Ballina Aktualitet Kultura Shuhet Omer Kaleshi/Piktori i mirënjohur shqiptar u nda nga jeta në moshën...

Shuhet Omer Kaleshi/Piktori i mirënjohur shqiptar u nda nga jeta në moshën 90 vjeçare

Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare piktori i mirënjohur Omer Kaleshi. Mediat e Maqedonisë së Veriut kanë raportuar lajmin e trishtë të largimit nga jeta të artistit të madh.

Omer Kaleshi lindi në vitin 1932, në një fshat të Maqedonisë së Veriut. Pas shumë udhëtimesh, pikturimesh dhe ekspozimesh në Stamboll, Romë, Vjenë, Mynih, Londër, Selanik, Beograd, Hagë, në vitin 1956 ai u vendos në Paris.

Kaleshi ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Kaleshi është autor i ciklit prej pesëqind portreteve të pikturuara, ndërsa ekspozitat e tij janë promovuar në institucionet prestigjioze parisiene, si dhe në shumë qytete të tjera të botës.

Omer Kaleshi nuk arriti ta mbarojë autoportretin e tij!

Dy ditë parë duke folur me video me Omer Kaleshin më pyeti se kur do të shkoja ta shikoja në shtëpinë e tij në Stamboll. Në fillim të majit, i premtova. Por sot mora vesh se dje miku im i mrekullueshëm nuk do ti shihte më krijimet e tij, pikturën që aq shumë e deshi.

Një piktor që nuk punon thua se ka vdekur, më thoshte shpesh në spital si ta ndjente këtë. Dhe kishte të drejtë.

Njëzet vjet më parë kisha shkuar me të të shikonim varrin e prindërve të tij rrethuar nga selvitë jo larg Bririt të Artë. Më së fundi Omer Kaleshi shkoi dje të përshëndesë atin dhe nënën e tij pranë Bririt të Artë, buzë Bosforit.

Atelieri i tij mbeti jetim përjetësisht. Ai nuk do të lutet më para tyre, pasi krijimi për të ishte një lloj lutje. Autoportretin e fundit që la mbi kavalet, mbeti i pambaruar!

Omeri lutet

Omeri «lutet» çdo ditë
në ritin e tij piktural ballë kavaletit
suretet e tij janë tablo, koka
dervishë që kanë pirë verë në tryezën e tij të drunjtë,

fqinjët poshtë ndjejnë këmbët e tyre që rrahin,
atelieri i ngjan një skene hyjnore,
një copëz qielli tej xhamit,
veç një këmbë me një çorape nderet në tavan,

koka e Jezusë e shikon paqësisht nga një ikonë ortodokse,
bariu në miniaturë ka kohë që fle mbi oxhak,
«ney» kumbon dhe shpërndahet me hare tej dritares,

Omeri lutet i përkulur mbi paletë,
me spatulën e tij rrëmben pak të zezë,
pastaj të gjelbërt të zezë okër
dhe dansi bektashi vazhdon gjer në ag

«Ne jemi vetë Zoti», thonë dervishët
«sepse Zoti është brenda nesh»,
pastaj ata braktisin tablotë në korniza

dhe sillen rreth atelierit në ekstazën e tyre,
në vorbullën mistike që ngrihet lart,

Omeri lutet gjithnjë me heshtjen e tij proverbiale
me spatulën e tij në atë dorë ngritur
si një muzikant popullor ardhur nga rruga e gjatë e Konjas

kështu, nga mbrëmja në ag,
Omeri lutet bashkë me dervishët e tij
që krijohen nga paleta e tij e zjarrtë…

Ndahet nga jeta Omer Kaleshi

Artisti Omer Kaleshi, piktori i “kokave”, të cilat na bëjnë të mendojmë për veten dhe për të tjerët si një, nga sot nuk është më në mesin tonë.

Ishte piktor kërçovas, por i takonte gjithë botës. Opusi i tij që nuk njohi kufij, duke u prezentuar në kryeqendrat artistike botërore për dekada me radhë. E ngërthyer që moti në qelizën e artit modern shqiptar, krijimtaria e tij do të mbetet gurthemel për gjeneratat e ardhshme ku do të ndeshin modernen shqipe, por edhe tradicionalen më të gjerë mbarëballkanike.

Ngushëllime familjes, shoqërisë, bashkëkrijuesëve të tij dhe gjithë komunitetit artistik.

U prehtë në paqe.

@tn.lajmelokale
@tetovanews