterë i pa banuar (hali). Në vitin 1519 numëron 18 familje; në vitin 1536–1539 janë të regjistruara 18 familje e 2 beqarë; ndërsa në regjistrimin e vitit 1583 numëronte 30 familje të krishtera me 56 persona e 20 beqarë, i paguante spahiut 2 000 akçe në vit dhe punoheshin 4 mullinj. Emrat e banorëve: Boshko Gjon, Stojko Leka, Bogdan Pejo, Petko Gjon, Gjin Gjon, Vele Gjin, Gjin Pero, Stojko Gjin, Bran Nikolla, Petro Gjin, Pero Leka, Leka Pero, Nikolla Stojko, Leka Jane, etj.240241
BOGDEVË
Fshat i krishterë në verilindje të Dibrës, në Nahijen e Rekës. Në vitin 1467 shënohet me emrin BOGDV, i paguante timarliut 143 akçe dhe numëronte 3 familje: Stojko Tome, Nikolla Sklav dhe Petko Tome.242 Në vitin 1519 ka 16 familje të krishtera. Në vitin 1583 numëronte 10 familje të krishtera, 28 persona e 18 beqarë, i paguante timarliut 955 akçe në vit. Disa nga banorët: Nikolla Meto (Mijo), Bogdan Marko, Gjin Pejo, Nikolla Pejo, Pejo Bogri, Pop Pejo, Petri Jove, etj.243
VOLLKOVI
Në vitin 1467 ka qenë fshat derven i krishterë, me 6 familje. Kultivonte grurë, elb, thekër e bletë dhe i paguante timarit 77 akçe në vit. Emrat e kryefamiljarëve: Progon Tome, Kole Tome, Andrea Tome, Hozhava Tome, etj.244 Në vitin 1519 ka 13 familje të krishtera. Në vitin 1583 numëronte 40 familje të krishtera, me 40 çifte e 5 beqarë, i paguante timarit 2 514 akçe në vit.245246 Sipas dokumenteve, banorët e Vollkovit rregullonin dhe mirëmbanin Urën e Radikës dhe rrugën nga Kankandeleni (Tetova). Disa emra: Pejo Gjon, Dimitri Gjursan, Stojan Pejo, Kojo Pejo, Dimtri Stojan, etj.
GIRQANI (GREKAJ)
Fshat i krishterë, bënte pjesë në Nahijen e Rekës. Në regjistrimin e viteve 1536–1539 ka 11 familje e 1 beqar. Në vitin 1583 numëronte 20 familje, 28 persona e 8 beqarë; i paguante timarit 1 070 akçe në vit dhe kishte 2 mullinj. Emrat e disa kryefamiljarëve: Lazar Gjin, Petri Bogdan, Jovan Gjin, Keko Gjin, Keko Todor, Gjin Petko, Dede Bodin, Zaharia Gjin, etj.247
VËRBEN
Në vitin 1467 fshati ka 9 familje të krishtera, me 722 akçe të ardhura, dhe ishte „has” i Karagjoz Beut. Shënohet me emrin VIRBNI. Emrat e kryefamiljarëve: Gjergj Luçe, Vasko Luçe, Margin Popi, Pale Skure, Kole Kozmaj, Mile Gjirak, Tanush Gjirak, etj.248 Në regjistrimin e vitit 1536/39 numëronte 93 familje të krishtera, 5 beqarë e 1 vejushë, si dhe 1 familje myslimane. Në defterin e vitit 1583249 fshati Vërben kishte 50 familje të krishtera dhe 20 familje myslimane (13 të islamizuara), gjithsej 165 persona, 4 mullinj, i paguante timarliut 17 000 akçe në vit.250 Emrat e disa banorëve: Mustafa Pejo, Nikolla Bogdan, Pal Llazari, Mezak Llazari, Gjin Bogdani, Pal Kole, Laç Pejo, Pal Marko, Marko Gjin, Petar Tanushi, etj.
