Ballina Bota Mbiturizmi: Kantieret po i zhvendosin tarracat e harlisura të orizit në Bali

Mbiturizmi: Kantieret po i zhvendosin tarracat e harlisura të orizit në Bali

Aksion për mbledhjen e mbeturinave në plazhin e Canggu-t. Till Fähnders
Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Till Fähnders, Bali

Mbeturina, bllokime trafiku dhe një bum ndërtimesh që duket i pafund: «Ishulli i perëndive» po përballet me pasojat e fluksit masiv të vizitorëve. Kundërshtimi ndaj tij po rritet.

Në plazhin e Canggu-t, përpara një ndërtese tempulli, është mbledhur një grup i vogël njerëzish. Jo për t’u lutur. Të mbledhurit mbajnë në duar thasë të bardhë dhe të verdhë. Pajisjet janë të organizatës Trash Hero. Ajo ka ftuar vullnetarë për pastrimin e plazhit në jugperëndim të Balit. Dy indonezianë, një çift francez dhe një kineze duan të marrin pjesë në aksionin në plazhin Batu Bolong. Një gjerman me emrin Sebastian, i cili, ashtu si shumica e bashkëbiseduesve, parapëlqen të mos i publikohet mbiemri, shpjegon detyrën. Thasët e verdhë janë për mbeturinat e riciklueshme, të bardhët për mbeturinat e tjera. «Çdo të diel përpiqemi të mbledhim sa më shumë mbeturina», thotë ai.

Sipas Sebastianit, qëllimi është para së gjithash simbolik. Vizitorët e plazhit duhet të shohin se si vullnetarë nga e gjithë bota ndihmojnë në pastrim. «Ndoshta pastaj mendojnë që të mos i lënë mbeturinat aty ku janë, ose i çojnë te një kosh», thotë ai. Vullnetarët nisen nga tempulli hindu drejt pushuesve që mbushin plazhin, të ngjeshur pranë njëri-tjetrit. Thasët mbushen shpejt. Mes burrave që luajnë futboll dhe vajzave të reja që bëjnë selfie, vullnetarët mbledhin shishe plastike, kanaçe alumini dhe bishta cigaresh.

Pak para perëndimit të diellit, kur banorët e Balit vendosin oferta të vogla rituale pranë tempujve të tyre, vullnetarët kthehen. I tërheqin thasët pas vetes, duke lënë gjurmë në rërën e errët vullkanike. Pasi të gjitha mbeturinat ndahen sipas llojit, njëri prej indonezianëve i peshon: 26 kilogramë. Sasia është pak më e vogël se në fundjavat e mëparshme. Sebastiani thotë se këtë herë plazhi është relativisht i pastër. Në ditë të tjera, deti sjell në breg edhe më shumë mbeturina. Një herë, Trash Hero kishte mbledhur madje 325 kilogramë. «Nuk gjeje dot asnjë copë vend pa mbeturina», thotë Sebastiani.

Ministra nga Koreja e Jugut iu ankuan presidentit

Gjatë sezonit të shirave, një pjesë e këtij vërshimi plastikash mbërrin në plazh edhe nga fshatrat malore, madje nga ishujt fqinjë. Por, sipas guvernatorit të Balit, Wayan Koster, 41 për qind e mbeturinave vijnë nga hotelet, restorantet dhe kafenetë. Krahas sasisë së mbeturinave, pjesë e problemit janë mangësitë në sistemin e menaxhimit të tyre, shërbimi i dobët i grumbullimit dhe venddepozitimet e tejmbushura. Plastika digjet, përfundon anëve të rrugëve ose në lumenj. Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, e kritikoi publikisht qeverinë provinciale për malet me mbeturina. Ministra koreanojugorë i ishin ankuar se sa «i ndotur» ishte ishulli.

Aksion për mbledhjen e mbeturinave në plazhin e Canggu-t. Till Fähnders

Mbeturinat, së bashku me bllokimet e pafundme të trafikut, janë ndër pasojat më të dukshme të turizmit masiv, i cili në vitin 2025 solli në Bali një numër rekord prej afro shtatë milionë vizitorësh ndërkombëtarë. Fluksi po e vë nën trysni natyrën, infrastrukturën dhe kohezionin shoqëror në «Ishullin e perëndive». Së fundmi, në korrik, disa grupe mjedisore dhe të shoqërisë civile protestuan duke kërkuar ndalimin e të gjitha projekteve të reja turistike. Ato druhen se hijeshia e Balit, me tarracat e orizit, përshpirtshmërinë e formësuar nga hinduizmi dhe plazhet ëndërrimtare, mund të humbasë përgjithmonë.

