Zhvilluesi i chatbot-it Claude planifikon të dalë në bursë. Kompania amerikane së fundmi është vlerësuar në 965 miliardë dollarë. Edhe konkurrentët kanë plane të ngjashme.
Kompania e inteligjencës artificiale Anthropic ka aplikuar në SHBA për ofertë publike fillestare të aksioneve, të njohur si IPO. Këtë e njoftoi vetë zhvilluesi i Claude, alternativës së ChatGPT-së.
Detajet për madhësinë ose kushtet e listimit fillestar ende nuk dihen. Aplikimi për shitjen e aksioneve është dorëzuar fillimisht në mënyrë konfidenciale, njoftoi kompania. Kjo do të thotë se të dhënat e biznesit mbeten të fshehta derisa dokumentet të shqyrtohen nga Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë dhe Bursat, SEC.
Anthropic u themelua në vitin 2021 nga ish-punonjës të OpenAI-së dhe mbështetet, ndër të tjera, nga gjigantët teknologjikë Google dhe Amazon. Edhe Microsoft e Nvidia planifikojnë të investojnë deri në 15 miliardë dollarë në këtë kompani.
Së fundmi, Anthropic tërhoqi vëmendje me Claude Mythos, një mjet të automatizuar hakerimi, i cili thuhet se është aq i fuqishëm sa kompania nuk do ta bëjë publik.
Dalja në bursë konsiderohet në Wall Street si një moment historik për bumin e inteligjencës artificiale. Anthropic së fundmi mbylli një raund financimi prej 65 miliardë dollarësh, me një vlerësim total prej 965 miliardë dollarësh.
Edhe OpenAI thuhet se ka ambicie të ngjashme për dalje në bursë. Ndërkohë, kompania hapësinore SpaceX e Elon Musk, e cila tashmë përfshin edhe kompaninë e tij të inteligjencës artificiale, xAI, mund të dalë në bursë që në mesin e qershorit.
Sipas Reuters, SpaceX synon të sigurojë 75 miliardë dollarë të ardhura, me një vlerësim prej 1.75 trilionë dollarësh. Edhe konkurrenti OpenAI po përgatitet për debutim në tregun e aksioneve.
Në të njëjtën kohë, po shtohen dyshimet nëse investimet prej qindra miliarda dollarësh në infrastrukturën e inteligjencës artificiale do të mund të rikuperohen.
Cory Doctorow, i cili prej dekadash lufton kundër fuqisë së kompanive teknologjike, paralajmëron se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë produktet e Silicon Valley më të këqija, jo më të mira./TN