KIÇINICË
Fshat derven i krishterë, shtrihet në verilindje të Dibrës. Në vitin 1467 ka qenë i shkretuar e i pa banuar. Në vitin 1519 janë vendosur 8 familje të krishtera. Në vitin 1583251 ka 6 familje të krishtera, 6 beqarë, 12 persona, dhe i kanë paguar spahiut 360 akçe në vit. Emrat e disa kryefamiljarëve: Mehmet Pervane, Dervish Pervane, Petri Gjin, Gjin Gjorçe, Stojan Çernak, Pejo Pali, etj.252
KRAKORNICË
Fshat i krishterë në verilindje të Dibrës. Në vitin 1467 ka 3 familje të krishtera, i pagonte timarit 143 akçe. Banorët: Gjon Duçe (Doçe), Gjon Kirkit (Kirgit) dhe Miho Meksha.253 Në vitin 1519 ka 12 familje çifte të krishtera e 1 beqar. Në vitin 1583 numëron 20 familje të krishtera e 1 beqar, 1 mulli, i pagoi timarit 1 113 akçe. Disa nga banorët: Mahmut Abdulla, Pal Petko, Lin Janica, Laç Tode, Petri Stojan, Leko Miho, Gjon Miho, Lado Pejçin, etj.254
NISHTROVË
Në vitin 1467 ka 11 familje të krishtera, 2 mullinj, i pagoi timarit 901 akçe. Banorët: Kol Bardhi, Gjon Pashajët, Gjore Ivret, Stepan Kovaç, etj.255 Në vitin 1519 ka 36 familje të krishtera. Në vitin 1583 numëron 70 familje të krishtera e 13 beqarë, 83 persona, 3 mullinj, i pagoi timarit 3 665 akçe. Disa kryefamiljarë: Miho Dade, Petri Boshko, Kolo Pavlo, Gjin Krojçe, Pavle Deno, Gjin Stamati, Petro Stamati, Pop Nikolla, Pop Jovani, Gjin Jovko, Gjin Nikolla, Koço Drenko, Todor Petri, Nikolla Bogdani, etj.256
NIÇPUR
Në vitin 1467 ka 9 familje, 2 mullinj, i pagoi timarit 797 akçe. Banorë: Gjon Tome, Pop Nikolla, Mino Shahis, Gjon Shirke (Sherke), Kolë Tome, Ceko i biri i Gjergjit, Petko-ja biri i Mihos, etj.257 Në vitin 1536/39 ka 16 familje e 2 beqarë. Në vitin 1583 numëron 20 familje e 8 beqarë, 28 persona, 2 tjerrtore leshi, 1 mulli, i pagoi timarit 1 000 akçe.
RIMNICË
Në shek. XV–XVI ekzistonin dy fshatra fqinjë: Rimnica e Madhe (Byjuk Ribnica) dhe Ribnica e Vogël (Kuçuk Ribnica). Rimnica e Madhe në vitin 1467 numëronte 10 familje; në vitin 1536/39 ka 34 familje të krishtera e 3 beqarë. Ribnica e Vogël në vitin 1467 shënohet si Ribiçicë me 4 familje: Bojko Tanusheviq, Miho Tanusheviq, Pop Novak, etj.258 Në vitin 1536/39 ka 42 familje, 4 beqarë e 1 familje myslimane.259
SENCË
Në vitin 1467 shënohet SENÇI, „has” i Karagjoz Beut, ka 4 familje, 1 mulli, i pagoi spahiut 600 akçe. Banorë: Andrea Çajlani, Pejo Tome, Dabiç Loz, Petko Dimtri, etj.260 Në vitin 1519 ka 42 familje të krishtera e 1 mysliman. Në vitin 1583 numëron 30 familje, 42 persona, 2 mullinj, i pagoi spahiut 2 230 akçe. Banorët: Hasan Kolçko, Ibrahim Jovan, Petri Pavle, Nikolla Petri, Gjin Janko, Gjin Dimitri, Nikolla Gjin, Pejo Jofko, Nikolla Stojko, Jovan Nikolla, Kalan Boshko, Bogdan Todor, etj.261
ZHUZHLE
Në vitin 1467 ka 5 familje, 2 mullinj, i pagoi spahiut 467 akçe. Banorë: Gjon Kirkoviq, Gjon Vlash, Kirk Bardh, Leka Dabdas e Pop Meksha.262 Në vitin 1519 ka 14 familje të krishtera, shtrihej pranë fshatit Nishtrovë.263 Në vitin 1583 numëron 20 familje të krishtera e 7 beqarë, 28 persona, 1 mulli, i pagoi timarit 1 000 akçe. Banorë: Ali Stojan, Ivan Barde, Jançe Gjon, Nikolla Gjon, Kojo Jan, Konstantin Janak, Petro Nikolla, Hasan Meritor, Marko Çoço, Kojo Boshko, Jovan Boshko, Gjon Kojo, Gjin Kojo, Stepan Kojo, Jovan Pejo, etj.264
- Statistikat e shek. XIX dhe shpërngulja e popullsisë