Askund nuk mund të shihet më qartë se si turizmi masiv po e ndryshon Balin sesa në fshatin Canggu. Gardhet pengojnë pamjen drejt kantiereve ku deri pak kohë më parë shtriheshin fusha orizi me gjelbërim të harlisur. Turistë dhe vendas çajnë me skuterë nëpër rrugët e ngushta. Në një treg të së dielës pranë plazhit, udhëtarë me çanta shpine, sërfistë dhe nomadë të rinj digjitalë shtyhen mes tezgave me vajra esencialë, pije probiotike dhe smoothie me proteina.

Kushdo mund të vijë, por duhet të respektojë rregullat

Nën palma, pranë stendave të veshjeve dhe vitrinave të bizhuterive, vizitorët pozojnë për selfie ose xhirojnë video të shkurtra për Instagram. Një indian me emrin Peeyush lavdëron atmosferën miqësore. Një burrë tjetër qëndron i djersitur përpara një ventilatori dhe tund kokën. «Ky vend është i tmerrshëm për mua, thjesht ka shumë njerëz», thotë 57-vjeçari Bertrand. Vende si Canggu dhe qendra kulturore balineze Ubud, sipas tij, dukeshin krejt ndryshe dy vjet më parë. «Ky vend nuk është më për mua», ankohet francezi.

Indoneziania Maria Kasa mendon se shumë vende në Bali, në ishullin fqinj Lombok dhe në ishujt më të vegjël Gili janë bërë ndërkohë shumë të zhurmshme. Muzika e klubeve kumbon natën me kilometra larg, deri në orët e para të mëngjesit. «Unë parapëlqej pak më shumë qetësi», thotë bankierja 35-vjeçare e investimeve nga kryeqyteti Xhakartë. Për më tepër, disa vizitorë nuk dinë të sillen siç duhet. «Disa njerëz nuk i kuptojnë zakonet e këtushme», thotë Kasa. «Kush dëshiron të vijë, le të vijë — por duhet t’i respektojë rregullat.»

Shumë vendas ankohen se disa turistë sillen pa respekt ndaj banorëve të Balit dhe kulturës së tyre. Vazhdimisht ka raste turistësh që lëvizin me skuterë me pjesën e sipërme të trupit të zhveshur, pozojnë lakuriq në vende të shenjta, bëjnë grafite në mure ose fyejnë vendasit. Së fundmi, një zviceran i ri u dënua me një vit burg, sepse në një video kishte tallur festën hindu Nyepi. Në këtë «Ditë të heshtjes», dyqanet qëndrojnë të mbyllura dhe rrugët janë krejt të zbrazëta. Zvicerani ishte indinjuar nga pasojat «e çmendura» të festës.

Banorët e Balit druhen se po bëhen të huaj në vendin e tyre

Në një rast tjetër, një indoneziane kishte konstatuar se kërkesa e saj për t’u regjistruar në një klub vrapimi kishte mbetur pa përgjigje, ndryshe nga ajo e bashkëshortit të saj të huaj. Klubi i hodhi poshtë akuzat se diskriminonte indonezianët. Dy themeluesit holandezë tani nuk lejohen më të hyjnë në Bali. Ngjarja kishte prekur një pikë të ndjeshme. Sepse gjithnjë e më shumë vendas kanë ndjesinë se po bëhen të huaj në vendin e tyre.

Vizitorët që qëndrojnë për periudha të gjata, të cilët janë vendosur në Bali në numër gjithnjë e më të madh sidomos që nga pandemia e Covid-it, po lënë gjurmën e tyre në vende si ish-fshati i peshkatarëve Canggu. Atje gjen restorante vegane pranë studiove të jogës dhe hapësirave të përbashkëta të punës. Njëra prej këtyre hapësirave ndodhet jo larg tregut, në një ndërtesë të re shumëkatëshe, me kafene dhe palestër. Në katin e sipërm, disa të rinj me kufje në vesh qëndrojnë përpara laptopëve.

Njëri prej tyre është Brodie, 28 vjeç, nga Perthi, i cili nga këtu menaxhon projekte të pasurive të paluajtshme në Australi, Dubai dhe Bali. Në Canggu, përveç vendasve miqësorë, ai gjen edhe njerëz me të njëjtat interesa, «që punojnë në laptop dhe kujdesen për shëndetin e tyre». Sjellja e keqe e një pakice nuk duhet të hedhë hije mbi të tjerët, paralajmëron australiani. Shumica e nomadëve digjitalë sillen me respekt ndaj kulturës balineze. «Unë jam nga të mirët», thotë ai.

Këtë vit janë dëbuar tashmë 342 të huaj nga ishulli

Por për shumë vizitorë afatgjatë, herët a vonë shtrohet pyetja se si do ta financojnë qëndrimin. Po bëhen të njohura gjithnjë e më shumë raste në të cilat të huajt shpërndajnë ushqime, organizojnë aktivitete dhe ofrojnë shërbime si fotografë apo videografë — punë që mund t’i kryenin edhe vendasit. Autoritetet kanë krijuar një grup të posaçëm pune për të zbuluar shkeljet e kushteve të vizave dhe veprimtaritë e paligjshme tregtare. Vetëm nga janari deri në qershor 2026, nga ishulli janë dëbuar tashmë 342 të huaj.

