Ballina Kuriozitete Përhapje invazive/Para Ibizës tani notojnë në det gjarpërinj që nuk i përkasin...

Përhapje invazive/Para Ibizës tani notojnë në det gjarpërinj që nuk i përkasin atij vendi

Një gjarpër dy metra i gjatë me njolla nuk është pikërisht kafsha që të vjen ndër mend kur futesh në ujë para Ibizës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit disa njerëz janë ndeshur vërtet me një gjarpër patkua gjatë larjes në det. Një studim i ri tregon: gjithnjë e më shpesh, këto kafshë të padëmshme për njerëzit po braktisin ishujt kryesorë Balearë dhe po notojnë drejt ishujve të vegjël fqinjë. Kjo sjell pasoja dramatike: sipas raportimeve, në dhjetë ishuj të Pitiuseve tashmë janë ngrënë të gjitha hardhucat e mureve. Pitiuset përfshijnë Ibizën, Formenterën dhe rreth 40 ishullza të tjera të pabanuara.

“Problemi qëndron se në të gjithë këta ishuj kemi lloje unike hardhucash, të cilat gjatë evolucionit prej miliona vjetësh përfaqësojnë linja të veçanta dhe të pavarura. Dhe kur ato zhduken, janë zhdukur përgjithmonë”, shpjegon Alexander Haas, profesor i herpetologjisë në Institutin Leibniz për Analizën e Ndryshimit të Biodiversitetit. “Kjo është e pakthyeshme.” Jo shumë kohë më parë, hardhuca e mureve e Ibizës — kafshë me shkëlqim shumëngjyrësh dhe me rëndësi ikonike për ishullin — u ngrit nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) në kategorinë “e rrezikuar”.

S Grafik

Uria ose dëshira për aventurë e shtyn gjarprin patkua drejt ujit

Për rrezikun e zhdukjes paralajmërojnë edhe autorët e studimit të botuar kohët e fundit në revistën shkencore Ecology. Sepse: në menunë e gjarpërinjve patkua të Pitiuseve bëjnë pjesë gjitarë të vegjël, zogj dhe hardhuca si hardhuca e mureve. Studiuesit nën udhëheqjen e Oriol Lapiedra-s nga Instituti CREAF dyshojnë se, ngaqë kjo e fundit tashmë është pothuajse zhdukur nga Ibiza, gjarpërinjtë e uritur po kërkojnë burime të reja ushqimi — dhe ndoshta për këtë arsye po e provojnë fatin në ujë.

Hardhuca e mureve në Ibiza
Foto: Guillem Casbas / CREAF

Edhe eksperti Haas thotë se gjarprin patkua e njeh “kryesisht si gjarpër tokësor, një lloj mesdhetar që zakonisht banon në habitate mjaft të thata me pak lidhje me ujin”. “Por është e mundur që mungesa e ushqimit ta shtyjë atë drejt ujit.” Megjithatë, sipas tij kjo nuk është një vendim i vetëdijshëm: kafshët nuk e dinë “se ndoshta diku atje në det ekziston edhe një ishull tjetër me burime të reja ushqimi”.

Një mundësi tjetër, sipas ekipit të Oriol Lapiedra-s, është që gjarpri patkua të ketë thjesht natyrë aventurieske: kalimi i tij me not drejt ishujve të tjerë mund të jetë “pasojë e një prirjeje të shtuar për eksplorim”.

Gjarpërinjtë fillimisht erdhën si udhëtarë të fshehur

Sido që të jetë, shkencëtarët arritën të verifikonin të paktën 14 raste të pavarura të vëzhgimit të gjarpërinjve në det të hapur rreth Ibizës midis viteve 2015 dhe 2025 — për shembull midis ishullit kryesor dhe ishullzës së vogël Santa Eulalia. Fotografitë, videot dhe bisedat me dëshmitarë okularë ndihmuan në këtë proces.

Fakti që këta zvarranikë mbërritën fare në ishujt Balearë lidhet me shumë gjasë me pronarë të pasur tokash. Ata nisën në fillim të viteve 2000 të importonin pemë ulliri nga kontinenti në Ibiza për të zbukuruar pronat e tyre. Studiuesit nën udhëheqjen e Oriol Lapiedra-s dyshojnë se gjarpërinjtë, ose vezët e tyre, mbërritën në ishull bashkë me këto pemë të importuara.