Sipas burimeve të shkuara, popullsia e Rekës së Epërme deri në vitet ‘60 të shek. XIX e tëra fliste shqip dhe ishte shqiptare.265 Rrugëpërshkruesi dhe etnologu bullgar Vasil Kënçov, në vitin 1899, thekson se: „Duke rrugëtuar drejt verilindjes në trevën e epërme të rajonit të Rekës, e njohur me emrin Reka e Madhe, popullsia është vetëm shqiptare (Arnaut). Aty ka 23 fshatra shqiptare.” Sipas të dhënave të tij, rreth gjysma e banorëve ishin shqiptarë të krishterë ortodoks (3 221 persona) dhe 3 738 shqiptarë myslimanë, pra gjithsej 6 959 shqiptarë.266
Kënçovi thekson se Rekalinjtë e ruajtën për një kohë të gjatë fenë e tyre, sepse mundën të fshihen në atë rajon. Konvertimi i tyre në fenë islame u përforcua aty nga fundi i shek. XVIII, duke vazhduar edhe në gjysmën e parë të shek. XIX. Koncentrimi i fundit i familjeve u bë rreth vitit 1855, në fshatin Shtirovicë, ku 30 familjet e fundit pranuan fenë islame.267268269
Statistikat e Kënçovit për fshatrat e Kazasë së Rekës (1899):
| Fshati | Shqiptarë të krishterë | Shqiptarë myslimanë |
| Kiçnica | 120 | — |
| Beliçica | 450 | — |
| Volkovia | 150 | 150 |
| Sençe | 195 | 120 |
| Vërbanë | 300 | 360 |
| Tërnicë | — | 240 |
| Bogdavë | 180 | 180 |
| Niçipuri | 250 | 220 |
| Brodeci (Vau) | 350 | 150 |
| Nivica | 170 | 180 |
| Biba | 32 | 90 |
| Zhuzhnja | 150 | 160 |
| Grakaj | 25 | 14 |
| Riblicë | 120 | 200 |
| Reçi | 150 | 140 |
| Stazimiri | 180 | 56 |
| Shirovica | — | 400 |
| Tanusha(ne) | — | 350 |
| D’bovo | 24 | 90 |
| Nishtrova | 150 | 230 |
| Zalvaisko | 35 | — |
| Krekornicë | 180 | 180 |
| Stroiçe | — | 300 |
| Gjithsej | 3 221 | 3 738 |
Në fund të shek. XIX kjo krahinë në pikëpamje gjuhësore u shpërbë. Administrata osmane lejoi hapjen e shkollave vetëm në gjuhë serbe, me mësues e psalmë të ardhur e të paguar nga Beogradi, dhe në këtë mënyrë u arrit që një pjesë e popullsisë të nxjerrë nga përdorimi gjuhën e nënës — shqipen. Me mision të veçantë në trevën e Rekës ka qenë edhe gjeografi Jovan Cvijiq, i cili thekson se „Tërë banorët e Rekës së Epërme kanë qenë të krishterë, gjegjësisht ortodoks”, por i zihet fryma të thotë se kanë jetuar edhe shqiptarët.270
Atdhetari e diplomati shqiptar Mit’hat Frashëri, në librin Shqiptarët e sllavët (fq. 82–84), shkruan: „…Nuk po përmendim këtu 25 fshatrat e Rekës në Dibër, ku popullsia, ndonëse ortodokse, flet vetëm shqip dhe e konsideron veten si të këtillë.”271
Gazeta Jehona e Bullgarisë, që dilte në Sofje (1913), pohon se: „…shqiptarët ortodoks të krahinës së Gorna Rekës (Reka e Epërme) e bëjnë shërbesën fetare, si në të kaluarën ashtu edhe sot, në gjuhën sllavo-bullgare, e madje që prej 40 ose 50 vitesh ata edhe ndërmjet tyre flasin bullgarisht.”272273274
Këtu po riprodhojmë si dokument një nga telegramet e shumta që kanë dërguar shqiptarët e këtyre krahinave, në kohën e luftërave ballkanike, drejtuar Sekretarit të Shtetit të Forin Ofisit të Anglisë, Sër Eduard Grej, e kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër: „Ne, të nënshkruarit, shqiptarë me origjinë nga Dibra që banojmë në Rumani, të deleguar prej bashkatdhetarëve tanë në mbledhjen e 12 Janar 1913, protestojmë energjikisht kundër presionit të ushtruar mbi bashkatdhetarët tanë… Deklarohemi kundra çdo zgjedhë të huaj.” (Nënshkruar nga Nofit Simeon, Manoli Georges, Manoli Boshko, Niqifor Panteli, Ilia Rafael, Grigor Petre, Vasil Konstantin, Hambi Bej Ohri, Fejzi Ali, Ismail Fetah.)275
- Shpërngulja e dhunshme dhe fshirja demografike
