Ballina Kultura BIBLIOTEKA E TETOVËS HAP DYERT PËR BOTËN KREATIVE TË FËMIJËVE NË 1...

BIBLIOTEKA E TETOVËS HAP DYERT PËR BOTËN KREATIVE TË FËMIJËVE NË 1 QERSHORIN E TYRE

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë u mbush me ngjyra, buzëqeshje dhe krijimtari përmes aktivitetit “Tetova në sytë e fëmijëve”. Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë nxënës të Shkollës Fillore “Asdreni” nga Gllogja dhe fëmijët e Çerdhes “Engjujt” nga Dobroshti, të cilët përmes këngëve, valleve, pikturave dhe aktiviteteve artistike shprehën mënyrën se si e shohin dhe e përjetojnë qytetin e tyre. Aktiviteti synoi të promovojë kreativitetin, imagjinatën dhe talentin e fëmijëve, duke e shndërruar bibliotekën në një hapësirë të gjallë kulture, edukimi dhe frymëzimi, transmeton Tetova News.

POSTIMI I PLOTË I BIBLIOTEKËS SÊ TETOVÊS

🎈 “Tetova në sytë e fëmijëve” – Aktivitet me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve 🎈
Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë realizoi projektin “Tetova në sytë e fëmijëve”, një ngjarje e veçantë kushtuar krijimtarisë, imagjinatës dhe botës së pasur të fëmijëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit e Shkollës Fillore “Asdreni” nga fshati Gllogjë dhe fëmijët e Çerdhes “Engjujt” nga fshati Dobrosht, të cilët e zbukuruan këtë ditë me këngë, valle, pikturime dhe aktivitete të ndryshme artistike. Përmes ngjyrave dhe vizatimeve të tyre, fëmijët shprehën mënyrën se si e shohin dhe e përjetojnë qytetin e Tetovës, duke sjellë ide, emocione dhe mesazhe të sinqerta që pasqyrojnë botën e tyre të pafajshme dhe kreative.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti drejtori i bibliotekës, z. Binas Pajaziti, i cili theksoi rëndësinë e fëmijëve si themeli i së ardhmes së shoqërisë sonë dhe rolin e bibliotekës si një institucion që nxit edukimin, kulturën, kreativitetin dhe dashurinë për librin që në moshë të hershme.
Aktivitete të tilla dëshmojnë se biblioteka nuk është vetëm një vend i dijes dhe leximit, por edhe një hapësirë e hapur për zhvillimin e talenteve, imagjinatës dhe shprehjes artistike të fëmijëve.
Urime 1 Qershori të gjithë fëmijëve! Qofshi gjithmonë të lumtur, krijues dhe të frymëzuar në rrugëtimin tuaj drejt së ardhmes.