Djegia e mbeturinave në një fushë në Sanur. Till Fähnders

Pavarësisht kontrolleve më të rrepta, Bali mbetet destinacioni i ëndrrave për shumë nomadë digjitalë. Në Canggu pastrohen gjithnjë e më shumë sipërfaqe për ndërtim, hidhen themele dhe ngrihen shtylla betoni. Kështu po zhduket gjithnjë e më shumë natyra që fillimisht e bëri Balin kaq tërheqës për vizitorët. Nga Canggu, shumë turistë nisen me skuterët e marrë me qira për të eksploruar disa prej vendeve më të bukura të ishullit. Mes tyre janë tarraca mbresëlënëse orizi, ujëvara dhe vullkane.

Një prej destinacioneve më të pëlqyera ndodhet në Nusa Penida, një ishull fqinj që i përket provincës së Balit. Udhëtimi detar nga Sanuri, në juglindje të Balit, zgjat rreth 40 minuta. Nga terminali i trageteve, një rrugë e pjerrët dhe e ngushtë të çon në një parking të mbushur plot. Prej andej, një rrjedhë vizitorësh vazhdon drejt një skarpate shkëmbore, ku turistët qëndrojnë aq të ngjeshur përpara parmakut, sa fillimisht vetë atraksioni nuk shihet fare. Vetëm pasi arrin të futesh në ndonjë hapësirë mes turistëve që fotografojnë, mund të hedhësh një vështrim.

Turma turistësh në “Shkëmbin e Dinosaurëve” në Nusa Penida Till Fähnders

Poshtë skarpatës shfaqet një shkëmb i mbuluar me gjelbërim, forma e të cilit të kujton kokën e një T-Rex-i. «Shkëmbi i dinosaurit» në Nusa Penida është prej disa vitesh një nga pamjet më të fotografuara të Balit. Por diçka ka ndryshuar: mbi shkëmb duket një skelë e ndryshkur, e fiksuar në faqen shkëmbore me mbajtëse anësore. Një trup i huaj mbi shkëmb, si një shinë metalike që mban nga jashtë një krah të thyer. «Skela e shëmton natyrën», i shpëton një italianeje me emrin Claudia kur e sheh. «Duhet të hiqet sa më shpejt.»

Ashensori prej xhami në Nusa Penida u bë simbol

Skela u ngrit gjatë dy deri në tre vjetëve të fundit, sepse pranë shkëmbit ishte parashikuar të ndërtohej një ashensor prej xhami, 182 metra i lartë, për turistët. Ashensori do t’u mundësonte vizitorëve të zbrisnin të sigurt nga skarpata në plazhin Kelingking, poshtë saj. Deri tani, për të shkuar në plazh ka vetëm një shkallare të pjerrët dhe të ngushtë, ku turmat e turistëve shtyhen duke zbritur e ngjitur. Por ashensori i planifikuar shkaktoi indinjatë vitin e kaluar. Shumë influencues dhe banorë vendas kundërshtuan ndërtimin.

Qeveria provinciale vuri në dukje edhe mungesën e lejeve për disa pjesë të projektit. Guvernatori Koster urdhëroi çmontimin e konstruksionit dhe rikthimin e gjendjes fillestare. Por sot skela vazhdon të jetë e varur në shkëmb. Mbi të ngrihet një vinç ndërtimi. Turisti kinez Li Yuchen thotë se, në fakt, ashensori nuk i duket aspak ide e keqe. Me këmishën krejt të lagur nga djersa, ai merr frymë me vështirësi në krye të shkallares. «Mendoj se kjo është pak e rrezikshme. Kaq shumë njerëz në shkallë», thotë burri nga Shangai. «Po të kishte një ashensor këtu, do të ishte më mirë për shumë njerëz.» Në mesin e shtatorit, një australiane humbi jetën pasi ra nga skarpata.

Megjithatë, për shumë vizitorë ndërkombëtarë, projekti i ndërtimit është simbol i ndërhyrjeve në natyrën e Balit. Edhe qeveria provinciale po përpiqet ta frenojë disi vrullin e ndërtimit. Që nga fillimi i vitit, formalisht është në fuqi një ndalim ndërtimi në tokat bujqësore të gjashtë rretheve të ishullit. Atje nuk lejohen hotele, vila dhe objekte tregtare argëtimi të reja në tokat e punueshme. Por në zonat e tjera bumi i ndërtimit vazhdon pa ndryshim. Nga ndalimi përjashtohen veçanërisht disa prej qendrave turistike në jug të ishullit.