Sipas të dhënave demografike të D. M. Bracoff (1905), në Rekën e Madhe ishin 16 fshatra shqiptare të banuara me shqiptarë krishterë ortodoks, me gjithsej 2 672 banorë. Nga viti 1912, nis procesi i shpërnguljes me dhunë. Gjatë viteve 1913–1918 u shpërngulën pesë fshatra: Dëbova, Zavojë, Streimiri, Tërnca e Shtirovica. Pas Luftës së II Botërore u shpërngulën edhe 5 fshatra të tjerë: Beliçica, Bibaj, Jellovca e Epërme, Kiçinica e Niçipuri. Gjithsej janë shpërngulur 11 fshatra.276
Reka e Epërme (e Madhe) sipas statistikës bullgare të vitit 1916 ishte në kuadër të qarkut të Galiçnikut, ku vendbanimet shqiptare ishin të ndarë në tri komuna: 1. Komuna e Beliçkës (910 banorë); 2. Komuna e Niçipurit (1 194 banorë); 3. Komuna e Nashtrovës (1 524 banorë).277
Regjistrimi jugosllav i vitit 1921 tregon se e tërë Reka e Madhe me tri komunat kishte 2 181 banorë — 78 serbë dhe 2 101 shqiptarë.278
Pas shuarjes së Kryengritjes së Shtatorit 1913 — ku banorët e kësaj treve morën pjesë aktive kundër administratës serbe, të udhëhequr nga hoxha Maliq Mema nga fshati Tanush — falangat serbe ndërmorën një hakmarrje të paparë: masakrime, krishterim me dhunë, djegie e plaçkitje fshatrash. Dhuna do të vazhdonte edhe pas Luftës së Dytë Botërore (1944–2001), me djegien e xhamisë në fshatin Tanush.
Vendbanimet shqiptare të Rekës së Madhe, duke nisur nga viti 1953 e deri në vitin 2002, na dalin si vendbanime me popullsi sllavo-maqedonase ose të përziera. Kështu, Reka e Epërme sot është shkretuar e përgjysmuar. Edhe në ato fshatra ku ka pak gjallëri — si Bogdeva, Grekaj, Nivishti — janë në rrugë të zbrazjes.279280
————————————————————
SHËNIME DHE BURIME
- Qemal Murati, “Dëshmitë onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet etnike të tyre në Maqedoni” — Tiranë, 1993, f. 5–7; Prof. Dr. Qemal Murati, Treva e Rekës së Epërme; fejton në gazetën “KOHA”, dt. 9–14 tetor 2009.
- Po aty, Qemal Murati.
- Veli Veli, “Pozita e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni”, në Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup, 1994, f. 315–316.
- Xhevat Ademi, Shqiptarët ortodoks në Maqedoni, „Flaka”, 6.XI.2002; Zejnullah Qyra, “Ku u tretën shqiptarët ortodoks”, „Fakti”, korrik 2003.
- Nebi Dervishi, Etnokultura e fushëgropës së Ohrit, Tetovë, 2005, f. 139.
- Veli Veli, “Pozita e shqiptarëve…”, vepër e cituar, f. 315.
- Po aty, f. 319–320.
- F.E.SH, Tiranë, 1985, f. 818.
- Selim Islami, Historia e Ilirëve, Tiranë, 2008, f. 141.
- Polybi, XXVIII, 8.11.
- Tit Livi, XLIII, 10, 1–8; 18, 1–6; 19, 1–14; 20, 1–4; 23, 2–8.
- Iljaz Kaca, Rrugët e vjetra të Dibrës, Tiranë, 2003, f. 19–21.
- Po aty.
- Zef Mirdita, “Rreth çështjes së lokalizmit dhe identitetit të disa vendbanimeve dardane në kohën perandorake”, në Studime dardane, Tiranë, 1982, f. 105–109.
- Hasan Ceka, Në kërkim të historisë Ilire, Tiranë, 1994, f. 60–64.
- Muzafer Korkuti, Parailirët, Ilirët–Arbërit, Tiranë, 2003, f. 55–91.
- Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, f. 304–306.
- Po aty, f. 313–320.
- Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, f. 316.
- Nebi Dervishi, Etnokultura e fushëgropës së Ohrit, Tetovë, 2005, f. 59.
- Ali Horshova, Bashkëluftëtarët e Skënderbeut, Prishtinë, 1968, f. 54–56.
- Ali Vishko, “Popullata e Strugës në shek. XV, sipas vakufnames së Sinanudin Jusuf Çelebiut”, në Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup, 1994, fq. 127.
- Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002.
- Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 1868.
- Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, f. 453–454.