Eksperti Haas nuk e gjen këtë çuditëse: duke pasur parasysh flukset e mëdha të njerëzve dhe mallrave midis kontinentit dhe Ibizës, ky është një skenar mjaft i besueshëm. Ai vëren se rastet kur disa lloje kërcënojnë apo madje shfarosin lloje të tjera janë shtuar ndjeshëm në përgjithësi. Edhe globalizimi luan rolin e vet, thotë Haas: “Shumë lloje janë transportuar në rajone të tjera përmes anijeve dhe kontejnerëve.” Për më tepër, “fatkeqësisht ka edhe njerëz që veprojnë pa kurrfarë përgjegjësie dhe thjesht lëshojnë lloje të huaja në natyrë”.

Gjarpri patkua në tokë
Foto: picture alliance

Ndodhin edhe zhvendosje të rastësishme — për shembull gjatë stuhive, kur trungje druri me kafshë mbi to merren nga dallgët dhe futen në breg diku tjetër. “Sapo të mbërrijnë, një ishull mund të popullohet në këtë mënyrë”, shpjegon Haas. “Dhe shpesh mjaftojnë vetëm dy individë ose vetëm një femër me vezë.”

Në rastin e gjarprit patkua, Lapiedra dhe ekipi i tij besojnë se prania e tij në ishujt e vegjël e të pabanuar të Pitiuseve nuk ka të bëjë me ndonjë zhvendosje të rastësishme apo të lidhur me motin. Përkundrazi: “Notimi në det është me shumë gjasë një shpërndarje aktive dhe vullnetare nga zonat bregdetare tashmë të prekura”, thuhet në studim. Edhe pse dihet teorikisht se shumica e gjarpërinjve tokësorë mund të notojnë, kjo sjellje ka befasuar gjerësisht komunitetin shkencor.

Gjarpri patkua në ujë
Foto: Rubén Casas / CREAF

“Një tragjedi” në ishujt Balearë

Pasojat janë gjithsesi “një tragjedi”, tha Lapiedra për gazetën britanike The Guardian. Haas arrin në një vlerësim të ngjashëm: nëse lloje endemike si hardhuca e mureve e Ibizës shfarosen nga lloje invazive si gjarpri patkua, kjo ndoshta “në çastin e parë nuk duket dramatike”. “Por me kalimin e kohës efekti bëhet i dukshëm”, shpjegon Haas: “Këto hardhuca që po zhduken janë bazë ushqimore për shumë grabitqarë të tjerë, dhe ky ekuilibër është ndërtuar gjatë qindra mijëra ose miliona vjetësh.” Një grabitqar i ri që shfaqet papritur, pa i lënë kohë gjahut të përshtatet, e çon të gjithë sistemin jashtë ekuilibrit. “Kjo mund të çojë në atë që një lloj të hahet më shpejt sesa arrin të riprodhohet”, shpjegon Haas. Pasoja: ai lloj zhduket si burim ushqimi edhe për llojet e tjera.

Kjo strukturë e ndërlikuar rëndohet edhe nga një faktor tjetër: “Hardhucat e mureve pjalmojnë lule dhe shpërndajnë fara”, shpjegon Lapiedra. Për më tepër, hardhuca rregullon popullatat e insekteve, duke përfshirë dëmtuesit bujqësorë, “ndaj gjithçka ndryshon kur ajo zhduket”. Në ishuj si Ibiza, “çdo lloj është i lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me çdo lloj tjetër”, paralajmëron Haas. Pasojat afatgjata të prishjes së këtij ekuilibri mbeten të paparashikueshme.

Bregdeti në Parkun Natyror Ses Salines në Ibiza
Foto: Karlheinz Irlmeier / imageBROKER / picture alliance

Ajo që po duket tashmë qartë: në kontinent, gjarpërinjtë patkua janë zakonisht kafshë të holla që rrallë kalojnë 1.80 metra. Në Ibiza, megjithatë, ata po shumohen aq shpejt sa janë gjetur ekzemplarë mbi 2 metra të gjatë, me peshë 2.5 herë më të madhe se bashkëllojet e tyre në gadishull. “Kemi gjetur kafshë aq të trasha sa kyçi im i dorës”, tha Lapiedra për The Guardian.

Haas thotë se gjasat për të ndeshur një gjarpër patkua gjatë larjes janë “mjaft të vogla”. Dhe edhe sikur të ndodhte, gjarpri jo-helmues — si të gjithë llojet e tjera evropiane të gjarpërinjve që jetojnë pranë ose në ujë — është krejtësisht i padëmshëm, qetëson eksperti. Llojet e vetme të rrezikshme të gjarpërinjve në Evropë janë nepërkat, disa prej të cilave kanë helm shumë të fuqishëm. “Por ato jetojnë në tokë”, thotë Haas. Rregulli i përgjithshëm për gjarpërinjtë, helmues apo jo: “Nëse nuk i prekni dhe i lini të qetë, ata nuk na bëjnë asgjë.”/Spiegel/Në shqip nga Tetova News