Peizazh mbeturinash në plazhin Bingin në Uluwatu Till Fähnders

Nga Nusa Penida kthehemi në ishullin kryesor, ku në kodrat e jugperëndimit po ngrihet një qendër e re pushimesh. Deri tani, Uluwatu ishte i njohur për shkëmbinjtë e thepisur, plazhet e bardha me kushte ideale për sërf dhe tempullin hindu me të njëjtin emër, që qëndron madhështor në buzë të një skarpate. Tani po shndërrohet në një Canggu të ri — vetëm pak më të shtrenjtë, më luksoz dhe më ekskluziv. Në shumë vende po ndërtohen hotele, vila dhe restorante të reja. Si një plagë e stërmadhe, bazamenti i ngritur me mbushje për një unazë të re rrugore përshkon peizazhin shkëmbor.

Disa sërfistë tani e quajnë plazhin «Bingin Gaza»

Pavarësisht veprimtarisë së gjallë tregtare, në Uluwatu ka një plazh ku gjenden vetëm një shkollë sërfi, disa shezlongë dhe një pikë e vogël shitjeje pijesh. Rruga drejt plazhit Bingin kalon nëpër një shteg gjarpërues, duke zbritur një skarpatë të pjerrët. Gjatë zbritjes, në vend të restoranteve dhe vilave, në tokë shihen vetëm gurë, mbetje betoni dhe mbajtëse çeliku. Pak sipër plazhit gjenden tonelata mbetjesh ndërtimore. Për shkak të peizazhit të rrënojave, disa sërfistë tashmë e quajnë plazhin vetëm «Bingin Gaza», tregon një burrë që po ngjitet me dërrasën e sërfit nën krah.

Në shpat gjenden mbetjet e lokaleve, dyqaneve dhe bujtinave që u shembën një vit më parë. Sipas autoriteteve, ndërtesat funksiononin pa lejet e mjaftueshme dhe një pjesë ishin ngritur në tokë shtetërore. Për këtë arsye, ato vendosën t’i shembnin. «Është e trishtueshme. Jam rritur këtu. Në moshën pesëvjeçare erdha për herë të parë në plazh», thotë instruktori i sërfit Agus, i cili qëndron në breg me kostumin prej neopreni.

Instruktori vijon duke thënë se qeveria tani planifikon të ndërtojë restorante dhe një skenë për shfaqje vallëzimi. Por nuk është e qartë se kur do të ndodhë kjo. «Në fakt, këtu duhej të ishte pastruar prej kohësh. Por gjithçka është ende aty», thotë Agus. Së bashku me disa të huaj, sërfistët kanë pastruar pjesë të plazhit. «Sepse kur vjen një dallgë e madhe, merr gjithçka me vete dhe e çon në det», thotë balinezi. «Mes tyre ka edhe shufra metalike; kjo është shumë e rrezikshme.» Pavarësisht pamjes së zymtë, sërfistët qëndrojnë në ujë mbi dërrasat e tyre, ndërsa pushuesit marrin rreze në diellin e mesditës.

Nën një çadër dielli qëndron edhe banori vendas Made, i cili shet pije nga një arkë frigoriferike. Sipas tij, në mesin e viteve tetëdhjetë, turistët e parë kishin ardhur me skuterë nga Kuta dhe Seminyak në Uluwatu. Disa banorë nisën të hapnin pika të vogla ushqimi për ta — mes tyre vetë ai dhe prindërit e instruktorit të sërfit Agus. Për vite me radhë, Made kishte shitur oriz dhe makarona të skuqura në lokalin e tij të vogël, të quajtur «warung», sipër plazhit. «Tani, si shumë të tjerë, kam humbur vendin e punës», thotë indoneziani 61-vjeçar.

Mes pushuesve është edhe gjermani René, 35 vjeç, i cili qëndron në ujin pothuajse të kristaltë të detit, që i arrin deri te kyçet e këmbëve. Ai tregon se ka ardhur këtu për herë të dytë me bashkëshorten. Për të dy, Bingin ishte plazhi më i bukur që kishin zbuluar në Bali. «Por para dy vjetësh, këtu ishin ende të gjitha ndërtesat.» Vetëm kur çifti mbërriti në plazh, kuptoi se gjithçka ishte shembur. Ndërkohë, edhe për çiftin gjerman, gjithë ajo rrëmujë në Bali është bërë disi e tepërt. Sigurisht, turizmi u sjell përfitime vendasve. Por njëkohësisht shkatërrohen edhe shumë gjëra, thotë gjermani. «Duhet gjetur një ekuilibër.»

Burimi: F.A.Z.

Till Fähnders është korrespondent politik për Azinë Jugore dhe Juglindore, si edhe për Australinë.