- Selami Pullaha, Popullsia e Kosovës gjatë shek. XV–XVI, Tiranë, 1981, f. 43–44.
- Po aty, f. 44.
- Selami Pulahu, Popullsia e Kosovës gjatë shek. XV–XVI, Tiranë, f. 45.
- Sefedin Haruni, E folmja e Rekës së Epërme të Gostivarit, Shkup, 1994, f. 7–9.
- Po aty.
- Qemal Murati, “Patronimika shqiptare e Rekës së Epërme të Gostivarit”, Flaka, 27 janar 1996, f. 17.
- Turski dokumenti za Ohridski sanxhak, T. VIII/1, Skopje, 2000.
- Selami Pullahu, Popullsia e Kosovës në shek. XV–XVI, f. 45.
- Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, f. 515–521.
- Selami Pullahu, Popullsia e Kosovës…, vepër e cituar, f. 46–48.
- Po aty.
- Enis Jakupi, Reka – vendi im, Gostivar, 2007, f. 6–7.
- Po aty, f. 10.
- Selami Pulahu, Popullsia…, f. 643.
- Turski dokumenti za istorijata na makedonski narod, Tom. III, 1976, Skopje, str. 399.
- Turski dokumenti, T. VIII/I, Shkup, 2000, f. 619; Turski dokumenti, T. III, Shkup, 1976, f. 619.
- Turski dokumenti, T. VIII/I, Shkup, 2000, f. 619; Turski dokumenti, T. III, Shkup, 1976, f. 619.
- Po aty.
- Si shënimi 42, f. 400–401.
- Si shënimi 43, f. 640.
- Po aty, f. 640.
- Po aty, f. 628.
- Turski dokumenti, vepër e cituar, T. III, Shkup, 1976, f. 406.
- Turski dokumenti za Ohridski sanxhak, T. VIII/1, Skopje, 2000, str. 632–633.
- Po aty.
- Po aty.
- Po aty.
- Turski dokumenti, T. III, f. 403.
- Si shënimi 50, f. 625.
- Si shënimi 53.
- Turski dokumenti, T. VIII/I, fq. 624–625.
- Turski dokumenti, T. III, 1976, f. 402.
- Po aty.
- Si shënimi 56, f. 619.
- Turski dokumenti, T. III, 1976.
- Turski dokumenti za istorija na Ohridskiot sanxhak, T. VIII/1, fq. 620–621.
- Po aty.
- Turski dokumenti, T. III, 1976, f. 404.
- Turski dokumenti za Ohridski sanxhak, T. VIII/1, Skopje, 2000.
- Edibe Selimi-Osmani, “Reka e Epërme plagë e pashërueshme në popull”, Fakti, 21–28 prill, 2011, f. 16.
- Vasil Kënçovi, Izbrani proizvodenia, V. II, Sofija, 1976, f. 562–565.
- Po aty.
- Po aty.
- Po aty, f. 564.
- Jovan Cvijiq, Geografija, Beograd, 1911, str. 724.
- Mit’hat Frashëri, Shqiptarët e sllavët, Tiranë, 1999, f. 82–84.
- Gazeta Jehona e Bullgarisë, viti i parë /1913/, nr. 4, faqe 2.
- Mit’hat Frashëri, Shqiptarët e sllavët, Tiranë, 1999, f. 83.
- Po aty, f. 83–84.
- Dokumente nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 nëntor 1912 – 22 janar 1914), Tiranë, 1963, dok. nr. 177; Mit’hat Frashëri, Shqiptarët e sllavët, f. 57.
- Sefedin Haruni, E folmja e Rekës së Epërme të Gostivarit, Shkup, 1994, f. 14–15.
- Abaz Islami, “Shpopullzimi, deorganizimi dhe mbipopullimi. Ndarja administrative e Rekës”, gazeta Lajm, fejton, dt. 12–18.01.2011.
- Po aty.
- Arkivi Qendror i RPSH — Tiranë, Fondi 810, Prefekturat e Tokave të Liruara dhe Fondi 811, 812, 813, 814. Komunat dhe nënprefekturat e Tokave të Liruara, viti 1941.
- Abaz Islami, “Shpopullzimi, deorganizimi dhe mbipopullimi. Ndarja administrative e Rekës”, gazeta Lajm, fejton, dt. 12–18.01.2011.
Marrë nga libri:
SHQIPTARËT e REKËS SË EPËRME përballë sfidave të kohës
PËRMBLEDHJE KUMTESASH
Ali Pajaziti • Nasir Selimi • Rasim Zuferi – redaktorë –
Gostivar-Shkup, 2014
















